
DIPLOMACIA KOSOVARE NË GJUMË: SERBIA POHON APO GËNJEN SE 17 SHTETE KANË TËRHEQUR NJOHJET?


Ismail Muçiqi
Shkruan:Ismail Muçiqi
Po jetojmë në kohën e gënjeshtrave, mashtrimeve dhe shpifjeve, të cilat po e shkatërrojnë moralin dhe integritetin njerëzor. Çdo respekt për zonjën Donika Gërvalla për kapitalin e saj politik, si dhe për familjen e saj – për babain e saj, heroin kombëtar Jusuf Gërvallën. Megjithatë, në fillim të këtij vështrimi personal, duhet të theksoj se jam thellësisht i zhgënjyer me dinamikën, aktivitetin, përkushtimin dhe mungesën e rezultateve në sferën e diplomacisë dhe të punëve të jashtme të Republikës së Kosovës. Përditë zyrtarët e Serbisë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera po dalin me deklarata para opinionit serb dhe atij ndërkombëtar, duke pretenduar se 17 shtete të Botës, të cilat më parë e kanë njohur Republikën e Kosovës, tashmë i kanë tërhequr njohjet.
Nëse këto deklarata janë të vërteta, atëherë vaj halli për ne. Serbia, si gjithmonë, me traditën e saj, ndërton kauza të rreme dhe të pavërteta për interesa të veta, por ajo që më shqetëson më shumë është fakti se diplomacia Kosovare, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga zonja Donika Gërvalla, po hesht. E heshtja, në diplomaci, nënkupton se pala tjetër “ka të drejtë”. Deklaratat e Serbisë, të cilat nuk po demantohen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, po krijojnë huti dhe dilema tek shtetet që nuk e njohin realitetin e vërtetë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sidomos në aspektin e marrëdhënieve diplomatike ndërkombëtare. Mendoj se zonja Gërvalla, e cila po hesht prej kohësh, është dashur t’u drejtohet mjeteve të informimit dhe opinionit të gjerë publik, duke paraqitur listën zyrtare të shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë, do të duhej të demaskoheshin propagandat e pavërteta dhe tendencioze të Serbisë ndaj shtetësisë sonë.
Po jetojmë në një kohë kur raportet ndërkombëtare janë luhatur, dhe askush nuk i beson askujt. Prandaj, zonja Gërvalla dhe të gjithë ata që mbajnë funksione qeveritare publike duhet të mësohen të pranojnë kritikat, vërejtjet dhe sugjerimet për lëshimet dhe dështimet që ndodhin në vend. Kosova ka nevojë urgjente që të analizojë gjendjen në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke formuar një shtab operativ me njerëzit më të njohur në fushën e diplomacisë, ata që janë shkolluar dhe kanë përvojë në ndërtimin e marrëdhënieve dhe raporteve ndërmjet shteteve. Çdo sugjerim nga njerëzit e vullnetit të mirë, që kanë dije, përvojë, vizion dhe strategji në politikën ndërkombëtare, duhet të mirëpritet për të mirën e Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".