Vjen paralajmërimi: Dhuna policore në Kosovë është përshkallëzuar në masë të madhe

Vjen paralajmërimi: Dhuna policore në Kosovë është përshkallëzuar në masë të madhe
Vjen paralajmërimi: Dhuna policore në Kosovë është përshkallëzuar në masë të madhe

Qani Shabani

  • 09 August 2025 - 08:58

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, i intervistuar nga mediumi EURACTIV, ka konfirmuar një realitet tronditës: "Dhuna policore në Kosovë është përshkallëzuar në masë të madhe, me pasoja tashmë endemike." Kjo deklaratë nuk është thjesht kritikë, por një goditje direkte ndaj besimit publik dhe një thirrje alarmi për të gjithë ata që kanë ndërtuar dhe mbështetur institucionet e sigurisë në Kosovë.

 

-Është një goditje direkte ndaj besimit publik, një thirrje alarmi për të gjithë ata që kanë ndërtuar dhe mbështetur për vite. Kur vetë BE-ja, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Policisë së Kosovës, e pranon këtë realitet, atëherë çështja nuk është më vetëm shqetësim lokal është një sfidë strukturore që kërkon përgjegjësi konkrete dhe ndryshim të qasjes.

Këto fjalë godasin në zemër të narrativës mbi ndërtimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Pas miliona eurove investime dhe trajnime, Policia e Kosovës nuk perceptohet më si një trupë që ofron siguri, por gjithnjë e më shumë si një forcë që ngjall frikë tek qytetarët.

Në vend që të jetë një forcë mbrojtëse, Policia e Kosovës po shihet si strukturë që shpesh e përdor pushtetin pa kontroll të brendshëm të mjaftueshëm. Dhe në këtë pikë, Bashkimi Evropian një partner që ka investuar dhjetëra miliona euro për të ndihmuar ndërtimin e një force moderne nuk është vetëm mbështetës financiar, por edhe i zhgënjyer me mënyrën se si është keqpërdorur kjo mbështetje në praktikë.

Që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka qenë terren i mbikëqyrjes dhe ndihmës ndërkombëtare. BE-ja, përmes EULEX-it dhe fondeve të tjera, ka investuar miliona euro në polici: 3 milionë në ndihmë direkte, 1.5 milionë në trajnime, pa llogaritur fondet e tjera të integruara në sundimin e ligjit. Por kur pas gjithë kësaj, raportet për dhunë, vdekje në duart e policisë dhe mungesë të besimit publik shtohen – atëherë pyetja është: kush po e mban këtë sistem në funksion dhe mbi çfarë standardesh?

Rasti i fundit i Agon Zejnullahut –një i ri që humbi jetën pasi pesë policë u përfshinë në një ndërhyrje të dhunshme –është vetëm maja e ajsbergut. Nuk është rast i izoluar, por pjesë e një modeli që përsëritet: përdorim i tepruar i forcës, mungesë transparence, hetime të ngadalta, suspendime që ndodhin vetëm pas presionit publik dhe, më e rënda, një mungesë e zëshme reagimi nga institucionet përgjegjëse.

Në këtë kontekst, paratë e Bashkimit Evropian nuk janë më ndihmë për transformim. Ato po shoqërohen me një pritshmëri që nuk po përmbushet. EULEX-i nuk mund të pretendojë se po ndihmon në ndërtimin e shtetit ligjor nëse trajnimi që ofron nuk sjell përmirësim konkret në sjelljen institucionale. Nëse një polici i jepet trajnim për të shmangur përdorimin e dhunës, por në praktikë ai abuzon me qytetarët dhe nuk përballet me pasoja, atëherë problemi nuk është vetëm te polici, por te mungesa e mekanizmave të fuqishëm të përgjegjësisë.

Në çdo demokraci funksionale, një deklaratë e tillë nga një zyrtar i BE-së (“dhuna është endemike”) do të pasohej me analiza të pavarura, rishikime të politikave dhe transparencë institucionale. Në Kosovë, ajo kalon shpesh pa reflektim të thelluar, pa kërkesë llogaridhënieje dhe pa debat publik të mirëfilltë.

Përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet e Kosovës Ministrinë e Punëve të Brendshme, Qeverinë dhe Policinë të cilat duhet të përmbushin detyrën e tyre për kontroll, mbikëqyrje dhe mbrojtje të të drejtave të qytetarëve. Kur frika zëvendëson ndjenjën e sigurisë, nuk kemi më rend publik, por tension social. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian duhet të kërkojë transparencë dhe përgjegjësi për çdo ndihmë të dhënë dhe të vendosë kritere të matshme për secilin rast abuzimi, duke mos u kufizuar vetëm në deklarata.

Dhe le të jemi të qartë: ndëshkimi individual i disa policëve nuk është reformë. Pa ndryshime strukturore, dhuna do të vazhdojë të perceptohet si një mjet brenda sistemit, jo si shkelje e papranueshme.

Sot Kosova ka nevojë për një qasje të re: për vullnet politik që e sheh rendin publik si të lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut; për mbikëqyrje të fuqishme civile ndaj institucioneve të sigurisë; dhe për një partneritet më kërkues nga BE-ja, që mbështet, por edhe mban përgjegjës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".