
Bomba që nuk plasi, por goditi 'zemrën' e Republikës!


Fadil Maloku
Shkruan: Prof.Dr Fadil Maloku
1. Alarmi për vendosjen e një bombe në lokacionin e padefinuar të “zemrës” së një rendi dhe sistemi demokratik (apo që pretendon të verifikohet përmes standardeve të BE-së), apo mekanizmit përmes të cilit (ri)ndërtohet dhe kultivohet sovraniteti i një shteti, shikuar me dioptrinë sociologjike, përveç që është një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin, është edhe një mesazh i qartë (pa ekuivok!) për trazimin e themeleve mbi të cilat po ndërtohet e gjithë “arkitektura” sociale, politike, ekonomike e ushtarake e shtetit të Kosovës. S’këndejmi, ky lloj incidenti, pavarësisht se u dekonspirua nga organet e rendit dhe sigurisë, “i rremë” – nënkupton dhe shpreh taksativisht si brishtësinë ashtu edhe një krizë besimi ndaj institucioneve. Shoqëritë e transicionit, sikurse është kjo e jona, me përjetimet (dramën politike në paralizën parlamentare), tensionet (etnike; ku serbët janë potencial i manipulimit nga Serbia) dhe shqetësimet e brendshme (kriza ekonomike në horizont), lehtësisht mund të “prodhojnë” situata e aso gjendje që realisht mund të thyejnë normat dhe të cenojnë rëndë rregullat dhe ligjet e instaluara me shumë sakrifica e gjak të derdhur, dhe që mund të na shpien në një gjendje (siç e ka identifikuar Émile Durkheim) “anomike”. S’ka asnjë dyshim se “alarmi për vendosjen e një bombe”, përveç shumë mesazheve për brishtësi e për testim të organeve të sigurisë publike të Republikës sonë, reflekton apo presupozon edhe një gjendje “anomike”, ku politikanët bashkë me deputetët dhe gjithë qytetarët e vendit mendohet (apo supozohet e shpresohet, madje!) të ndihen të pashpresë e të pasigurt në artikulumin e asaj që shquhet si vullnet i popullit, i dalur nga zgjedhjet e shkurtit 2025.
2. Shikuar me këtë dioptri, “alarmi për vendosjen e bombës” në institucionin më kredibil të një shteti s’është vetëm një “kërcënim” serioz, por i njëjti mund të shërbejë edhe si mjet për të prodhuar një klimë të humbjes së kontrollit dhe bindjes ndaj autoriteteve legale. Po ashtu, ky akt mund të supozohet të jetë edhe një formë proteste radikale ose anonime, që shpreh mosbesimin ndaj përfaqësuesve politikë. Ngase, në demokracitë e brishta dhe në tranzicion, sikurse është Kosova, shpeshherë perceptohen apo projektohen qëllimshëm si të kapura nga klanet dhe grupet e interesit, e jo si zëra të qytetarëve. Ndërkohë, nëse provojmë që këtë “alarm” (lexo lirshëm; si akt edhe terrorist!) ta interpretojmë përmes teorisë së konfliktit (Marx, Coser), ku aktet e tilla konsiderohen si strategji tejet të sofistikuara për të “prodhuar” situata kaosi dhe destabilizimi të theksuar (mos të harrojmë që Serbia “kujdestaron” online për ta dëshmuar në “sytë” e ndërkombëtarëve Kosovën si shtet të dështuar!), qoftë në brendësi të vendit (si ai i Banjskës) apo jashtë (ku Serbia po zhvillon”beteja” të vazhdueshme kundër njohjes së Kosovës) tij.
3. Ndërkaq, nëse këtë veprim me alarme të rrejshme e interpretojmë përmes dioptrisë gjeopolitike dhe asaj gjeostrategjike, ku bota sigurt është në një “kaos të kontrolluar”, atëherë kuptojmë se ky akt (terrorist) mund të jetë edhe provokim iracional për të ngjallur panikun institucional ose për të minuar autoritetin dhe sovranitetin e shtetit.Por ajo që unë mendoj se është më e rrezikshme në gjithë këtë skenar (anti-Kosovë) ka të bëjë me atë se, nëse pas këtij rasti do të ketë sërish paralajmërime të tilla (e unë jam i sigurt se do të ketë!), qytetarët e rëndomtë, por edhe elitat politike, do të fillojnë ahumë shpejt të mësohen e akomodohen me gjendjen e “kërcënimit të vazhdueshëm”! Situatë kjo që sociologët postmodernë e kanë identifikuar si “banalizim i së jashtëzakonshmes”, si një gjendje ku terrori simbolik (që në traditën tonë njihet si proverb mbi ujkun*) dhe alarmi i rrejshëm fillojnë të familjarizohen aq shumë me jetën e përditshme sociale dhe politike, sa lehtësisht mund të na çojnë në një ndjenjë të apatizmit qytetar dhe të një dobësimi sistematik të rezistencës demokratike.
*) “Ujku, kur e mëson derën, nuk ndalet më.” Kjo shprehje u bë proverb dhe përdoret në popull për të treguar se, kur armiku e mëson rrugën, ose kur rreziku lihet njëherë të hyjë, pastaj është shumë më vështirë ta ndalosh.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".