Mediat, politika dhe retorika e Ambasadokracisë

Mediat, politika dhe retorika e Ambasadokracisë
Mediat, politika dhe retorika e Ambasadokracisë

Gezim Mekuli

  • 15 September 2025 - 08:00

Nga Gëzim Mekuli /Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/

Ju kujtohet tragjedia e Jul Cesarit të Shekspirit? 

Brutus dhe Antonius mbajnë fjalimet e tyre të mëdha para qytetarëve romak. Ndikimi te publiku romak është shumë i madh. Dramaturgu i pavdekshëm Shekspir dramatizon se si që të dy folësit, përmes fjalimeve të tyre të fuqishme, e arrijnë qëllimin që të përfitojnë publikun romak për interese të tyre.

 

Folësi i parë është Brutusi; Vrasësi i Cesarit. Brutusi, ndër tjerash, në fjalimin e tij, para qytetarëve romak, "argumenton", se vrasja e Cesarit është e nevojshme dhe e domosdoshme për arsye politike. Sipas tij, kështu, do të mund të pengohet Cesari ambicioz që të vetëshpallet mbret. 

 

Brutusi veçon në mes dashurisë për Cesarin dhe dashurisë për Romën. Dhe, Brutusi fton (përmes figurës retorike, antimetabolës) qytetarët romak që të veprojnë mu si edhe Brutusi. 

 

Ky shtron edhe pyetje retorike: "Do të dëshironit të kemi një Cesar të gjallë dhe të gjithë të vdesim si skllevër, se sa të kemi një Cesar të vdekur dhe të gjithë të jetojmë si njerëz të lirë? 

Publiku romak lejon plotësisht të ndikohet dhe të manipulohet nga fjalimi i Brutusit. Ky publik tjetërsohet dhe verbërisht i falë besimin Brutusit. 

 

Më pas fjalën e merr Antonius, përkrahësi i Jul Cesarit. Antonius e di se publiku është kundër tij. Andaj edhe për asnjë çast nuk e merr në gojë Cesarin, mikun, të dashurin dhe të shtrenjëtin e tij të jetës.

 

Ky nuk flet keq as edhe për Brutusin. Në vend të kësaj Antonius lavdëron Brutusin dhe përkrahë atë në akuzat e tij kundër Cesarit: 

"Kam ardhur ta varros Cesarin, e jo ta lavdëroj atë... Ai ishte miku im, besnik dhe i arsyeshëm me mua: Por Brutusi thotë ai ishte ambicioz; Dhe Brutusi është një njeri i ndershëm".

 

Të dashur lexues,

Këto dy fjalime janë kryevepra retorike. Por thelbi dhe qëllimi i këtij artikulli nuk është Shekspiri. 

 

Është tjetra: Në këto fjalime shohim se folësit kanë ndikim të madh tek publiku. Pas fjalimeve të këtyre folësve publiku sillet edhe si një lloj kukulle. 

 

Kemi këtu një publik i cili, vullnetarisht, i lejon vetes që të bie nën ndikim "të argumenteve" të përzgjedhura me kujdes nga folësit. 

Kështu publiku shndërrohet në një "qengj" të butë e në një fëmijë parashkollor. 

 

Të nderuar lexues,

Ndikimi në publik përmes shantazheve dhe "argumenteve" është shembull edhe për aktualitetin tonë politik.

Në të dy rastet, fjala, gjuha, figura retorike dhe sugjestioni janë mjeti që i lëvizin njerëzit më shumë se faktet dhe argumentet e vërteta.

 

E përseris, kjo dramë e Shekspirit është një metaforë e qartë për realitetin tonë politik. 

Edhe në Kosovë, fjala publike dhe retorika politike nuk synojnë gjithmonë të ndriçojnë, por të manipulojnë me popullin. 

 

Politikanët e dështuar, të mbështetur edhe nga media, i drejtohen një publiku të “njomë”, një publiku të pambrojtur, i cili, për shkak të rrethanave ekonomike, arsimore, sociale dhe politike, shpesh i lejon vetes të ndikohet verbërisht e të bëhet "kukull dhe fëmi parashkollor."

 

Mjafton të kujtojmë diskursin e sotëm politik: Opozita, ambasadokracia, në një mënyrë apo tjetër, e arsyeton praninë e Listës Serbe në qeveri dhe madje edhe coptimin territorial të Kosovës me arsyetimin: “Sepse ndryshe humbim pavarësinë e Kosovës”.! 

 

Kjo fjali është një pasqyrë e qartë e antimetabolës retorike që na kujton mashtrimin e Brutusit para popullit romak, e që të përkthyer në kodin tonë politik e kulturor del kështu: “Më mirë një Kosovë të copëtuar, me Amerikë, me Zajednicë serbe gjithandej Kosovës; me Beograd brenda Kosovës e me gjysmë pavarësi, sesa një Kosovë të Pavarur, me kufi, pa Serbi e pa mbështetjen retorike nga adminstrata e Trumpit.” 

 

Kjo retorikë përmbys logjikën, dhe krijon iluzionin se dorëzimi para Serbisë dhe ambasadokracisë është fitore, ndërsa sakrifikimi i sovranitetit të Kosovës është patriotizëm është "vlerë perëndimore"!

 

Ky diskurs retorik nuk është i pafajshëm. Ai përforcohet nga një mekanizëm i fuqishëm presioni; ajo që mund ta quajmë dhuna psikologjike e ambasadokracisë. Përmes deklaratave, paralajmërimeve, kërcënimeve të fshehta e “këshillave miqësore”, ambasadat e huaja krijojnë një atmosferë të frikës dhe ndëshkimit. 

 

Politikanët tanë të shkretë, në vend se të mbështeten në argumente historike, kulturore, juridike e kombëtare, i drejtohen publikut me fraza të gatshme që u shërbejnë interesave të Serbisë e të Rusisë. 

 

Në këtë mënyrë, retorika e tyre bëhet jo vetëm mjet i brendshëm manipulimi, por edhe instrument i një pushteti të huaj që kontrollon komunikimin politik e publik në Kosovë.

 

Por mbetet pyetja thelbësore: A do të arrihet të ruhet sovraniteti dhe dinjiteti i Kosovës vetëm përmes këtij diskursi retorik dhe presionit psikologjik të ambasadokracisë? 

 

Apo, nëse ndjekim këtë logjikë të palogjikshme, do të gjendemi në të njëjtin kurth si publiku romak i Shekspirit, të përdorurur si kukulla nga fjalët e bukura të Brutusit dhe të Cesarit?

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".