
Kosova nuk mund të përballojë luksin e kthimit mbrapa


Isuf Bajraktari
Nga, Isuf Bajraktari
Kosova ka nevojë për një debat të ri politik – të fokusuar në zhvillim dhe vizion afatgjatë, për të mos mbetur peng i përplasjeve ideologjike të së kaluarës.
Që nga përfundimi i luftës, Kosova ka kaluar nëpër faza të ndryshme të ndërtimit institucional dhe politik.
Megjithatë, rrallëherë kemi parë një skenë politike kaq të polarizuar sa sot – të ndarë në vija të trasha mes atyre që shpallen “patriotë” dhe atyre që paraqiten si “lojale” ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Kjo përçarje, më shumë sesa dallimet ideologjike, po e konsumon energjinë
politike dhe po e ngulfat debatin e vërtetë mbi të ardhmen e vendit.
Në vend që patriotizmi i shekullit të kaluar të shndërrohet në një logjikë kombëtare zhvillimore e kulturore, ai shpesh reduktohet në retorikë primitive, emocionale e përjashtuese. Në shekullin XXI, Kosova ka nevojë për një patriotizëm të mençur – të orientuar drejt ngritjes së standardeve demokratike, forcimit të ekonomisë, arsimit dhe kulturës, si dhe zgjerimit të rolit të saj në arenën ndërkombëtare.
Fatkeqësisht, në vend të një vizioni afatgjatë, jemi dëshmitarë të një programi politik të mbështetur më shumë në propagandë sesa në plane konkrete. Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila sot dominon skenën politike, shpesh duket e përqendruar në të kaluarën – në narrativën e padrejtësive historike – dhe më pak në ndërtimin e zgjidhjeve për sfidat e së tashmes dhe të ardhmes. Një qasje e tillë mund të krijojë mobilizim emocional, por jo strategji afatgjata për një shoqëri që synon stabilitet e zhvillim.
Ndërkohë, shoqëria kosovare po mbetet peng i një cikli të pafund retorikash dhe konfliktesh të brendshme, që e mbajnë vendin në vendnumërim.
Në një botë që ecën me ritme të shpejta drejt inovacionit, integrimit ekonomik dhe bashkëpunimit global, Kosova nuk mund të përballojë luksin e kthimit mbrapa.
Kërkohet një klasë politike që e sheh Kosovën jo thjesht si një projekt mbijetese, por si një histori suksesi – duke ndërtuar institucione profesionale, duke përmirësuar klimën e investimeve, duke rritur shkallën e arsimimit dhe duke përgatitur gjenerata që mendojnë e veprojnë globalisht. Historia duhet të kujtohet, por jo të shndërrohet në alibi për stagnim.
Nëse nuk e zhvendosim debatin publik nga përplasja ideologjike e djeshme drejt një dialogu për zhvillim të qëndrueshëm, rrezikojmë që e ardhmja
e Kosovës të mbetet peng i së kaluarës. Është koha që politika, mediat dhe shoqëria civile të dalin nga ky cikël i mbyllur dhe të veprojnë me guxim,
duke vënë përpara interesin e qytetarëve mbi interesat partiake. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të humbasë mundësi historike, derisa bota ecën përpara.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".