Pse nuk nuk revoltohen më kosovarët?

Pse nuk nuk revoltohen më kosovarët?
Pse nuk nuk revoltohen më kosovarët?

Fadil Maloku

  • 24 July 2025 - 15:27

Nga Fadil Maloku

Hyrje

Në dekadat e fundit, shoqëria kosovare ka përjetuar një sërë transformimesh politike, ekonomike dhe kulturore, të cilat, në vend se të “prodhonin” një emancipim të përgjithshëm qytetar, duket se ka gjeneruar një regres theksuar dhe shumë i çuditshëm në ndërgjegjen e saj kolektive! Duket që indiferenca, apatia e madje edhe neglizhenca e qytetarëve për të adresuar pakënaqësitë e tyre elwmentare ndaj problemeve sociale dhe politike është bërë një fenomen i dukshëm e madje do shtoja edhe alarmues! Ky fenomen nuk mund të kuptohet vetëm në mënyrë sipërfaqësore dhe vetëm me interpretime politike e mediatike, por kërkon një analizë më të thelluar përmes paradigmave të sociologjisë së njohjes. Në këtë ese, do provoj të shqyrtoj përmes shtatë paradigmave kryesore arsyet e kësaj apatie e “lodhjeje” të çuditshme (kur dihet se sa të zhurmshëm e sa senzibilues ishin demonstrimet civilizuese, të para luftës!) të mosangazhimit qytetar në Kosovë.

1. Sindroma e zhgënjimit të përsëritur (learned helplessness)

Paradigma e parë ndërlidhet me konceptin psikologjik të learned helplessness, që në fushën e sociologjisë interpretohet si një gjendje e braktisjes së shpresës kolektive për ndryshimiin e statuseve politike e ekonomike. Qytetarët kosovarë, duke qenë të ekspozuar për një periudhë të gjatë ndaj premtimeve të pambajtura—veçanërisht ato që lidhen me luftimin e korrupsionit sistemik dhe mbylljen e tranzicionit politik—kanë zhvilluar një ndjenjë të thellë mosbesimi. Ku për pasojë, çdo synim e përpjekje për të ndryshuar status quo-n, në “sytë” e tyre është duke u perceptuar gjithnjë e më shumë si e kotë. Duke e krahasuar këte lloj “kotësie” me mitin e Sizifit, ku përpjekja kthehet në gjithnjë në absurditet, fitohet përshtypja se qytetaria kosovare nuk është në “binarët” e një shoqërie dinamike, por, të një shoqërie të stërlodhur, të stërngarkuar, e madje edhe tejet të frustruar!

2. Konsumimi i kapitalit shoqëror (The Depletion of Social Capital)

Paradigma e dytë flet për konsumimin e kapitalit shoqëror, koncept ky i zhvilluar nga Putnam dhe autorë të tjerë, që nënkupton dobësimin e lidhjeve horizontale ndërmjet qytetarëve. Në shoqërinë kosovare, pas luftës ka ndodhur një “shkurorëzim” i shpejtë dhe i pavetëdijshëm nga ndjenjat e solidaritetit të njohur hishtorikisht

komunitar dhe familjar. Kjo ka çuar në një atomizim social, ku qytetarët janë bërë më indiferentë dhe më pak të prirur për të reaguar ndaj padrejtësive dhe deformiteteve individuale e kolektive.

3. Fragmentimi identitar dhe mungesa e solidaritetit klasor (Identity Fragmentation and the Absence of Class Solidarity)

Paradigma e tretë lidhet me fragmentimin identitar dhe dobësimin apo zbehjen e ndjenjës së përkatësisë kolektive. Ku në mungesë të një vetëdije të formuar e normuar klasore apo komunitare, qytetarët nuk mobilizohen për të mbrojtur interesa të përbashkëta si drejtësia sociale apo siguria e tyre kolektive. Në këto rrethana, ndjenja “NE” (kolektiviteti) po shndërrohet ngadal por sigurt në sintagmën e “UNË”-s së frikësuar (individualizmit). Ndjenjë, kjo e cila simbolizon një shoqëri të tërhequr dhe të shpërndarë.

4. Normalizimi i anomisë (The Normalization of Anomie)

Sociologu Émile Durkheim e ka përshkruar këtë gjendje si anomi — pra, një çrregullim i thellë i normave sociale. Në Kosovë, anomia është kthyer në standard. Korrupsioni, krimi dhe sjelljet devijante janë institucionalizuar, duke u pranuar gjerësisht si pjesë e zakonshme e jetës publike. Kjo situatë ka prodhuar një dorëzim kolektiv, ku padrejtësitë më nuk provokojnë revoltë, por vetëm përshtatje pasive dhe akomodim me gjendjen e krijuar nga elitat e dështuara (për të mos thënë edhe të kriminalizuara!) ekonomike e politike

5. Kolonializmi administrativ dhe delegimi i përgjegjësisë(Administrative Colonialism and the Delegation of Responsibility)

Paradigma e pestë analizon ndikimin e administratave ndërkombëtare (UNMIK, EULEX, KFOR) në strukturën e ndërgjegjes qytetare kosovare. Në vend që të fuqizonin qytetarin, këto struktura të hueja e kanë zvogëluar dukshëm ndjenjën e përgjegjësisë kolektive. Të gjitha përgjegjësitë për zhvillimet socio-politike janë deleguar jashtë vetes—në organizata ndërkombëtare dhe ambasada—duke prodhuar një qytetar pasiv dhe të përjashtuar nga jeta publike. Gjë që lë për të dyshuar për rolinn tyre faktik në instalimin e vlerave dhe normave demokratike ne shoqërinë e dalur nga lufta.

6. Kultura e heshtjes kolektive(The Culture of Collective Silence)

Kjo paradigmë përkufizon një fenomen të përhapur në shoqëritë me mungesë të edukimit kritik: kultura e heshtjes. Kur mungon emancipimi qytetar, padrejtësitë tolerohen dhe mbështeten heshturazi. Qytetarët, të paaftë për të artikuluar kritika apo për të ndërtuar alternativa, i përshtaten në vazhdimësintë çuditshme jsistemit përmes servilizmit, nepotizmit ose konformizmit ekstrem. Debati publik për këto dukuri e sjellje deviante, ose kalon në “duart” e opinionistëve mediokër, ose shuhet tërësisht! Ndërkaq, heshtja bëhet normë dhe standard mburrës për pjesën akademike dhe ate intelektuale;

7. Individualizmi i theksuar dhe ikja nga sfera publike (Hyper-Individualism and the Withdrawal from the Public Sphere) 

Paradigma e fundit ka të bëjë me individualizmin e theksuar, që në kontekstin kosovar nuk është shprehje e emancipimit, por e tërheqjes nga përgjegjësia kolektive. Gjeneratat e reja, të magjepsura nga modeli perëndimor i suksesit personal, ndjekin “ëndrrën e tyre” përmes emigrimit, punësimit në sektorin publik apo mbylljes në sferën private. Ky individualizëm nuk është progresiv, por më shumë simptomë e zhgënjimit dhe traumës së pashëruar që e “mbollën” dhe e ndoqën kryesisht politikanët e magjepsur pas gllabërimit të pasurisë shtetërore! Duke e shndërruar vetën e tyre me automatizëm në “kapitalist” dhe pronar të rinjë të begative të vendit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".