
Tri detyra të qeverisë dhe përgjegjësitë e opozitës e qytetarëve


Zef Prenka
Nga: Zef Prenka
Në një shtet demokratik si Republika e Kosovës, qeverisja nuk është thjesht një mandat politik, por një përgjegjësi historike dhe morale ndaj popullit. Kushdo që merr në dorë drejtimin e shtetit ka tri detyra themelore dhe të patjetërsueshme:
E para, të ua bëjë jetën më të lehtë qytetarëve – jo më të shtrenjtë, jo më të pasigurt, jo më të papërballueshme. Kjo do të thotë kontroll të çmimeve, ndihmë sociale të drejtë, transparencë në çdo transaksion publik dhe luftë të pandalshme kundër keqpërdorimit të parasë së qytetarëve.
E dyta, të ndërtojë dhe ruajë marrëdhënie të sinqerta, miqësore dhe të besueshme me aleatët tanë në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse pavarësia dhe liria jonë nuk kanë ardhur pa miq dhe nuk do të ruhen pa to.
E treta, të ndërtojë raporte të thella me Shqipërinë, të bazuara në vëllazëri e respekt të ndërsjellë, përtej partive, përtej dallimeve ideologjike. Shqipëria është më shumë se gjysma e jonë, e kombit shqiptarë dhe ajo duhet ta gëzojë autoritetin, besimin dhe ndërgjegjen, pa marrë parasyshë se kush qeverisë- jemi një popull të përvuajtur mes dy diktaturave: Shqipëria e shëmtuar nga diktatura Enveriste dhe Kosova e dërrmuar në baza nacionale nga politika serbosllave, ani ose Tito, krijoj njëfarë “ Vetqeverisje”…
Shteti kërkon kohezion – bashkëpunim institucional, vullnet të përbashkët dhe përgjegjësi të ndarë në çdo kohë, jo vetëm në kohë zgjedhjesh.
Nga ana tjetër,
populli -ka një detyrë po aq të madhe: ta dojë shtetin, dhe duke e dashur vërtet – të mos e keqtrajtojë. Të mos e abuzojë me lirinë, të mos e përdorë shtetin për hakmarrje politike apo përfitime personale. Kombi nuk jetohet vetëm me flamur dhe himn, por me përgjegjësi qytetare të përditshme.
Opozita, -nga ana e saj, duhet të dalë nga retorika e vjetër e bllokadës dhe akuzës së thatë. Ajo duhet të konkurrojë me ide dhe projekte konkrete, të ofrojë kushte më të mira për jetesë dhe të mos bëhet pjesë e politikave që largojnë njerëzit nga shpresa dhe vendi i tyre.
Media, -si gardiane e lirisë dhe e së vërtetës, duhet ta ngrejë këtë debat në nivel kombëtar. Të mos jetë megafon i qeverisë apo i opozitës, por tribunë e popullit dhe reflektore mbi secilën padrejtësi. Koha kërkon përgjegjësi, jo shfaqje.
Sepse Kosova nuk ka as kohën as luksin për t’a humbur përparimin, duke u marrur me mosmarrëveshje të kota. Ka përpara një betejë për dinjitet, zhvillim dhe drejtësi. Dhe kjo betejë fitohet vetëm kur të gjithë – qeveri, opozitë, popull e media – e ndjejnë shtetin si shtëpinë e tyre të përbashkët.
Mjerisht qeverisë në detyrë i mungojnë të gjitha, përpos retorikës boshe dhe konspiracioniste.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".