
'Katër gomarët'- e Arianit Kocit që turpëruan Republikën!


Fadil Maloku
Shkruan: Prof.Dr Fadil Maloku
Simbolika e sjelljes së “katër gomarëve” para Kuvendit të Kosovës, në interpretimin sociologjik, para se të jetë një paralajmërim për përmbysjen e botës sonë fizike, është mbi të gjitha një ironizim i thellë i fundit të normave dhe rregullave shoqërore; fundi i kodeve sociale dhe morale, dhe sidomos i “arkitekturës” institucionale të një shteti.
Nëse e “lexojmë” me simbolikë ironizuese këtë akt – pra “lojën” me “katër gomarët” e sjellë para Kuvendit të Kosovës – atëherë duhet të jemi të përgatitur për ciklin e ardhshëm të vetëshkatërrimit social, i cili është prodhuar nga dështimet e 41 seancave konstituive, si dhe për ciklin e shkatërrimit tonë sociopolitik mbi drejtësinë, kohezionin dhe barazinë.
Nëse këtë simbolikë ironizuese të “katër gomarëve” – që dikush mund ta lexojë edhe si simbolikë të “katër kalorësve apokaliptikë” – e interpretojmë përmes etnopsikologjisë sociale shqiptare, mund të nxjerrim disa “porosi” interesante e domethënëse:
E para: Gomari në kulturën dhe traditën popullore shqiptare simbolizon budallallëkun (në kuptimin personal), injorancën (të ngjizur përmes edukimit), kokëfortësinë dhe servilizmin e tejskajshëm ndaj pronarit të tij (në rastin tonë: servilizmi dhe konformizmi pa kufij i deputetëve ndaj liderit partiak).
E dyta: Duke i sjellë këta gomarë para Kuvendit të Kosovës – institucionit më të lartë legjislativ – protestuesi (avokati i respektuar Arianit Koci), sipas gjykimit tim sociologjik, ka synuar ta ironizojë hapësirën ku mblidhen deputetët e kësaj legjislature si një “skenë” komode e privilegjuese, ku nuk mblidhen individë me integritet dhe dinjitet emancipues, por “gomarë” – në kuptimin figurativ – pra, deputetë pa karizëm sociale, politike e morale. Ngase, s’ duhet harruar që këta deputetë, përveç privilegjeve që po i shijojnë pa u djersitut fare, po dëshmojnë edhe injorancë, budallallëk, servilizëm e konformizëm të skajshëm ndaj “prangave partiake” (lexo: interesave të grupeve informale, oligarkike dhe klanore), por, jo (çka është më shqetësuese!) edhe prangave” ideologjike – gjë që do të ishte normale në një shoqëri me aspirata demokratike.
E treta: Këta “katër gomarët” e Arianit Kocit (si ide brilante për të shpërfaqur paralizën parlamentare), pa asnjë dyshim, u dërgojnë edhe “selame” direkte katër partive më të mëdha parlamentare, duke sugjeruar atyre se asnjëra nga ato nuk është duke i përfaqësuar me dinjitet të plotë interesat publike të votuesëve prej nga morën “fuqinë” e vendimarrjes. Pra, deputetët duke mos u bë avokaturë interesave qytetare po u shërbejnë vetëm interesave personale të liderëve, interesave klanore të subjekteve ku janë “rekrutuar” paraprakisht përmes një selektimi (jo)formal e me qëllime të kontrollit mbi vendimet parlamentare
Në këtë rrafsh, përdorimi i “katër gomarëve” – si metaforë për katër subjektet kryesore parlamentare – shfaqet si groteskë protestuese, një mjet simbolik dhe tejet kritik që, përveç jehonës mediatike (veçanërisht në rrjetet sociale), mund të lexohet edhe si një “fije shprese” për ndërgjegjësimin e deputetëve, por edhe të publikut të gjërë – të shndërruar në një “turmë amorfe” dhe në “dele të dëgjueshme” – përballë zhvillimeve politike që po kalon Kosova si shtet dhe si shoqëri.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".