ASAMBLEJA PARLAMENTARE E OKB-SË DHE POLITIKA E ÇAKORDUAR E BOTËS!

ASAMBLEJA PARLAMENTARE E OKB-SË DHE POLITIKA E ÇAKORDUAR E BOTËS!
ASAMBLEJA PARLAMENTARE E OKB-SË DHE POLITIKA E ÇAKORDUAR E BOTËS!

Ismail Muçiqi

  • 27 September 2025 - 13:03

Shkruan: Ismail Muçiqi.

Se me të vërtetë jetojmë në një kohë kur siguria globale e planetit po sfidohet dhe rrezikohet gjithnjë e më shumë, kjo u pa më së miri në samitin e Asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara. Në këtë tubim të karakterit Botëror dolën në pah interesat strategjike të fuqive të mëdha, të cilat po e rrezikojnë paqen në Botë për interesat e tyre ekonomike dhe gjeopolitike. Nuk ka dyshim se rendi Botëror ka dalë nga binarët dhe nga ekuilibri politik që u krijua e u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore. Çfarë pamë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara? Polarizimi dhe mospajtimet asnjëherë nuk kanë qenë më të theksuara ndërmjet shteteve, kontinenteve dhe fuqive të mëdha.

Lufta në Ukrainë, ajo në Lindjen e Mesme ndërmjet Izraelit dhe Hamasit (Palestinës), janë vatra potenciale për shpërthimin e një lufte me përmasa të një katastrofe globale, që rrezikon paqen e njerëzimit. Gjithnjë e më shumë po bindemi se mafia ekonomike e biznesore po e sundon dhe udhëheq Botën. Këto tendenca paraqesin rrezik permanent dhe çakordim të rendit të vjetër Botëror – projekt ky që sot ka mbetur vetëm një kujtim i kohës së kaluar. Samiti i Asamblesë tregoi se ideologjitë sistemore të shteteve, të cilat mbizotëruan për më shumë se një shekull, kanë vdekur. Sot, kapitali – paraja dhe mafia biznesore–ekonomike janë shndërruar në normë sistemore, qoftë në të majtë apo në të djathtë. Po jetojmë në një Botë ku vlerat humane po treten përditë e më shumë, duke parë njerëz, fëmijë, gra e pleq që vdesin nga uria, nga granatat dhe bombardimet e pakuptimta, ndërsa Bota hesht. Sot njerëzimit dhe rendit Botëror, përkatësisht fuqive të mëdha dhe shteteve demokratike, u mungojnë liderët e vërtetë – burrështetas me famë, kult dhe integritet, që mund ta kthejnë politikën dhe paqen në favor të të drejtave elementare të njerëzimit. Në Asamblenë e OKB-së për herë të parë, shtetet e Bashkimit Evropian, duke e pranuar shtetin e Palestinës, testuan qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fuqive të tjera Botërore. Po jetojmë në kohën kur të ashtuquajturit emisarë të “shartratës diplomatike”, si Grenelli e shumë të tjerë, po krijojnë mjegull e paqartësi duke u rreshtuar në anën e shteteve që shkaktuan gjenocid në ish-Jugosllavi dhe më gjerë.

Kjo tendencë u vërejt edhe gjatë samitit të OKB-së, kur Serbia përmes propagandës fashiste u përpoq të paraqitej si viktimë karshi Republikës së Kosovës. Marrëzia dhe fashizmi serb u panë edhe në rrugët e Nju Jorkut përmes automjeteve të mbuluara me parulla dhe fotografi të inskenuara, kinse të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë. Më thotë mendja se këto manovrime politike Serbia i ka bërë dhe po i bën me ndihmën e Grenellit dhe ish-emisarëve për dialogun Kosovë–Serbi, Lajçak dhe Borrell, të cilët kanë vepruar në harmoni me diplomacinë dhe luftën hibride të Rusisë, Kinës dhe Koresë Veriore. Andaj në fund të këtij vështrimi po theksojmë se është koha dhe momenti që Shqiptarët në të gjitha trojet të vetëdisohen duke e ndryshuar qasjen ndaj popullit, shtetit dhe atdheut derisa nuk është bërë vonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".