
Lexoni edhe:
Vuçiq vazhdon të mbetet zëdhënës modern i politikave të Kremlinit
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Zgjedhja e Dimal Bashës më shumë ka shkaktuar probleme sesa e ka zgjidhur situatën bllokuese në Kuvendin e Kosovës. Nëse zgjedhja e Bashës shihet si kompromis për të zhbllokuar ngërçin institucional, më shumë duket si një pazar politik mes VV-së dhe PDK-së për vazhdimin e ngërçit politik!
Vuçiq vazhdon të mbetet zëdhënës modern i politikave të KremlinitLexoni edhe:
-Dorëheqja e Liburn Aliut tregon fillimin e një krize të brendshme parimore dhe jo vetëm në Vetëvendosje, pasi zgjedhja e Bashës e zbeh personalitetin e Albin Kurtit përkrah mbështetësve të tij dhe e minimizon idenë e konsensusit (të arritur) politik mes VV-së dhe PDK-së.
Pas shpërthimit të kritikave ndaj Dimal Bashës për artikullin e tij në librin bashkëautorial me Jana Arsovska, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay”, bashkëautorësia e tij në librin ndërkombëtar “Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances” (Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transnacional, Islami Radikal dhe Aleancat e Papastra), ka shkaktuar polemika. Ky botim trajton tema jashtëzakonisht të ndjeshme, përfshirë përmendjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në një kontekst kriminal, duke ngritur shqetësime për imazhin dhe integritetin institucional të Kosovës, ku thuhet se UÇK-ja kishte bashkëpunuar me kriminelë brenda dhe jashtë Kosovës, përfshirë “paratë e drogës”.
Tendenca e Kurtit për ta justifikuar punimin e Bashës, duke përdorur sqarimin e tij të dhënë para pak ditësh, bie ndesh me faktin se vetë Basha e demantoi deklaratën e Kurtit më 1 gusht 2025, ku e pranoi pjesërisht fajësinë e tij. Ai citohet të ketë thënë:
“Pajtohem dhe kërkoj falje për pakujdesinë time, edhe kërkoj falje se pajtohem që duhet me u akuzu që kam qenë i pavëmendshëm edhe i pakujdesshëm, por sa për informacionin tuaj kam dërguar një email ku kam treguar që edhe vetë autorja e pranon që unë kam përgjegjësi vetëm për kapitullin 3 dhe të hiqet kapitulli edhe emri im nga punimi, sepse unë nuk kam të bëj me pjesën tjetër.”
Basha, me këtë kërkimfalje, po dëshiron të harrojë faktin se nuk është aq e lehtë të hiqet teksti dhe autorësia në një libër shkencor, duke e arsyetuar me pakujdesinë, naivitetin apo adoleshencën e tij!
Megjithatë, Albin Kurti po tenton të relativizojë përmbajtjen e artikullit të Dimal Bashës, duke zhvendosur fajësinë te qeveritë e kaluara, vetëm për të ruajtur kohezionin politik në momentin kur pozitat e tij janë të lëkundura dhe të rrezikuara seriozisht!
Përveç të tjerash, mbrojtja e Kurtit për Dimal Bashën nuk është as e sinqertë, kur, në të njëjtën kohë, nuk e përmend fare emrin e tij në urimin për postin e kryeparlamentarit, por lavdëron publikisht Nenad Rashiqin duke e ‘çuar në qiell’ me lëvdata:
“Nenad Rashiq e pranon Republikën e Kosovës, punon për institucionet e shtetit tonë dhe është ministri që ka bërë më së shumti për komunitetin serb në vendin tonë!”
Atë që e thashë në prononcimin paraprak, po e përsëris edhe një herë:
“Është herët për ta uruar zgjedhjen e Dimal Bashës kryekuvendar.”
Vetëm pas përmbylljes së plotë të konstituimit të Kuvendit, edhe me nënkryetarin e pakicës serbe si kategori kushtetuese me vende të rezervuara në Kuvend, atëherë fillon loja e vërtetë dhe pazari i madh mes forcave politike në Kuvend, qoftë për formimin e Qeverisë apo për çuarjen e vendit në zgjedhje!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".