E zbulon analisti: Ka zëra në opozitë që nuk duan as bashkimin e datave të zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare

E zbulon analisti: Ka zëra në opozitë që nuk duan as bashkimin e datave të zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare
E zbulon analisti: Ka zëra në opozitë që nuk duan as bashkimin e datave të zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare

Idriz Zeqiraj

  • 23 August 2025 - 09:05

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Përgjigjja prepotente, arrogante dhe deri në cinike e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e paligjshme të votimit të fshehtë pa adresuar fare pikat e tjera të renditura në ankesë – nuk sjell asnjë zgjidhje për ngërçin aktual institucional. Përkundrazi, ajo e përkeqëson situatën. Kjo është një krizë e krijuar artificialisht nga opozita, e cila pas zgjedhjeve formoi një koalicion të jashtëligjshëm, me qëllim të qartë: Bllokimin e konstituimit të Kuvendit, për të grabitur në tavolinë fitoren e Vetëvendosjes.

 

-Ky plan, i mirëmenduar dhe i koordinuar mes opozitës dhe Gjykatës Kushtetuese – një krijesë ekskluzive e PAN-it – ka tensionuar deri në skajshmëri klimën politike në vend.

Në këtë kontekst, LVV, bashkë me GUXO, Alternativa, LDK dhe partitë e vogla jo të inkriminuara – ato që nuk janë prekur nga Vetting-u dhe Byroja e Verifikimit të Pasurive të Paligjshme – duhet të bashkohen për të tejkaluar krizën dhe për të pastruar sistemin e drejtësisë, duke garantuar zbatimin korrekt të Kushtetutës. Votimi i fshehtë duhet të fitojë qytetarinë, të jetë parësor në çdo proces zgjedhor dhe parlamentar, për të ndalur revanshin e komunizmit dhe tendencat e fashistizimit të jetës politike e shoqërore.

Problemi nuk është tek Albulena Haxhiu. Ajo ka qenë një luftëtare e pakompromis për ndryshim, për largimin e kriminelëve dhe të korruptuarve nga pushteti, përmes një opozitarizmi të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm. Si femra më e votuar në Kosovë, me mbi 150 mijë vota, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla janë dy nga figurat më të shquara për demokracinë. Ato guxuan t’i japin krimit emër, dhe për këtë u goditën nga mbrojtësit e status quo-së.

Opozita e përbërë nga PDK-AAK-NISMA, e organizuar si PAN, po përpiqet të politizojë figurën e Albulenës, duke e paraqitur si “përçarëse”, dhe duke e fajësuar për bllokimin e Kuvendit. Por, kur ajo e quajti ish-kryeparlamentarin “kriminel”, nuk tha asgjë që nuk dihej: ai ishte në krye të një organizate të përfshirë në vrasje të kundërshtarëve politikë – pjesëtarë të FARK-ut, të LDK-së, të LPK-së – për të eliminuar çdo konkurrencë për pushtet. Këto janë fakte të konfirmuara nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare. Albulena nuk shpiku asgjë – ajo vetëm tha të vërtetën.

Ndërkohë, LDK-ja, veçanërisht klani i Isa Mustafës, vazhdon të qëndrojë i lidhur ngushtë me PDK-në. Ky grup po i rehabiliton kriminelët e diskredituar të PAN-it dhe tashmë funksionon si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Por kjo nuk përfaqëson shumicën e anëtarësisë së LDK-së, as elektoratin e saj, i cili është thellësisht kundër kësaj kalaveshjeje.

Për më tepër, ky bllok politik është fajtor për një barrë të madhe mbi buxhetin e Kosovës:

45,500 veteranë të rremë, që i kanë kushtuar vendit 206 milionë euro deri tani.
276 milionë euro të tjera janë harxhuar për Gjykatën Speciale në Hagë vetëm në shtatë vitet e fundit.

Dhe, ndërsa vendi po përballet me një krizë të thellë politike, Gjykata Kushtetuese, në vend që të ndihmojë në zgjidhjen e saj, vendosi të urdhërojë votimin e hapur – një vendim që përbën tallje me qytetarët dhe shkel hapur Kushtetutën. Ky vendim i papërgjegjshëm, i cili me gjasë do të refuzohet nga Kuvendi, mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja. E çuditshme është se askush nuk shqetësohet për koston financiare të zgjedhjeve dhe madje ka zëra në opozitë që nuk duan as bashkimin e datave të zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare.

Ndërkohë, politikanët dhe deputetët kanë vetëm një hall: zgjedhja e Presidentit.

Kosova është në hall me politikanët e saj – dhe kjo është një krizë që nuk zgjidhet me marrëveshje të pista, por me vullnet politik, me respekt për qytetarin dhe për Kushtetutën.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".