
Lexoni edhe:
Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të konstituohet për shkak të mospajtimeve të thella politike
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Rasti i vdekjes në duart e Policisë së Shtetit është një rast tepër specifik i ndodhur në Kosovë. Rasti i vdekjes së Agon Zejnullahut ndryshon tërësisht nga mbytja e studentit Astrit Dehari, e cila ndodhi në një birucë, në vetminë e burgut të Prizrenit. Sepse u bë pa kamera, madje në rrethana misterioze vdiqën edhe dy bashkëvuajtësit e Astritit, njëri pas tjetrit. Astriti rrethohej nga besnikët SHIK-as të Kadri Veselit, përfshirë edhe një ish-komandant policie, i njohur për krimet në Burgun e Kleçkës, i liruar në mënyrë korruptive nga shefat e PDK-së. Dhe, mbi të gjitha, Instituti i Specializuar Mjeko-Ligjor Zviceran përjashtoi çdo mundësi të vetëvrasjes së Astritit. Ashtu siç ishte jashtë çdo logjike vetëvrasja me, të paktën, 12 thika “ngulë vetes” të Dino Hasanajt.
-Gojëkëqijtë, mediat, opozita, e politizuan vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu ende pa e dhënë versionin organet kompetente, duke kërkuar hiç më pak se dorëheqjen e Drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, e deri edhe kryeministrit, Albin Kurti! "Shteti që e vrau një djalë të paarmatosur", – shkruajti një gazetare senzacionaliste, me fytyrë të hekurosur që nuk dallon nga një Barbi!
Qeveria e përkohshme, e kompozuar nga social-komunistët e Tiranës zyrtare, nën instruktimin e Sigurimsave të qeverisë fashizoide të Enver Hoxhës – Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj – me “komandantët” e tyre, nxituan të punësonin në TMK dhe Policinë e Kosovës anëtarët e bandave të tyre. Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, konstatonte: “Nuk ka krim ekonomik, krim vrastar politik apo krim ordiner ku të mos jenë pjesë anëtarë të TMK-së dhe të Policisë së Kosovës!” Disa syresh i largoi nga këto shërbime UNMIK-u, të tjerë përfunduan në gjyqe e burgje vendore dhe ndërkombëtare, për një çerek shekulli radhazi! Ndërsa sot, Policia është reformuar, në masë të madhe, me ripërtëritje të vazhdueshme.
Specialistët e mjekësisë ligjore, sjelljet unike të Agon Zejnullahut, shkathtësia dhe energjia reaguese e tij gjatë përpjekjes së Policisë për ta arrestuar, përjashtojnë dehjen nga alkooli, duke ngritur dyshime për përdorimin e substancave të tjera të forta, ekzaltuese. Ende pa u bërë obduksioni, përdorimi i togfjalëshit “vrasje shtetërore” është jo adekuat dhe tërësisht tendencioz, sepse rasti nuk ka asnjë motiv politik – siç kishte në rastin e Dino Hasanajt, për të zhdukur gjurmët e makro-hajnive zyrtare, apo të Astrit Deharit, për ta shantazhuar dhe frikësuar, duke përgatitur terrenin për shpalljen e LVV-së si organizatë terroriste.
Edhe pse Policia e Kosovës vlerësohet si një nga më demokratiket në rajon dhe më tej në Evropë, pamjet e fiksuara në video, gjatë neutralizimit të Agonit, nuk kanë qenë profesionale. Angazhimet e kushtëzuara nga provokimet në veriun e Kosovës, ngutia në trajnime, duke i reduktuar në kohë trajnimet e Policisë, janë larg përgatitjes së shkollës klasike të Policisë në Vushtrri. Dhe cikli kohor trajnues duhet korrigjuar.
I vetmi rast dyshues që mbetet për t’u përcaktuar është nëse gjuri i njërit prej policëve ishte vendosur në krah apo në qafë të Agonit, edhe pse ishte për më pak se një minutë – krahasuar me ngufatjen e afrikano-amerikanit në SHBA, ku gjuri i policit u mbajt në qafën e tij për 9 minuta. Specialistët që kanë analizuar skenën policore në videon përkatëse thonë se nuk bëhet fjalë për ngufatje. Ndërkohë, specialistët mjekësorë, bazuar në stresimin enorm nën ndikimin e ndonjë substance toksike, përmendin mundësinë e shkaktimit të gjakderdhjeve të mëposhtme:
1. Gjakderdhje cerebrale;
2. Gjakderdhje pulmonare;
3. Gjakderdhje kardiake.
Andaj është domosdoshmëri të pritet përfundimi i analizës mjeko-ligjore, respektivisht obduksionit, për të përcaktuar se çfarë realisht i shkaktoi vdekjen Agon Zejnullahut.
Megjithatë, sido që të rezultojë shkaku i vdekjes së Agonit, përgjegjësia në rastin konkret është personale. Tejkalimi i kompetencave në përdorimin e forcës, vartësisht nga rrethanat, është penalizues, i ndëshkueshëm. Por, gjithsesi, cilësimi si “vrasje nga pakujdesia” është një masë lehtësuese. Andaj, me një seri provash pozitive të dhëna nga Policia e Kosovës, assesi rastet e shkëputura, të veçanta, nuk mund ta minojnë besimin publik ndaj Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, Policia e Kosovës dhe Sistemi i Drejtësisë, edhe pse kanë lidhshmëri në mbrojtje të rendit dhe ligjit, megjithatë janë struktura të ndara, të veçanta. Sistemin e Drejtësisë në Kosovë, pas çlirimit, e kanë rrënuar uzurpuesit e dhunshëm të pushtetit, me dajak e gjak, përmes maltretimeve dhe vrasjeve politike, me qëllim të arritjes dhe mbajtjes së pushtetit me dhunë – ashtu siç veproi Enver Hoxha me byroistët e tij kriminelë, i cili fashistizoi Shqipërinë londineze për afro gjysmë shekulli.
Disa “komandantë” kriminelë, të instruktuar nga banda e Sigurimsave të ish-pushtetit monist-hoxhist, krahas krimeve torturuese dhe vrastare të kundërshtarëve politikë, rrënuan edhe Sistemin e Drejtësisë, duke kapur Prokurorinë dhe Gjykatat – të cilat nuk i kanë lëshuar “as sot e kësaj dite”, edhe pse, tashmë, janë në opozitë. Prandaj, në asnjë rast apo moment nuk duhet ngatërruar Policinë e Kosovës me Sistemin e Drejtësisë, i kapur nga PAN-i kriminal.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"