
INVESTIMET KAPITALE PO E HUMBIN EFEKTIN DHE KUPTIMIN!


Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi
Rruga magjistrale Podujevë – Prishtinë, e cila është bërë si gojëdhëna e dikurshme “Ura e shenjtë”, përpos që po u sjell shumë probleme qytetarëve të Komunës së Podujevës dhe fshatrave përreth, duke u zvarritur me vite, po shkakton dëme të pallogaritshme financiare për pronarët e automjeteve. Komuna e Podujevës, me mbi 70 mijë banorë dhe me sipërfaqen më të madhe gjeografike në Kosovë, edhe në ish-sistemin komunist ka mbetur ndër komunat më të varfra, më të pazhvilluara dhe të anashkaluara nga pushtetet e atëhershme. Podujeva, ndonëse gjendet vetëm 30 kilometra larg Prishtinës, ka dhënë kuadro të shumta të kualifikuara nga profile të ndryshme, të cilat i kanë shërbyer Kosovës në të gjitha aspektet. Por, fatkeqësisht, pas luftës në pushtetin lokal erdhën individë që më shumë u morën me interesat e tyre personale, sesa që u angazhuan për qytetarët e kësaj komune. Kësaj radhe po flasim për një projekt të ashtuquajtur “kapital” – ndërtimin e rrugës magjistrale Podujevë – Prishtinë, fundi i së cilës ende nuk po shihet. Në kohën e ish-kryetarit Agim Veliu, u ndërtuan me shumë vështirësi vetëm tetë kilometra të kësaj magjistrale, punime që u zvarritën për afro dhjetë vjet. Para dy viteve, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Transportit, mori vendim që pjesa e mbetur e kësaj rruge të përfundohej brenda dy viteve. Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Tani jemi në vitin e tretë prej nisjes së këtij projekti, e ende nuk janë ndërtuar as tri ura, pa të cilat magjistralja nuk mund të funksionojë. Çdo ditë, qytetarët që udhëtojnë nga Podujeva për në Prishtinë shohin ritmin e ngadalshëm të punimeve nga kompanitë që kanë fituar tenderin, të cilat nuk po arrijnë t’i përmbushin obligimet e kontratës. Qytetarët e Llapit janë të pakënaqur me këtë situatë, ndërsa papërgjegjësia e kompanive dhe e institucioneve është e dukshme. Në prag të dimrit, kolonat e automjeteve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të mosndërtimit të urave, duke shkaktuar tollovi, vonesa dhe probleme serioze për qarkullimin normal. Kjo situatë është më e theksuar në Lluzhan, Vranidoll dhe Bardhosh.
Papërgjegjësitë janë të pranishme që nga pushteti lokal, Ministria e Transportit e deri tek kompanitë ndërtuese, të cilat vrapojnë ditë e natë për të fituar tenderët, por sapo marrin punën, dështojnë në realizimin e tyre. Ky dështim po krijon edhe dëme shtesë në amortizimin e automjeteve, por edhe konflikte ndërmjet shoferëve të papërgjegjshëm, të cilët shpesh shkelin rregullat e komunikacionit me tejkalime të rrezikshme. Se kur do të përfundojë ky projekt “kapital”, mbetet të shihet. Një gjë është e sigurt: na mungon vetëdija dhe përgjegjësia ndaj marrëveshjeve, kontratave dhe fjalës së dhënë. Kështu, jo vetëm që dëmtojmë zhvillimin ekonomik, por edhe të ardhmen e vendit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".