
Kosova ndodhet përballë një prove të rëndësishme të pjekurisë institucionale


Qani Shabani
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Kosova ndodhet përballë një prove të rëndësishme të pjekurisë institucionale dhe politike. Mungesa e një Kuvendi të konstituuar plotësisht pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, refuzimi i partive për të arritur kompromis dhe tensionet që kanë lindur rreth vendimeve të Gjykatës Kushtetuese kanë thelluar një krizë që po e paralizon vendin politikisht, institucionalisht dhe në planin ndërkombëtar.
Paraliza institucionale është pasoja më e dukshme e kësaj krize. Pa një Kuvend funksional nuk mund të formohet Qeveria e re, dhe për rrjedhojë, vendi vazhdon të qeveriset nga një administratë teknike, që nuk gëzon as legjitimitetin politik dhe as fuqinë e plotë për të marrë vendime strategjike. Në një realitet si ai i Kosovës – me sfida të përhershme në raport me Serbinë, me domosdoshmërinë për reforma të thella dhe me nevojën për integrim evropian – kjo gjendje e paqartë krijon vakuum institucional dhe e dobëson shtetin në momentin kur qëndrueshmëria është më e domosdoshme se kurrë.
Kjo situatë rëndohet edhe më tej kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk trajtohen me përgjegjësi institucionale, por sfidohen me retorikë politike. Është e drejtë legjitime dhe demokratike të kritikohen vendime të një gjykate, sidomos kur ato perceptohen si jokonsistente apo tejkalim kompetencash. Në rastin konkret, aktgjykimi i 8 gushtit ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është interpretuar procedura e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, duke përcaktuar një votim të hapur dhe duke vendosur kufizime që nuk janë të parashikuara qartë në Kushtetutë. Megjithatë, kritika nuk mund të kthehet në refuzim të zbatimit të vendimeve gjyqësore, pasi kjo minon rendin kushtetues dhe krijon precedent të rrezikshëm, ku ligji trajtohet si mjet politik e jo si normë e përbashkët.
Një tjetër aspekt shqetësues është përjashtimi i kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit nga disa prej partive të mëdha parlamentare. Etiketimi i saj si “përçarëse” nuk është mbështetur në një analizë objektive të qëndrimeve, kompetencës apo vizionit të saj, por është përdorur si justifikim për të bllokuar përfaqësimin institucional të partisë fituese të zgjedhjeve. Në thelb, kjo ka qenë një manovër politike për të kontrolluar drejtimin e Kuvendit dhe për të pamundësuar krijimin e një qeverie të tretë të Albin Kurtit.
Në çdo sistem parlamentar, kompromisi është i domosdoshëm dhe askush nuk ka të drejtën absolute për të imponuar vullnetin e vet. Por, kur një kandidat refuzohet pa ofruar alternativë reale, pa proces negociues dhe pa ndonjë përpjekje për dialog, nuk kemi të bëjmë me kundërshtim konstruktiv, por me përjashtim të qëllimshëm politik. Ky lloj përjashtimi nuk ndihmon në ndërtimin e konsensusit – përkundrazi, e thellon përçarjen, e paralizon funksionimin institucional dhe e ul besimin e qytetarëve në sistemin politik në tërësi.
Kjo krizë tashmë ka kapërcyer kufijtë e brendshëm. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë sinjale të qarta për shqetësimin që po shkakton kjo bllokadë. Thirrjet e tyre për respektim të vendimeve të Kushtetutës dhe për gjetje të kompromisit janë bërë të përsëritura, por përgjigjet nga Kosova kanë qenë të ngadalta, të kushtëzuara dhe shpesh të dominuara nga kalkulime afatshkurtra.
Në këtë kontekst, është jetike që aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i datës 30 shtator, të respektohet pa vonesë dhe pa përpjekje për interpretim selektiv. Rreziku më i madh nuk është më vetëm vonesa në formimin e institucioneve – por delegjitimimi i sistemit demokratik dhe izolimi gradual i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nëse kjo krizë vazhdon, Kosova rrezikon themelet e saj kushtetuese dhe normalizimin e një kulture politike ku vendimet e gjykatave dhe sundimi i ligjit shihen si pengesa për pushtet, jo si shtylla të tij.
Kosova ka nevojë për një kthesë të qartë – për rikthim të Kushtetutës jo vetëm si dokument formal, por si bazë funksionale e shtetit; për politikë që funksionon mbi përgjegjësi institucionale, jo mbi ndarje ideologjike; dhe për ndërtim të një kulture kompromisi, ku kundërshtari politik trajtohet si partner në funksionimin demokratik, e jo si armik për t’u izoluar.
Nëse elitat politike nuk janë të gatshme ta ndërmarrin këtë transformim – në radhë të parë përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese – atëherë qytetarët do të vazhdojnë të jenë viktima të një sistemi që ka formë republikane, por përmbajtje të zbrazët demokratike.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".