
INFLACIONI – BARRË E RËNDË PËR PENSIONISTËT E KOSOVËS!


Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi.
Kategoria më e përbuzur dhe më e anashkaluar në shoqërinë Kosovare kanë mbetur pensionistët kontributdhënës të Republikës së Kosovës. Ata gjysmën e jetës së tyre e kaluan duke punuar e kontribuar me djersë, për të siguruar një stabilitet material, financiar dhe një mirëqenie socialo–ekonomike. Megjithatë, pensionistët e Kosovës sot po përballen me një realitet të hidhur. Çdo ditë e më shumë numri i tyre po zvogëlohet, duke kaluar në Botën e amshueshme pa marrë shpërblimin e merituar për sakrificat e tyre. Është e pajustifikuar që të gjitha qeveritë e pasluftës i kanë anashkaluar sistematikisht, duke shkaktuar dhimbje për familjen, shoqërinë dhe vetë shtetin.
Rrethanat aktuale ekonomike janë bërë pengesë serioze për mirëqenien familjare. Pensionistët kontributdhënës, të cilët me dekada ndërtuan rrugë, shkolla, fabrika, miniera e zhvilluan bujqësinë, ishin ata që krijuan kushte që gjeneratat e reja të shkolloheshin dhe të përgatiteshin për sfidat e jetës. Sot, kjo kategori e shoqërisë që ende është gjallë, ndodhet në pozitë të rëndë, duke mos mundur të sigurojë as barnat e nevojshme për shëndetin, për shkak të sëmundjeve kronike që i prekin. Të ardhurat mujore nga pensionet nuk mjaftojnë as për sigurimin e barnave, e aq më pak për ushqim apo mirëqenie familjare. Vetëm brenda këtij viti artikujt ushqimor janë trefishuar duke diktuar rritja e inflacionit. Një shoqëri që udhëhiqet nga institucione shtetërore, por që i përbuz paraardhësit e saj, nuk mund të mburret e as të krenohet për punë të mira. Deri kur institucionet e Kosovës do të vetëdijesohen dhe do të marrin përgjegjësi për përmirësimin e pozitës sociale e ekonomike të pensionistëve kontributdhënës, mbetet çështje e ndërgjegjes së tyre. Çdo ditë dëgjojmë e lexojmë se kjo gjeneratë po tretet pa shpërblim për mundin dhe djersën që e dhanë për familjen, shoqërinë dhe Kosovën. Përveç vështirësive financiare, shumë prej tyre përballen edhe me sëmundje të ndryshme dhe nuk janë në gjendje të kujdesen për vetveten. Në shumë raste ata mbeten në mëshirën e familjarëve, ku shpesh mungon ndjenja e solidaritetit, humanizmit dhe respektit ndaj prindërve e gjyshërve, e deri te vendosja në shtëpinë e pleqëve. Kjo kategori e pensionisteve te moshuar që dikur u bë shtyllë e zhvillimit të vendit, sot meritojnë jo vetëm kujdesin e familjes, por mbi të gjitha respektin dhe përkujdesjen institucionale të shtetit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".