Moskonstituimi i Kuvendit është një paradoks i paparë

Moskonstituimi i Kuvendit është një paradoks i paparë
Moskonstituimi i Kuvendit është një paradoks i paparë

Eshref Ymeri

  • 08 August 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Prof.dr Eshref Ymeri

Moskonstituimi i Kuvendit pas një maratone të paimagjinueshme diskutimesh të deputetëve për zgjedhjen e Kryetarit është një paradoks i paparë ndonjëherë në asnjë vend të botës. Një paradoks i tillë të bën të shtrosh pyetjen se në ç’nivel ndodhet shoqëria civile në Republikën e Dardanisë.

 

-Dihet që shoqëria civile është një tërësi qytetarësh që nuk janë afër levave të pushtetit shtetëror. Ajo është një tërësi marrëdhëniesh shoqërore jashtë kornizave të strukturave pushtetore dhe tregtare, është sfera e vetiniciativës së qytetarëve të lirë dhe të asociacioneve, jashtë ndikimeve të pushtetit shtetëror. Një shoqëri civile e zhvilluar është një premisë shumë e rëndësishme për ndërtimin e një shteti juridik dhe një partnere me të drejta të barabarta me të. Në bazë të skemës së politologut amerikan David Iston (1917-2014), shoqëria civile shfaqet si filtër i kërkesave dhe i mbështetjes së qytetarëve në sistemin politik.

Gjykuar nga sa më sipër, rezulton se në Republikën e Dardanisë ekziston një shoqëri civile tejet e dobët, për të mos thënë që nuk ekziston fare. Për pasojë, kemi heshtjen tërësore të opinionit publik para paradoksit të moskonstituimit të Kuvendit, i cili ka më shumë se pesë muaj që është krejtësisht i paralizuar. Konstituimin e Kuvendit e ka penguar dhe vazhdon ta pengojë qëllimisht opozita tradhtare thaçiste, e cila është në aleancë të fshehtë me Serbinë fashiste. Kjo do të thotë se këtë opozitë tradhtare e komandon që nga qelia e Hagës kryetradhtari Thaçi, i cili, faktikisht, vazhdon ta ketë nën kontroll situatën politike, duke sfiduar haptazi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryesisht Kryeministrin Albin Kurti.

Kjo krizë politike pesëmujore ka nxjerrë në pah parazitizmin e deputetëve të Kuvendit, të cilët kanë shpërfillur tërësisht interesat e qytetarëve, duke vazhduar të marrin rroga të majme. Pra, partive politike u ka interesuar pushteti dhe aspak përfaqësimi qytetar.

Gjykata Kushtetuese, në realitet, është shndërruar në arbitër të krizave politike, çka është e papranueshme në kushtet e pluralizmit politik, sepse është Kuvendi ai që duhet të administrojë shtetin juridik.

Kritikat në adresë të Kryeministrit Albin Kurti, se pse nuk u tërhoq nga kandidatura e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, nuk qëndrojnë. Kjo për arsye se, edhe sikur Kryeministri të kishte propozuar një tjetër kandidaturë, opozita tradhtare thaçiste përsëri do të votonte kundër, sepse asaj nuk i intereson absolutisht konstituimi i Kuvendit. Asaj i intereson vetëm vazhdimi i krizës politike, që çon ujë në mullirin e Serbisë fashiste, e cila fërkon duar para opinionit ndërkombëtar me pretendimin se shqiptarët nuk janë të aftë të ndërtojnë një shtet juridik.

Pas 08 gushtit duhet kaluar në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhej të ishin zhvilluar menjëherë pas 2-3 dështimeve të konstituimit të Kuvendit. Sepse vazhdimi i kësaj krize politike skandaloze, të bën ta kthesh kokën prapa dhe të kujtosh atë artikullin e famshëm të gazetës “The New York Times” të datës 21 maj 1911, me titull “Shqiptarët, raca më e shkëlqyer në Europë…”, në të cilin shkruhej se shqiptarët “s’mund të rrokin ende idenë e shtetit”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".