Fatin e shtetit e kanë marrë në dorë gjenerata pa edukatë

Fatin e shtetit e kanë marrë në dorë gjenerata pa edukatë
Fatin e shtetit e kanë marrë në dorë gjenerata pa edukatë

Ismail Muçiqi

  • 08 August 2025 - 11:53

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi

Shoqëria Kosovare, që nga paslufta, po përballet me sfida të shumta në aspektin kulturor, politik dhe shoqëror. Fatin e shtetit e kanë marrë në dorë gjenerata pa edukatë, pa kulturë, pa arsimim – e lëre më të kenë ideale për shtetin dhe kombin. Që nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes, përmes ekspoziturave të ashtuquajtura media – të cilat shpesh janë pronë e mafisë së biznesit – qytetarët maltretohen me të ashtuquajtura “debate politike”, të cilat janë shndërruar në mollë sherri. Këto debate nuk përçajnë vetëm skenën politike, por godasin drejtpërdrejt edhe qetësinë, harmoninë dhe unitetin e popullit. Gjuha e komunikimit të kësaj plejade të vetëshpallur analistësh, opinionistësh apo pseudointelektualësh, përngjan me një strukturë primitive, e cila i ka sjellë vetëm dëme të pariparueshme shoqërive që e kanë përjetuar këtë fenomen. Jemi në një udhëkryq të rrezikshëm, por nuk jemi të vetëdijshëm. Na kanë kapluar etjet e pangopura për pasurim, për përfitim me çdo kusht, pa zgjedhur rrugë apo norma civilizuese.

Kjo klasë e pseudointelektualëve po e tregon fytyrën e vet të vërtetë përditë e më shumë – si një shtresë e paedukuar dhe e paarsimuar, që nuk respekton as prindin, as mësuesin, e as përfaqësuesin më të lartë të shtetit. Gjuha fyese, denigruese dhe akuzuese shpërthen përmes ekraneve televizive, ku pseudoanalistë të vetëshpallur nuk hezitojnë të sulmojnë as Presidenten, duke mos kursyer askënd – as individë, as institucione – vetëm për të krijuar sa më shumë kaos në shoqëri. Çfarë klase politike apo intelektuale është kjo, që urrejtjen, përçarjen dhe shpifjet i ka kthyer në kauzë të përditshme politike? Sot, për shkak të dështimeve tona kolektive dhe degradimit të sistemit arsimor, është vështirë të dallosh kush është intelektual me vlera, politikan me karrierë të dëshmuar apo ndërmarrës që kontribuon në zhvillimin e shtetit. Të gjithë merren me politikë – nga bariu në fshatin më të largët, deri te akademia dhe Bashkësia Fetare. Ky është mjerimi më i madh që mund t’i ndodhë një shoqërie: kur të paditurit marrin në duar fatin e shtetit dhe popullit, duke e rrezikuar të ardhmen e vendit. Askush nuk është mirënjohës ndaj brezave të kaluar, ndaj njerëzve që dhanë gjithçka për Kosovën gjatë veprimtarisë së tyre. Përkundrazi – kjo plejadë që sot mban timonin (pa "patentë shoferi") nuk ka as idenë më të vogël se nga duhet të shkojë vendi. Gjeneratat e pasluftës, me vetëdije apo pa të, menduan se historia e Kosovës fillon prej tyre. Ata braktisën – me xhelozi dhe injorancë – idetë dhe përpjekjet e atyre që mendonin ndryshe, por që e donin sinqerisht të mirën e këtij vendi. Në fund, patjetër duhet kërkuar diagnozën e kësaj gjendjeje që e ka kapluar shoqërinë Kosovare. Përgjigjja është e qartë: **antivlerat e pasluftës, të mishëruara në njerëz me diploma pa shkollim e pa arsimim, janë ato që po e rrënojnë progresin, zhvillimin dhe unitetin e Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".