
'Kur gjahilët ulen në parlament'


Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi.
Një thënie popullore thotë: “Nuk ka më i keq se gjahili”. E në pyetjen se kush është më i keq se gjahili, përgjigjja është: “Gjahili që nuk e di se është gjahil”. Po jetojmë në një Botë të trazuar, me plot kërcënime, luftëra dhe të papritura për të nesërmen. Derisa shtetet e botës i vëzhgojnë me vëmendje të lartë ngjarjet dramatike që po zhvillohen në Ukrainë, Palestinë, Iran e shumë vende të tjera, deputetët e Parlamentit të Kosovës, për shkak të botëkuptimeve primitive, inateve dhe defekteve tjera patologjike, po i bllokojnë institucionet e shtetit përmes 35 mbledhjeve të dështuara për zgjedhjen e organeve të Parlamentit.
Kjo klasë politike, e cila po kalkulon me fatin e Kosovës, do të mbahet mend gjatë në historinë e parlamentarizmit si gjenerata më e papërgjegjshme ndaj shtetit dhe ndaj popullit të Kosovës. As në ish-sistemin komunist nuk ka ndodhur që deputetët t’i nënshtrohen verbërisht kryetarit të partisë apo klanit udhëheqës. Është e pashpjegueshme se si 100 deputetë shqiptarë ende nuk kanë guximin të distancohen nga kjo politikë e verbër, që po e çon vendin drejt greminës. Kjo tregon qartë se shoqëria kosovare po kalon në krizë të thellë morale, politike dhe njerëzore, dhe nuk është e përgatitur për sfidat e kohës në të cilën po jetojmë. Kjo mënyrë e të bërit politikë tejkalon madje edhe sistemet moniste të së kaluarës, kur asnjëherë nuk ka ndodhur që 100 deputetë të një vendi t’i nënshtrohen partisë apo liderit të saj, vetëm për të ruajtur interesat personale, dhe jo ato të elektoratit që ua dha votën për të ndërtuar shtetin. Ky nivel i ulët i përballjes politike i ngjan më shumë një sistemi centralist e autoritar, sesa Parlamentarizmit Demokratik që do duhej te udhëhiqej një republikë moderne.
Është e paimagjinueshme që pas 35 seancave të dështuara të mos kemi asnjë rast të një deputeti që të dalë para opinionit, të pranojë gabimet, e të distancohet nga partia apo kryetari i saj në emër të interesit publik. Mungesa e kësaj vetëdijeje dhe e ndjenjës së autokritikës tregon fytyrën e vërtetë, karakterin dhe moralin e individit që e ka keqpërdorur votën e qytetarit. E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur shtetet përreth nesh kanë ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kanë vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e sigurisë për t’u mbrojtur nga rreziqet qe mund te ndodhin. Ndërkohë që Serbia po zhvillon propagandë hibride ekstreme kundër Kosovës, deputetët shqiptarë po e bllokojnë shtetin nga brenda. Kjo gjendje e paimagjinueshme dhe thellesisht zhgenjyese nuk eshte pritur. Në fund, më thotë mendja se kjo klasë politike nuk e meriton ta përfaqësojë popullin e Kosovës në kohën e sfidave të mëdha me të cilat po përballemi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".