Pse (s)mund të bëhet Republika e tretë e Kurtit pa Amerikën?

Pse (s)mund të bëhet Republika e tretë e Kurtit pa Amerikën?
Pse (s)mund të bëhet Republika e tretë e Kurtit pa Amerikën?

Fadil Maloku

  • 02 October 2025 - 09:03

Nga Fadil Maloku

Deklarata e kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, me studentët, se: “SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën. Dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokraci, sovranitet shtetëror dhe integritet territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im.”, ndezi “këmbanat” e alarmit gjithandej në mediat kosovare.

Kjo deklaratë tërhoqi gjithashtu vëmendjen e DASH-it amerikan, ku njëri nga zëdhënësit e tij deklaroi prerazi:

“Vendimi për pezullimin e Dialogut Strategjik është krejtësisht i bazuar në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çfarëdo sugjerimi se kjo ka të bëjë me Serbinë apo me aktorë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të ikur nga çështja thelbësore në pyetje.”

Ideja e analizës sonë nuk ka të bëjë me mesazhet strikte politike që i “delegon” ai, ngase ato shihen qartë, por me pasojat hipotetike, apo me reperkusionet e mundshme që mund të “prodhojë” kjo deklaratë e DASH-it. Ndryshe nga të mëhershmet, që ishin të mbështjella me velon e eufemizmave dhe ekuivokeve diplomatike, kësaj radhe deklarata ishte shumë më e drejtpërdrejtë dhe shqetësuese. Pse themi kështu? Sepse duket se kësaj radhe vëmendja amerikane do të ketë më shumë zotim, fokus, angazhim dhe implikim më të shtuar nga ana e DASH-it në “odisejadën” tonë të ngërçit – ose, siç e kam identifikuar, si “shizofreni politike” me elemente të një “kaosi të kontrolluar”.

Tani mbetet të shihet se cilat janë ato reperkusione të mundshme me natyrë praktike e pragmatike, si për kryeministrin, ashtu edhe për vetë Kosovën.

Në rastin e Kosovës, këto reperkusione duket se lidhen më shumë me “shkopin” e hegjemonisë diskursive që SHBA-të, gjatë gjithë këtyre viteve pasluftës, e kanë ushtruar në mënyrë tejet të sofistikuar, si mbi institucionet dhe procesin e shtetndërtimit, ashtu edhe mbi politikanët vendimmarrës, të cilët shpesh i kemi njohur si “Yes men”. Ambasadat dhe vendimmarrësit amerikanë, në fund të fundit, gjithmonë kanë mbajtur fjalën vendimtare për përcaktimin e asaj se cili është veprimi adekuat për interesat amerikane në rajon. Kjo dëshmon për autoritetin pothuajse absolut të SHBA-së në përcaktimin e asaj se çfarë është (ose nuk është) legjitime edhe në vendimmarrjet e brendshme të Kosovës, sidomos kur në pyetje janë raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe interesave afatgjata që ata i kanë në Ballkan.

Një deklaratë e këtij lloji, pa dyshim, përcjell edhe një mesazh serioz lidhur me marrëdhënien asimetrike midis kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe interesave amerikane. Për mendimin tim, kjo deklaratë është “prodhuar” edhe për shkakun se nuk është punuar mjaftueshëm në precizimin dhe elaborimin e përputhjes e sinkronizimit afatgjatë midis interesave amerikane dhe atyre gjithëshqiptare në rajon. Kjo mungesë sinkronizimi është, pa asnjë dyshim, një defekt për mos me thënë haptas edhe një dështim i dy qeverive – asaj në Shqipëri dhe asaj në Kosovë. Të zhytura në vetëkënaqësinë e pushtetmbajtjes dhe deliriumin e privilegjeve të përkohshme, të dy qeveritë shqiptare pothuajse gjithë angazhimin dhe energjinë politike e harxhuan kryesisht në tema të konsumit të brendshëm dhe populizëm, duke mos arritur të ofrojnë asnjë përpjekje të përbashkët modeste në formë të një projekti gjithëkombëtar ku do të sinkronizoheshin interesat shqiptare me ato amerikane. Insistim ky që unë, në mënyrë të pandalur e kam ngritur vazhdimisht dhe kudo që më është dhënë rasti, por që fatkeqësisht ka hasur në veshë të shurdhër.

Sa i përket kornizës shpjeguese të Kurtit, sipas së cilës “dialogu është pezulluar për shkak të Serbisë ose faktorëve të jashtëm”, për Ambasadën amerikane kjo nuk është ndonjë alibi e mjaftueshme dhe as nuk përputhet me synimet dhe ambiciet që SHBA-të kanë për rajonin. Në fakt, përgjigjja e tyre e rikthen drejtpërdrejt përgjegjësinë politike në zyrën e kryeministrit Kurti. Ky insistim, tashmë jo eufemistik, por shumë më i hapur dhe i drejtpërdrejtë se kurrë më parë, dëshmon qartë se agjendat politike kosovare mbeten të varura plotësisht nga arkitektët, sponsorët dhe “kumbarët” që e mundësuan shtetësinë kosovare. Dhe se asnjë lloij “shkurorëzimi” i çfardo natyre, nuk do tolerohet pa izën e Shba-ve.

Poashtu, ky mesazh dhe kjo deklaratë e DASH-it, për publikun e gjerë, mund të ketë, ndër të tjera, edhe tre qëllime kryesore:

Qëllimi i parë lidhet me gërryerjen sistematike të besimit dhe reputacionit të Albin Kurtit, sidomos tek kontingjentet më militante të VV-së që nuk gjykojnë fortë me logjikën e interesave por të pasioneve momentale. Presioni diplomatik mbi karizmën e tij si lider i pakontestuar dhe më i popullarizuar ndonjëherë në politikën kosovare do të synojë poashtu t’a rrisë edhe shkallën e reflektimit dhe të ndjeshmërisë së munguar ndaj sugjerimeve dhe “instruksioneve” që lidhen me interesat amerikane në Kosovë e rajon. Qëllimi i dytë , për gjykimin tum sociologjik ka të bëjë me paralajmërimin më decidiv ndaj KM Albin Kurti, por edhe ndaj disa mediave dhe gjithë pjesës së opozitës që njihen si “Yes-men” dhe që shpresojnë të ngjiten në fronin e pushtetit, se përpara interesave tona shtetërore e kombëtare, SHBA-të kanë përllogaritjet e tyre strategjike, ku hyn pa dyshim edhe synimi për “rikthimin e Serbisë në orbitën perëndimore”. Një mision që, sipas meje, mbetet “i pamundur” përjetësisht. Qëllimi i tretë, shprehur me gjuhën e sociologjisë së zhvillimit – një lëndë që e ligjëroj në Departamentin e Sociologjisë – është se ky rast i “deklarimeve” në fakt përfaqëson shembullin më të theksuar të një legjitimiteti të fituar përmes votës së lirë, që futet (pa)vetëdijshëm në “labirinthet” krizologjike dhe merr guximin politik për të “testuar” durimin dhe besimin e një aleati si SHBA-të.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".