
Të jesh në pushtet nuk do të thotë të sundosh


Zef Prenka
Nga Zef Prenka
Kryeministër në “ detyrë” z. Albin Kurti, është koha të pranosh realitetin politik: qytetarët po të thonë qartë se nuk i ke përmbushur pritshmëritë. Gjashtë vite në pushtet nuk janë pak – dhe askush s’të pengoi, s’të sulmoi, e s’të pengoi ta realizosh atë që premtove dikur me zë të lartë e me grushtin lart. Por çfarë solli kjo qeverisje? Më shumë kriza, më shumë polarizim, më shumë populizëm, më pak zhvillim dhe përfaqësim serioz të shtetit në skenën ndërkombëtare.
Qeverisja jote, që dikur u paraqit si “shpresë”, tani është kthyer në një zhgënjim të madh për qytetarët. Shumë më e centralizuar, më e mbyllur ndaj kritikës, dhe më e angazhuar në armiqësimin e institucioneve sesa në ndërtimin e tyre. Je kthyer në atë që dikur e kritikoje – një pushtet i papërgjegjshëm që nuk dëgjon askënd përveç vetes.
Është koha të lësh pushtetin, por jo duke dhunuar institucionet dhe duke krijuar histeri politike. Sepse demokracia nuk është pronë personale – dhe as Kuvendi, as Qeveria, nuk janë “bahçe e babës”. Shko në opozitë me dinjitet, nëse e ke humbur kontrollin për qeverisje të mirë, dhe dëshmo se je vërtet demokrat, jo vetëm në fjalë, por në vepra. Shqiptarët nuk kanë më nevojë për viktima politike, por për liderë që dinë të qeverisin e po ashtu edhe të tërhiqen kur koha dhe votuesi i thërret.
-Opozitën nuk i ke armiq, mos u tremb prej tyre.
Mos u tremb pse opozita nuk të lejon të viktimizohesh si në mandatin e kaluar. Jo, jo, s’je më viktimë , në fakt s’ke qenë kurrë– por je kthyer në një aktor që po e viktimizon shtetin, po e dëmton të ardhmen e tij, vetëm për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht. Ambicia për të kontrolluar gjithçka – nga drejtësia deri te mediat, nga administrata deri te vetë parlamenti e prej aty deri te Presidenca – nuk është më idealizëm, por shfaqje klasike e një mini-diktature në ndërtim.
Lëri broçkullat politike, sepse askush nuk i ha më. Madje, edhe adoleshentët janë vetëdijësuar që shtetin po e drejton një dështak – një njeri që nuk ofron zgjidhje, por prodhon kriza. Në ekonomi ke krijuar iluzione pa përmbajtje, në arsim ke katandisur sistemin në mjegull konfuzioni, në shëndetësi ke bërë vetëm premtime të dështuara, ndërsa diplomacia është kthyer në arenë për fjalime patetike, por pa rezultate konkrete.
Të jesh në pushtet nuk do të thotë të sundosh. Demokracia kërkon përgjegjësi, transparencë dhe dialog – jo inat, injorim të opozitës dhe manipulim të popullit. Nëse nuk je i gatshëm t’i shërbesh vendit me përulësi, atëherë largohu me dinjitet dhe le të flasë vota e lirë e qytetarit, jo propaganda e shpërlarë në rrjete sociale. Shteti nuk është lodër për ta mbajtur në dorë si trofe partie – është amanet i përbashkët. Dhe kur ai dështon, fajin nuk e kanë më të tjerët. E ka ai që është në krye. Dhe ti je tashmë i dështuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".