Kosova përballë pragmatizmit të Donald Trump

Kosova përballë pragmatizmit të Donald Trump
Kosova përballë pragmatizmit të Donald Trump

Fadil Maloku

  • 06 August 2025 - 14:34

Shkruan: Fadil Maloku

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, znj. Anu Prattipati, ka dhënë sot një intervistë e cila, nëse analizohet nën “llupën” e sociologjisë së njohjes, na lejon të kuptojmë mes rreshtave – me saktësi milimetrike – jo vetëm porosinë e saj, por edhe interesat, qëllimin dhe “detyrat e shtëpisë” që e presin Kosovën në vorbullën e zhvillimeve tejet dinamike – jo vetëm në planin global, por edhe në atë kontinental e rajonal.

I.

Para së gjithash, le të ndalemi te deklarata e saj, e cila, sipas mendimit tim, përveçse është e pakompromis, është gjithashtu shumë e shëndetshme për elitat politike, institucionet dhe segmentet përgjegjëse në Kosovë, sepse përfaqëson një qasje tipike “ala Trump” – e drejtpërdrejtë, pa ekuivoke dhe me mesazhe të qarta. Kjo diplomate, e cila prej kohësh nuk kishte dhënë ndonjë prononcim kaq domethënës, megjithëse shumëkush kishte pritur që, si “banore e Dragodanit” – bazuar në përvojat e mëparshme diplomatike amerikane në Prishtinë – do ta zgjidhte “nyjën e ngërçit” me një “teh shpate” (ngërç që unë e kam identifikuar qartë si paralizë të sistemit politik), përfshin në këtë deklaratë edhe çështjet e aferave të brendshme, dialogun me Serbinë, si dhe sanksionet që Bashkimi Evropian ia ka vendosur Kosovës.

II.

Cili është mesazhi obligativ i kësaj deklarate?

Ajo deklaroj:

“Administrata Trump kërkon aleatë të fortë. Nuk mund të mbështetemi te një vend pa institucione. Ngërçin duhet ta zgjidhin vetë liderët.”

Kjo fjali, përveçse ka vlerë të qartë politike, përçon edhe një konstatim të prerë sociologjik mbi realitetin strukturor dhe institucional të Kosovës. Për të kuptuar thelbin e saj, duhet t’u referohemi teoricienëve të sociologjisë politike – nga Max Weber deri te Samuel Huntington (i njohur për përfshirjen në administratën Clinton) – të cilët theksojnë se funksionimi i institucioneve legale dhe demokratike është kusht themelor për legjitimitetin dhe stabilitetin e një shteti denokratik. Në këtë kontekst kur një diplomat/e i administratës amerikane shpreh publikisht mosbesim ndaj institucioneve të Kosovës, sipas logjikës weberiane, kjo do të thotë se Kosova si shtet ende nuk e ka përmbyllur rrugën e vet drejt konsolidimit si entitet shtetëror funksional. Dhe si i tillë, i papërfunduar, ai ka nevojë jo vetëm për këshilla dhe rekomandime, por për një monopol efektiv mbi vendimmarrjen dhe zbatimin e ligjit në vend.

Insistimi i hapur i diplomates amerikane që “ngërçin ta zgjidhin vetë liderët” është, për mendimin tim, një “karton i kuq” e ndër më seriozët që i është bërë ndonjëherë ndaj elitave politike kosovare. Kjo deklaratë, de facto e de jure; përbën një ultimatum të heshtur, që buron nga paraliza institucionale, e cila jo vetëm që ka prodhuar mosbesim social brenda vendit, por po minon gjithashtu sigurinë dhe stabilitetin strategjik në rajon – pikërisht në një kohë kur po ndodhin rishpërndarje të mëdha të interesave gjeopolitike globale, ku edhe Ballkani është pjesë e tryezës së kalkulimeve të mundshme.

III.

Për një sociolog të njohjes, sfera politike nuk është vetëm një betejë për pushtet dhe ndikim, por edhe një arenë ku interesat personale, klanore dhe ideologjike shpesh mbizotërojnë e mbivendosen mbi interesin shtetëror dhe kombëtar. Në këtë kontekst, paraliza aktuale në skenën politike të Kosovës nuk është më vetëm një problem formal teknik apo kushtetues, por është shndërruar në një shprehje e mungesës së konsensusit dhe vullnetit real për shtetformim. Më shqetësuesja për ata që vazhdojnë të spekulojnë me “kartën e sovranitetit” – qoftë për zgjerimin e kontrollit në veri, ushtrimin e autoritetit të sigurisë apo menaxhimin e pasurive strategjike – është porosia e heshtur e diplomates Prattipati: partneriteti me administratën Trump nuk është më i pakusht, por do kushtëzohet me lojalitet institucional dhe me besueshmëri të vazhdueshme nga çdo qeveri që do e udhëheq Kosovën në të ardhmen. Kjo nënkupton se shtetet periferike – si Kosova – janë më shumë përfituese sesa kontribuese në aleancat ndërkombëtare, dhe si të tilla, shpesh mbeten të margjinalizuara në vendimmarrjet globale, të kufizuara në ndikim, pavarësisht aleancave të deklaruara politike me Perëndimin.

Përfundim;

Deklarata e znj. Anu Prattipati nuk është thjesht një qëndrim diplomatik amerikan, por është një reflektim i thellë sociologjik mbi deficitet institucionale dhe krizën e përfaqësimit politik në Kosovë. Ajo sinjalizon fillet e një ndryshimi paradigmatik në raportet e mbështetjes ndërkombëtare: ku besueshmëria pragmatike po bëhet më e rëndësishme se sa norma morale. Elitat politike, jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet shqiptare, duhet ta kuptojnë këtë ndryshim të kursit amerikan me seriozitetin më të madh. Përndryshe, do të mbeten përherë në periferi të historisë dhe vendimmarrjes globale, ndërkohë që qytetarët do të jetojnë ende në një shtet të papërfunduar dhe në një demokraci të bllokuar dhe të injoruar…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".