DEPUTETËT HIPOKRITË E DOGJËN VOTËN DHE MUNDIN E POPULLIT!

DEPUTETËT HIPOKRITË E DOGJËN VOTËN DHE MUNDIN E POPULLIT!
DEPUTETËT HIPOKRITË E DOGJËN VOTËN DHE MUNDIN E POPULLIT!

Ismail Muçiqi

  • 28 July 2025 - 11:43

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi.

54 herë e maltretuan popullin e Kosovës këta deputetë, të cilët do të mbahen mend për dëmin që i shkaktuan Republikës së Kosovës për interesa të ngushta karrieriste. 54 herë i sollën stres dhe zhgënjim qytetarëve përmes lajmeve sensacionale dhe seancave improvizuese, që më së paku i ngjanin një institucioni serioz të një shteti normal. Demagogjia përmes mashtrimeve, duke u thirrur në mënyrë të përsëritur tek fraza boshe “Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës”, u bë simboli më i madh i hipokrizisë që është parë ndonjëherë në skenën politike. Kjo plejadë deputetësh tregoi qartë se gjithçka që ndodhi rreth (mos)konstituimit të Kuvendit të Kosovës nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje personale për të mbetur në pushtet, për të siguruar ndonjë post apo përfitim familjar – dhe aspak për interesin e vendit. Kjo gjeneratë e të ashtuquajturve “deputetë” dëshmoi se është produkt aksidental i listave të partive të korruptuara dhe të konsumuara, të cilat janë bërë simbol i sherrit dhe neverisë për qytetarët e këtij vendi. 54 herë para syve të opinionit u pa qartë se sa shumë është degraduar politika në Kosovë dhe në çfarë niveli ka rënë vetëdija politike e përfaqësuesve tanë, të cilët e dogjën dhe e keqpërdorën votën e popullit.

Çfarë pamë në 54 seancat e Parlamentit?


Pamë se këta deputetë nuk kanë aspak përgjegjësi ndaj institucionit të shtetit. Asnjë nga këto 54 seanca të dështuara nuk e nisi punën në kohë dhe në mënyrë të rregullt. Deputetët kalkulantë, që u rreshtuan pas liderëve të partive, zbuluan fytyrën e vërtetë: janë të padenjë, pa kulturë arsimore, pa përgatitje profesionale, shkencore, politike e njerëzore. Me një fjalë, këta janë produkt i sistemit të dështuar arsimor pas luftës, që ka shkatërruar pothuajse çdo vlerë njerëzore dhe morale. Shoqëria kosovare përballet sot me një krizë të thellë në formimin dhe zhvillimin e identitetit intelektual, njerëzor dhe politik – krizë që ka filluar menjëherë pas luftës dhe që, përmes institucioneve të dështuara, ka rrënuar vlerat tradicionale e historike të popullit tonë. Po të ekzistonte një gjykim i drejtë dhe i përgjegjshëm për të dalë nga kjo krizë, këta deputetë që dështuan 54 herë radhazi nuk do duhej të ishin më kurrë në listat për zgjedhjet parlamentare. Ajo që kemi parë për ditë, javë e muaj me radhë nuk mund të riparohet lehtë. Urrejtja dhe ndarjet në skenën politike kanë marrë përmasa shqetësuese dhe patologjike. Më thotë mendja se zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund këtij kaosi është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me kandidatë të rinj, me integritet dhe përkushtim të vërtetë për ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë e thellë institucionale dhe morale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".