Zeqiraj: Imazhin e UÇK -së e ka përmjerrë PAN-i me OVL-ë e tij provinciale!

Zeqiraj: Imazhin e UÇK -së e ka përmjerrë PAN-i me OVL-ë e tij provinciale!
Zeqiraj: Imazhin e UÇK -së e ka përmjerrë PAN-i me OVL-ë e tij provinciale!

Idriz Zeqiraj

  • 09 September 2025 - 10:38

Shkruan:IDRIZ ZEQIRAJ

 

Në serinë e marrëzive të saj, OVL e UÇK-së, ka paralajmëruar protestën e radhës, më 14 shtator 2025, në Hagë të Holandës. Qysh në ftesën e saj, falsifikon me organizatorët e protestës, duke përfshirë të ashtuquajtura "Shoqata të dala nga lufta", Diasporën dhe të tjera.

 

Mëkatet, me sakt, krimet e kësaj OVL të UÇK-së, vegël e PAN-it, i ka filluar me protestat, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, të dënuar nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare.

 

1) OVL e UÇK-së të LPK-së, në koordinim me krerët lokalë e qendrorë, të PAN-it, zbatuan projektin e Beogradit zyrtar, me organizimin e protestave vandaliste, vrastare e kallëse të shtëpive dhe të kishave serbe. Pasojat: BE-ja, në krye me shtetet e Kuintit, e vunë në dyshim bashkëjetesën shqiptaro-serbe. Sanksionuan Kosovën me bërjen e decentralizimit, fshat e komunë serbe; krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe; me lejimin e institucioneve paralele në veriun e Kosovës e deri ke themelimi i "Listës Serbe", degëzim i partisë të Vuçiqit në Kosovë, bllokuese dhe defaktorizuese të Kosovës të sotme, për arsye të kompetencave enorme kushtetuese, të dhënë komunitettit serb në Kosovë.

 

2) OVL të UÇK-së të LPK-së iu dorëzuan  Dosjet e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Kjo organizatë provinciale ishte e besuara e Beogradit, për t`i publikuar ato, me qëllimin  satanik, nxitjen e gjakderdhjes ndër shqiptare. Si rrjedhojë, të paktën, dy persona u vranë.

 

     PAN-i e themeloi këtë organizatë, për qëllimet e veta, për ta përdorë si mbrojtëse, me shantazhe e protesta të vrazhda, me qëllim të pengimit të drejtësisë, përkatësisht, mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve.

 

 

         OVL e UÇK-së të LPK-së, organizatë provinciale, nuk përfaqëson veteranët e Kosovës

 

     Pse themi se kjo organizatë është provinciale? Sepse ajo nuk përfaqëson assesi veteranët e mirëfilltë të luftës së fundit në Kosovë. Pjesë e kësaj organizate nuk kanë pranuar të bëhen luftëtarët e FARK-istë, përfshi edhe ata të Betejës së Loxhës dhe Luftës të Kosharës. Madje, është po kjo organizatë provinciale, me krerët dhe eksponentët e saj të inkriminuar, prej tej një çerek-shekulli vazhdojnë të zvarritën gjyqeve e burgjeve, si vrasës e dajakxhinj të ushtarakëve të FARK-ut, të veprimtarëve të LDK-së dhe të veprimtarëve të hershëm të LPK-së, për ta shmangur konkurrencën pushtetare.

 

     Krimi i organizuar vrastar dhe hajnor, gjatë dhe pas luftës, ishte -një e fshehtë publike-. Bota demokratike, Qendrat e Vendosjes Botërore, pritën 15 vjet radhazi që drejtësia në Kosovë të hulumtojë, zbulojë e ndëshkojë kriminelët, të strehuar në organizatat ilegale kriminale, si SHIK, "Shqiponjat e Zeza", BIA. Por, ndonëse krerët dhe eksponentët e krimit ishin në pushtet, drejtësia e kapur prej tyre, kjo nuk ndodhi. 

 

     Shtetet e Kuintit, me SHBA në krye, të cilët kishin investuar aq shumë për çlirimin e Kosovës, nuk mund t`i heshtnin "të bëmat" e disa "komandantëve", me bandat e tyre, të cilët vazhduan krimet vrastare e hajnore, edhe pas dëbimit të pushtuesit serbo-sllav nga Kosova. Dhe, kjo nuk mund të tolerohej më tej. Andaj, me kërkesën e BE-së dhe SHBA-së, Kuvendi i Kosovës, me 82 vota pro, aprovoi krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovë, me seli në Hagë. 

 

     Akuzat ndaj Hashim Thaçit nga kundërshtarët politikë në Kosovë, pse aprovoi krijimin e Gjykatës Speciale, janë të padrejta, pse ai e ka arsyetuar bindshëm këtë krijesë legjitime, sepse pas vrasjeve politike, po vazhdonte vrasja e dëshmitarëve të kësaj Gjykate, "sidomos në Dukagjin", - siç thotë ai, duke thelluar krimin unik në botë.

 

     PAN-i i pranoi vrasjet politike, kur bëri çmos për ta kufizuar hetimin e këtyre vrasjeve, deri në fund të vitit 2000!?! Ndërkohë që, vrasjet politike vazhdonin edhe dy dekada më vonë, madje me autorësi të njëjtë, pra, të urdhëruara nga krerët e PAN-it dhe të ekzekutuara nga bandat e tyre, anekënd Kosovës!

 

 

         Transplantimi i organeve nuk u hetua, 

     por vrasjet politike janë serike dhe faktike

 

     Arsyetimi se ndërkombëtarët na mashtruan, duke thënë se "do të hetojmë vetëm transplantimin e organeve në "Shtëpinë e Verdhë". Kjo nuk qëndron, sepse prokurorja Carla del Ponte dhe senatori Dick Marty, paraprakisht kanë botuar libra, me dëshmi faktike, për krimet në Kosovë, me emër vendi, të viktimave dhe të eksponentëve të bandave. Askush prej të akuzuarëve, të djeshëm dhe të sotëm, nuk ka marrë guximin t`i demantojë apo t´i akuzojë për "shpifje" autorët e librave! Dëshmi janë shtatoret, bustet dhe shumë qindra varre të viktimave politike. Kjo i demanton shpifarakët lehaqenër të eksponentëve kriminelë të OVL të UÇK-së të LPK-së, të cilët abuzojnë me demokracinë dhe organizojnë maskarada e karnavale bulevardeske, kinse në mbrojtje të UÇK-së, "të vlerave të luftës" dhe broçkulla të tjera.

 

     Tashmë, një gjë është faktuar, se shtëpitë të improvizuara në burgje rurale, që nga Zllashi i Gollakut, me shef Sali Mustafën, i dënuar me 15 vjet burg, e deri në Cahan të Kukësit, me shef Sabit Gecin, me bandën e tij, i dënuar me 18 vjet burg, kanë qenë stupcore dhe thertore të kundërshtarëve politikë.   

 

     "Të paktën, 11 ushtarë, të 12-in jemi ende në hetim për ta zbuluar, të nisur për në luftën e Koshares, jo në grup, nga Shtabi Institucional, (të FARK-ut), asnjëri prej tyre nuk ka arritur në destinacion, në Koshare, dhe as nuk është parë më në jetë", - thotë ish-ministri i Mbrojtjes, Halil Bicaj, në një intervistë publike në televizion! E tmerrshme, por krejt e vërtetë!

          

      Askush më shumë se sa krerët dhe eksponentët e OVL nuk e ka përmjerrë e dhjerë imazhin e UÇK-së! Kjo "biçim" organizate provinciale familjare e private, po mashtron dhe abuzon, duke u thirrur në emër të disa shoqatave fantomë; kryemyftiun e dhunshëm të Kosovës, Naim Tërnava, i cili ndryshoi Kushtetutën e BIK-ut, për të gëzuar mandatet e radhës; Rrahman Jasharin e SBASHK-ut, të cilët flasin në emër të "xhematit", të mësueseve, por, xhemati, besimtarët, e demantojnë dhe akuzojnë, me indinjatë, organizatorët që flasin në emër të tyre falsifikueshëm! 

 

    Nga hulumtimi i bërë në popull, në Kosovë dhe në Mërgatën shqiptare në botë, dënojnë protestat puro-politike të PAN-it kriminal, dhe janë të indinjuar nga falsifikimi i bërë, gjoja, të organizuara në emër të "shoqatave të dala nga lufta", të Diasporës, madje deri në Amerikë dhe Australi, kur dihet se Gjykata Speciale është krijesë ekskluzive e SHBA-së. Dhe, kush proteston kundër kësaj Gjykate, proteston hapur kundër Amerikës.

 

     Subjektet politike, PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, janë ultra të majta, të lindura nga një mitër e përgjakur të LPK, ishin dhe mbetën me ideologjinë e mykur enveriste-staliniste. Falsifikueshëm thirrën në djathtizëm, ndërkohë që nuk kanë asgjë të përbashkët me drejtimin e djathtë Perëndimor. 

 

     Dëshmi faktike është se LPK-ja, e krijuar nga diplomatët-sigurimsa të filo-sllavit Enver Hoxha, i cili ushtroi një fashizëm të egër ndaj popullit fisnik shqiptar, për afro një gjysmë-shekulli radhazi. LPK-ja, mëma e PAN-it të sotëm, protestoi kundër rrëzimit të -Murit të Berlinit-, me slloganin se po dobësohet komunizmi në Bashkimin Sovjetik, Rusi dhe në nivel botëror! Atëherë, kur u bënë të djathtë e demokratë, këta këlyshër të komunizmit enverist e stalinist?! Ndoshta me ekzekutimet gjatë e pas luftës së Kosovës, duke vrarë ushtarakët luftëbërës të FARK-ut dhe kuadrot, veprimtarët e aktivistët të LDK-së, por edhe veprimtarët e hershëm të LPK-së, të cilët mendonin ndryshe nga krerët stalinistë.

 

      Saktësisht, PAN-i me veglat e tij, eksponentët e OVL, janë organizatorë të protestave të turpshme anti-amerikane, me qëllim të kthimit në pushtet të komandantëve banditër, të cilët ishin humbës të mëdhenj në zgjedhjet e 9 shkurtit. Këtë humbje po mundohen ta kompensojnë me bllokadën në Kuvend, përkrah aleates Lista Serbe. Abuzimi me të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, në Hagë, janë fasadë e organizatorëve horrakë e zuzarë, zhurmues të dështuar. 

 

     Krerët shantazhues, halabakë, e rrugaçë të OVL, shantazhojnë dhe kërcënojnë Qeverinë dhe Shtetin e Kosovës, sa herë që këta zagarë i urdhëron PAN-i, për interesat e tij. Një drejtësi normale, do t`i penalizonte dhe zinxhiroste, pa iu dhënë mundësi të përsërisnin lehjet e tyre në hënë. Fundja, kush .... me nder, janë këta matrapazë e tellallë, të cilët shantazhojnë e torturojnë popullin me protesta dhe kërkesa idioteske?!

 

     

          Dëshmitarët e vdekur "mbrojnë" të akuzuarit në Hagë!

 

     Dëshmitari okular i krimeve në burgun rural të Kleçkës, Agim Zogaj, rrëfeu me gojë, shkrim dhe ditar-ditor të mbajtur, të "bëmat" e shefit të tij, Fatmir Limaj, në burgun e vdekjes, Kleçkë. Zogaj u gjet i  vdekur, në rrethana të panjohura, në Gjermani. Jakup Krasniqi, i gëzuar për vdekjen e Zogajt, tha se "tani do të lirohet Fatmiri nga burgu i Hagës, mbasi i vdekuri nuk dëshmon!" Dhe, ashtu ndodhi! Por, tani rezulton se edhe të vdekurit po dëshmuakan! 

 

     Lukunia e avokatëve matrapazë, zhvatës të miliona eurove nga buxheti i Kosovës, më sakt, në 7 (shtatë) viteve të fundit, për Hagën janë paguar 276 milionë euro. Avokatët kanë paralajmëruar dëshmitë e disa personaliteteve botërore, tashmë, të vdekur. Në mes tyre: Richard Hollbroocke, Bob Dole, Madalene Ollbreit dhe të tjerë.

 

     Richard Hollbroocke, i neveritur nga krimet brenda shqiptare të "komandantëve", shprehë zemraten e tij: "E kemi ditur që shqiptarët, në Kosovë duhet t`i mbrojmë nga kriminelët serbë, por nuk e kishim paramenduar se do të na duhej t`i mbronim  edhe nga vetëvetja - shqiptarin nga shqiptari". Leximi i këtij fragmenti është mjaftueshëm domethënës, si dëshmi e krimeve numerike të disa "komandantëve" kriminelë.

 

      Bob Dole, në gjallje të tij nuk ka pasur asnjë konsideratë pozitive për disa komandantë, pa ushtarë, por me banda të bollshme të tyre. Ai ishte në dijeni, në mes tjerash, edhe për tri atentatet të kurdisura kundër mikut të tij, Presidentit Rugova. Andaj, vështirë të parashikohet se çfarë dëshmie mbrojtëse do të sajojnë shumësia e avokatëve abuzues të parasë, që vjelin nga buxheti i Kosovës?!

 

     Madalene Ollbreit, e cila vuajti shumë për ta bindur Hashimin se duhet firmosur Marrëveshja në Rambuje. Sepse agjenti freng i Shërbimit sekret, DGSE, Arnaud Danjear, dhëndër i Beogradit, i ishte bërë "pullë" rekrutit të tij, Hashimit, për ta dështuar Marrëveshjen e Rambujesë, me porosi të Serbisë. Thaçi i shantazhuar me dosje penalizuese, pengesën e firmosjes, ia faturonte Demaçit, por, realisht, ishte shefi i tij Danjear. Ishte angazhimi enorme i Kadaresë, i cili lehtësoi misionin  diplomatik dhe fisnik të Ollbreit. Edhe ajo zonjë e rëndë amerikane, e mësoi se Hashimi "e kishte bishtin e zënë me derë!" Prandaj, dëshmia e saj nuk mund të ndihmojë asgjë, përballë 300 dëshmitarëve akuzues faktik, me prani në sallën e gjyqit dhe dëshmi shkrimore dhe forma të tjera.

 

      Doris Pack, mike e sinqertë e shqiptarëve dhe shumë aktive në mbrojtje të Kosovës, e irrituar për anatemat dhe sharjet e turpshme, që krerët e PAN-it, me OVL-në e tij, i bëjnë Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, thotë se "me kriminelë janë ata që protestojnë kundër kësaj Gjykate, se sa ata që akuzohen në Hagë!"  

 

      Këto dëshmi janë aq shpresëdhënëse për të shpëtuar nga ndëshkimi, të akuzuarit në burgun e Hagës, sa kapja për rrënjët e kalbura buzë lumit të rrëmbyeshëm! 

 

     Mjaft më, maskarenj profiterë, që vazhdoni të zhvatni, falsifikueshëm, buxhetin e shtetit. Veteranët e vërtetë nuk çirren me porosi të PAN-it, në media dhe rrugë! Turpi qoftë me ju, që me provokimet e juaja lëndoni shumë mijëra familje, të prekura nga vrasjet politike të familjarëve të tyre! Ju po dëmtoni edhe imazhin e veteranëve të vërtetë. Ndërsa po rëndoni e dëmtoni edhe vetë të burgosurit e Hagës

 "Turp e ndot", do të thoshte miku im i burgjeve politike, Kadri Os(Mani)!


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"