A po shërbehet opozita e Kosovës me modelet e fundamentalizmit fetar?

A po shërbehet opozita e Kosovës me modelet e fundamentalizmit fetar?
A po shërbehet opozita e Kosovës me modelet e fundamentalizmit fetar?

Gezim Mekuli

  • 23 August 2025 - 15:06

Fundamentalizmi si kategori politike, jo vetëm fetare.

Nga Gëzim Mekuli
/Magjistër i shkencave të mediave, komunikimit dhe retorikës/

Shkrimtari norvegjez, Torkel Brekke, në librin e tij «Fundamentalisme» e përkufizon fundamentalizmin si një reagim ndaj frikës nga moderniteti dhe pluralizmi:  «Fundamentalizmi nuk është thjesht nostalgji për të kaluarën; ai është një reagim ndaj pasigurisë për të ardhmen, një mënyrë për të ruajtur kontrollin mbi identitetin dhe rendin e vjetër».

Autori trajton këtu një pyetje themelore: çka është fundamentalizmi? Ai e përkufizon fundamentalizmin jo vetëm si një kthim i ngurtë te tekstet dhe traditat fetare, por si një mënyrë të menduari dhe vepruari që karakterizohet nga ekskluziviteti, absolutizmi dhe mohimi i çdo kompromisi. Sipas Brekke, fundamentalistët fetarë e ndërtojnë identitetin e tyre mbi idenë e posedimit të së vërtetës absolute dhe e konceptojnë tjetrin si kërcënim. Por a nuk mund të përdorim të njëjtat kategori analitike edhe në politikë? A nuk shfaqet, sot, një lloj fundamentalizmi politik edhe në ligjërimin opozitar në Kosovë?

Nëse shohim realitetin politik të Kosovës, opozita duket se ka kopjuar dhe përshtatur një logjikë të ngjashme me atë të fundamentalizmit fetar. Barrikadimi dhe cimentimi i saj total kundër Kryeministrit Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje shkon përtej kritikës normale demokratike dhe i gjason fort fundamenalistëve fetarë.

Pse mendoj kështu e pse e them këtë të nderuar lexues?
Në istikamet e opozitës nuk kemi të bëjmë më me debat racional mbi politika publike, por me një qëndrim të ngurtë që e sheh Qeverisjen Kurti si të keqen absolute. Ashtu sikurse fundamentalistët fetarë që nuk pranojnë interpretim tjetër të shkrimit të shenjtë, opozita nuk pranon asnjë shpjegim tjetër përveç asaj të vetës: që qeverisja e Kurtit është rrezik për shtetin, demokracinë dhe madje edhe për vetë egzistencën e Kosovës.

A ka fundamentalizëm politik në Kosovë? Brekke thekson se fundamentalistët, qofshin të krishterë apo muslimanë, karakterizohen nga:

1. Ngurtësia ideologjike; pra nuk pranojnë interpretime të tjera të shkrimeve të shenjta.

2. Frikë nga moderniteti/bashkëkohorja dhe shteti sekular; pra e shohin shtetin modern si kërcënim ndaj «rendit të shenjtë».

3. Demonizimi i kundërshtarit; pra çdo ndryshim shihet si rrezik për kombin, shoqërinë dhe shtetin.


Të nderuar lexues,
Në Kosovë, opozita politike shqiptare (PDK, LDK, AAK, NISMA) ka shfaqur paralelizma të qarta me sjellje të fundamentalistëve fetarë. Bllokadat e Kuvendit, pengimi i votimeve, thirrja e seancave të jashtëzakonshme për të sulmuar qeverinë dhe mediat e lidhura me opozitën që përsërisin të njëjtin ligjërim, janë shembuj të ngurtësisë ideologjike. Nuk kemi më debat demokratik, por një luftë emocionale të verbër kundër «Vetëvendosjes» dhe Albin Kurtit si person; pra sikur çdo vendim i tyre të ishte një kërcënim ekzistencial për krejt Kosovën, Shqipërinë, rajonin dhe dynjanë.


Ja si i shpjegon Brekke fundamentalistët fetarë dhe si i lexoj, dhe si i shof unë, ngjajshmërinë në mes të fundmentalistëve opozitarë të Prishtinës me ata fetarë:

«Frika nga humbja e kontrollit mbi identitetin dhe normat e vjetra krijon një logjikë absolutiste, ku kompromisi shihet si tradhti dhe kundërshtari si armik» (Brekke, 2001, fq. 42).

A nuk po mendon, vepron dhe funksionon opozita në Kosovë në mënyrë të ngjashme?
Ja disa shembuj: çdo marrëveshje ndërkombëtare, çdo reformë në drejtësi, ekonomi, çdo fitore në veri të Mitrovicës kundër insitucioneve ilegale të Beogradit, apo çdo iniciativë e qeverisë në luftë diplomatike e ushtarake kundër Serbisë së moçme, është e gabuar, është dallash vetëm e vetëm sepse vjen nga Kurti dhe «Vetëvendosja» si fituese në zgjdhjet nacionale. Dhe tjetri shembull ku mediat, aleate me opozitën, shpërndajnë të njëjtën përrallë të centralizuar dhe pa hapësirë për mendim tjetër. Bash sikurse predikuesit fundamentalistë fetarë që përsërisin një porosi/ligjërim të vetëm tek komuniteti i tyre.

Pyetja ime retorike që lind është e qartë: a nuk po shfaqet fundamentalizmi politik në Kosovë? Një logjikë që gjason me fundamentalizmin fetar, ku pluralizmi mohohet, kundërshtari demonizohet dhe çdo kompromis shihet si tradhti.

Pyes me shqetësim: a kemi fundamentalizëm në opozitën e Kosovës, ashtu siç ka në religjione? Përgjigja është e tmershme nëse nisemi nga analiza e Brekke-s për fundamentalizmin fetar.

1.     Ngurtësia: Opozita e Prishtinës nuk i qaset realitetit politik si proces i negociueshëm, por si një betejë mes së «mirës» dhe së «keqes».

2.     Demonizimi i kundërshtarit: «Albini shpiun i Serbisë», «Albini punon për Serbi»; Mu ashtu si fundamentalistët fetarë që e shohin botën përmes dualitetit «besimtar -jobesimtar», edhe opozita e Prishtinës e sheh politikën si «ne» kundër «atyre».

3.     Refuzimi i kompromisit: Në vend që të jetë faktor bashkëpunues, opozita «koqitet» (frenon, nga serbishtja) dhe pozicionohet në rolin e mohuesit absolut, duke sakrifikuar interesat e përbashkëta të popullit të Kosovës për fitime afatshkurtra politike dhe ekonomike.

Pra në Prishtinën e vockël kemi një fundamentalizëm të një mentaliteti politik katundaresk të shekullit XIX; mospranimi i pluralitetit të së vërtetës. Këtu nuk diskutohet e ardhmja e popullit dhe e shtetit, por provohett ë ruhet një e kaluar privilegjesh dhe monopoli mbi pushtetin e shtetin; pra kemi një lloj nostalgjie për të kaluarën. Ky është paralelizmi më i qartë midis fundamentalizmit fetar dhe fundamentalizmit politik të opozitës: frika, ngurtësia, nostalgjia për të kaluarën dhe absolutizmi në mendime.

Konsekuent deri në frymën e fundit: a është kjo opozitë vërtet e interesuar për demokraci, për popull, për shtet apo sall për pushtet? A është lufta e saj primitive, kafshërore e katundareske kundër Kurtit një pasqyrim i parimeve të mirëqeverisjes, apo një reagim i pakontrolluar emocional ndaj humbjes së privilegjeve të tyre ekonomike e sociale? Nostalgjia për të kaluarën?!

Të nderuar lexues,
Këto pyetje dëshmojnë se fundamentalizmi nuk është vetëm kategori fetare, por një metodë e cila mund të përshkruajë sjellje politike fundamentaliste që bllokojnë zhvillimin e jetës normale.

Krejt në fund, duke e krahasuar këtë realitet politik me analizën e Brekke-s mbi fundamentalizmin fetar, mund të argumentoj se, Kosova po përjeton një formë të fundamentalizmit politik: Një fundamentalizëm që, ndonëse nuk përdor gjuhën e shkrimeve të shenjta fetare, funksionon mbi të njëjtat parime: absolutizëm, ngurtësi, tutë, nostalgji, demonizim të kundërshtarit dhe mohimin e çdo kompromisi. Ky është një rrezik, ky është kërcënim kolektiv, jo më pak serioz sesa fundamentalizmi fetar, sepse po cenon bazat e kulturës demokratike dhe po i mbyllë Kosovës rrugën drejt dialogut të arsyeshëm dhe progresit të përgjithshëm pa dallim feje, etnie a gjinie.

Dhe, krejt, krejt në fund: A nuk janë fundamentalistët opozitar nostalgjikë për të kaluarën feudaliste të tyre mbi pushtetin e shtetin? Ndoshta ndihen edhe të pasigurtë për të sotmen?

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".