Serbia sfidon Amerikën kurse Kosova e adhuron!

Serbia sfidon Amerikën kurse Kosova e adhuron!
Serbia sfidon Amerikën kurse Kosova e adhuron!

Fadil Maloku

  • 23 September 2025 - 15:09

Nga Fadil Maloku

Antiamerikanizmi në thelb nënkupton një pozicionim ideologjik, shpesh të shoqëruar me mosbesim, rezistencë ose edhe armiqësi ndaj idesë, politikës, kulturës dhe ndikimit amerikan. Në diskursin global, ky nocion shpesh lidhet me kundërshtimin e asaj që njihet si “ëndrra amerikane” (American Dream) (Hollander, 1992). Ky këndvështrim, në thelb paragjykues ndaj Amerikës dhe politikës së saj të jashtme, éshtë ndërtuar dhe kultivuar në disa periudha të rëndësishme historike. Fillet e para u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore, kur boshti i “së keqes” (Gjermania, Japonia dhe Italia) kapitulloi para Amerikës dhe aleatëve të saj. Më pas, ai u shfaq fuqishëm gjatë Luftës së Ftohtë, sidomos pas ndërhyrjes amerikane në Vietnam, e më vonë pas rënies së Murit të Berlinit (1989) dhe shpërbërjes së BRSS-së dhe sidomos bombardimeve mdaj Serbisé në po këte kohë. Që ndërlidhet me marrjen edhe të asaj pak autonomie që e gëzonte Kosova, në kuadër të ish federatës famëkeqe jugosllave.
II.
Antiamerikanizmi u përforcua dukshëm edhe pas ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi, si dhe me ndërhyrjet amerikane në Irak, Afganistan e së fundmi në Siri, e në mënyrë indirekte u implikua edhe në Ukrainë, Iran e gjetiu. Në këtë kuptim, antiamerikanistët që shpesh identifikohen si antiglobalistë janë protagonistë të një lëvizjeje sociopolitike të lindur në vitet ’90. Kjo lëvizje, në thelb, kundërshton çdo formë dhe përmbajtje të procesit të globalizimit. Për dallim nga antiglobalistët, alterglobalistët nuk e mohojnë globalizimin, por synojnë një version tjetër të tij, më të butë dhe më human, që do të reduktonte pabarazitë socio-ekonomike midis shtresave dhe klasave në shoqëritë bashkëkohore. Kurse antiglobalistëve modernë shpesh u vishet “këmisha” e anarkistëve dhe ekstremistëve të majtë, pasi ata kundërshtojnë rendin që prodhon neoliberalizmi. Në sytë e tyre, ky sistem shihet si i huaj, i padrejtë dhe prodhues i pabarazisë, papunisë dhe varfërisë sociale.
III.
Ndërkohë, alterglobalizmi si lëvizje civile e viteve ’80, lindi nga reagimet ndaj borxheve të rënda, liberalizimit të tregjeve dhe programeve të axhustimit strukturor të FMN-së. Kjo lëvizje, që u përhap si në Evropë ashtu edhe në SHBA, ngriti si shqetësim kryesor papunësinë e lartë, kushtet e vështira të punës dhe dobësimin e mbrojtjes sociale të punëtorëve. Termi alterglobalizëm u fut më vonë në diskursin politik e sociologjik, duke e ofruar veten si një alternativë më humane ndaj “pandemisë” së globalizimit.
IV.
Nëse bëjmë një “intervenim kirurgjik” në natyrën e alterglobalizmit, kuptojmë se ky grupim, në brendësinë e vetë sociopolitike, në vija të trasha aludon shumë më tepër në statuset sociale të shtresave të ndryshme. Këtu përfshihen: fshatarësia moderne dhe postmoderne, punëtorët e varfër e të margjinalizuar, borgjezia e vogël në vendet në tranzicion, punëtorët me paga të ulëta në vendet perëndimore, sindikatat, komunitetet e konsumatorëve, pedagogë me paga minimale, lëvizje ekologjiste dhe antimilitariste, si dhe grupe të ndryshme ideologjike që variojnë nga feministët e antifeministët deri tek fraksionet komuniste, marksiste, nacionaliste, socialiste e neosocialiste.
V.
Si mund të shpjegohet antiamerikanizmi dhe konteksti kosovar? Fillimisht duhet konstatuar se në hapësirën shqiptare, e sidomos në sferat politike (si sjellje), ato ekonomike (si veprime konkrete) dhe, sidomos, ato kulturore (si vlera dhe norma sociale), antiamerikanizmi pothuajse nuk ka gjetur fare terren të gjerë shoqëror. Kjo lidhet me ca aegumente sociologjike; aegumenti i parë është i natyrës historike dhe ka të bëjë me faktin se SHBA-të janë perceptuar e projektuar si aleati kryesor politik dhe ushtarak i shqiptarëve, duke filluar nga ndërhyrja e NATO-s më 1999 e deri te mbështetja për shtetndërtimin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë më 2008. Argumenti i dytë, që ndërlidhet me shkaqet e mungesës së ndonjë diskursi publik mbi antiamerikanizmi, ka të bëjë faktin se për shumicën e shqiptarëve, Amerika përveç prceptimit po edhe bindjes se është një fuqi reale globale është edhe një garant ekzistencial i sigurisë, stabilitetit dhe vetë mbijetesës kombëtare shqiptare në Ballkan. Megjithatë, në diskursin publik e besa edhe politik shqiptar, mund të hetohen aty kétu doza të antiamerikanizmit, të cilat shfaqen më së shumti në formën e kritikave ndaj neoliberalizmit, papunisë së lartë, varfërisë sociale dhe korrupsionit që shoqëron tranzicionin politik. Këtu duhet kuptuar se këto kritika nuk i adresohen drejtpërdrejt kundër Amerikës, por shpesh lidhen me pakënaqësinë ndaj institucioneve ndërkombëtare financiare (FMN, Banka Botërore, BE) dhe mekanizmave tjerë transnacional ku Amerika e ushtron ndikimin e vetë pa pardon. Ky ndikim shihet qarte sidomos te politikat që manifestohen në tematikat e “rregullimit strukturor” të arkitekturave shtetërore, në vendet në transicion, sikurse jemi ne.p.sh.
VI.
Nga ana tjetër, alterglobalizmi në shoqërinë kosovare shfaqet kryesisht përmes lëvizjeve qytetare, organizatave joqeveritare dhe rrjeteve të aktivistëve që kritikojnë modelin e zhvillimit neoliberal. Këto lëvizje kanë synuar të mbrojnë interesat e punëtorëve, të promovojnë barazinë sociale, të forcojnë lëvizjet ekologjike dhe të luftojnë klientelizmin e oligarkive të reja të tranzicionit. Në këtë kuptim, alterglobalizmi në Kosovë ka marrë një ngjyrim specifik lokal: lidhet më shumë me luftën kundër pabarazive të brendshme sesa me një kundërshtim total ndaj globalizimit (alias amerikanizmit). Pra, në nivelin global, antiamerikanizmi shpesh ushqehet dhe “nominohet” nga ndërhyrjet ushtarake të SHBA-ve dhe nga eksporti i kulturës së tyre, por në Kosovë ndodh e kundërta: Amerika, këtu perceptohet praktikisht me benefite “alarmuese” si garant i lirisë dhe pavarësisë, ndërsa kritikat drejtohen më shumë ndaj padrejtësive që prodhon globalizimi neoliberal, të cilin ardhja e Donald Trump e tronditi me themele.
VII.
Kjo bën që, në rrafshin sociologjik, shoqëria kosovare të mos prodhojë një qëndrim të hapur as ndaj kulturës, vlerave dhe normave e standardeve sociale antiamerikane, por, vetëm një diskurs të lehtësuar alterglobalist, ku “pëshpëritet” heshtazi një lloj globalizimi më i drejtë dhe më human që të shumtën e rasteve edhe keqkuptohet në publikun e gjerë dhe në mediet sociale…Temë kjo, që kërkon një elaborim më të detajuar dhe më multidisciplinar…

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".