Hasan Prishtina është gjallë!

Hasan Prishtina është gjallë!
Hasan Prishtina është gjallë!

Gezim Mekuli

  • 13 October 2025 - 14:22

Nga Gëzim Mekuli

Ka njerëz që vdesin dy herë: njëherë në trup dhe njëherë në kujtesë.

Por ka edhe të tillë që nuk vdesin kurrë, asnjëherë, sepse kujtesa jonë i kthen në frymë, në shembull, në vazhdimësi; në përjetësi.

Njëri prej tyre është Hasan Prishtina. Dhe sot, Hasan Prishtina është ndër ne; në fjalën, në qëndrimin, në guximin e Kryeministrit Albin Kurti.

“Mund të më mposhtë vetëm vdekja…”

Kur Hasan Prishtina shkruante nga Vjena: “Akuza, shpifje, kërcënime, rreziqe nuk më kanë frikësue kurrë... Ka me më shtrue vetëm vdekja”; Ai, në atë vakt, nuk po fliste vetëm për bythen e vet, por për një tip insani të rrallë, për një lloj shqiptari që nuk përkulet, nuk tutet e nuk shitet.

Në çdo epokë, në çdo shekull, në cdo sene, kombi shqiptar ka pasur lazëm për një njeri të tillë; që e do Atdheun më shumë se karrigen, që e do shqiptaren, njerëzillëkun dhe drejtësinë më shumë se pushtetin e bitcoinat.

Të dashur lexues,

Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, ai njeri quhej Hasan Prishtina.

Në vitet ’20 të shekullit tonë, ky njeri quhet, Albin Kurti.

Hasan Prishtina luftoi me pendë e me pushkë, kundër një perandorie serbe dhe kundër cubave dhe servilëve të saj shqiptarë.

Albin Kurti sot po lufton me pendë, fjalë, me vepra e me dronë, kundër po asaj perandorie të moçme serbe, kundër një klase të çoroditur e të korruptuar politike, të nënshtruar, të qelbur dhe bitcoinlakmues.

Të nderuar lexues,

Përderisa njëri rrezikonte jetën për të ngritur shtetin e parë të shqiptarëve, Shqipërinë, tjetri rrezikon gjithçka për ta mbrojtur Republikën e Kosovës, shtetin e dytë të shqiptarëve.

Të dy këta burra i përbuzën shpifjet, tradhtinë, kërcënimin dhe frikën; Të dy janë njerëz prej mishi dhe gjaku, bash si Ti dhe Unë, ama që nuk i përkasin luksit, dallavereve e sallatanetit, por sakrificës.

Për ta, patriotizmi s’është shfaqje për publikun, s'është fotografi, por dhimbje e varrë që e durojnë me dinjitet.

Në secilin prej tyre jeton një filozofi e thellë: se liria nuk jepet, ajo merret me ndershmëri, me luftë dhe me durim, dhe se ndërgjegjja dhe karakteri i pastër është më i fortë se çdo presion e Ambasadë.

A pajtoheni me mua, të nderuar lexues, se në fytyrën e tij të vendosur, në refuzimin e kompromisit të robit, në atë përulësi intelektuale përpara popullit dhe ashpërsi morale përballë padrejtësisë, ka diçka që e ngjan me Hasan Prishtinën.

Në kohën e Hasan Prishtinës, shqiptarët kishin nevojë për një zë që të çonte lartë flamurin e pavarësisë.

Në kohën e Albinit, shqiptarët kanë nevojë për një zë që të ruajë atë flamur nga shitja, nga servilizmi dhe nga harresa kolektive.

Nëse Hasan Prishtina ishte arkitekti i zgjimit kombëtar,

Albini është inxhineri i vetëdijes së re politike shqiptare; ai që nuk pranon të rrnoj me “copëza” identiteti, me kompromise, me nënshtrim e poshtërim para Serbisë së moçme e para më të fortit.

Konsekuent deri në fund: Hasan Prishtina nuk vdiq në Selanik; Ai u vra hajnisht në vitin 1933, por ideali i tij nuk u mbyt dot. Hasani u ringjall në çdo gjenratë që refuzoi të përkulet, në çdo shqiptar që e deshi këtë vend të bekuem pa dallavere, në çdo zë që tha të vërtetën edhe kur ajo e kushtonte karrierën, lirinë, apo jetën.

Dhe sot, në shekullin e internetit e të mashtrimit, Hasan Prishtina është gjallë. Ai jeton në njeriun që guxon të thotë “JO” kur të gjithë thonë “PO”, në Kryeministrin që e sheh popullin jo si turmë, por si bashkëudhëtar. Hasan Prishtina jeton në Albin Kurtin.

Ja çfarë shkruante Hasan Prishtina pak para se me e vra shpijunat e Serbisë: “Mua në idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë me më shtrue as ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me më shtrue vetëm vdekja.”

Por edhe vdekja dështoi.

Sepse ideja e tij patriotike ka marrë trup të ri, zë të ri, epokë të re. Sot ajo ide hapëron me zemrën e Shqipërisë, në Prishtinë.

Sot ajo ide ka emër dhe mbiemër; ajo quhet Albin Kurti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".