KAOSI I KOMUNIKIMIT KOSOVARE KËRKON TERAPI AKUTE!

KAOSI I KOMUNIKIMIT KOSOVARE KËRKON TERAPI AKUTE!
KAOSI I KOMUNIKIMIT KOSOVARE KËRKON TERAPI AKUTE!

Ismail Muçiqi

  • 13 October 2025 - 14:24

hkruan: Gazetari Ismail Muçiqi

Po jetojmë në një kohë kur askush nuk e dëgjon tjetrin, nuk e përfill dhe nuk e respekton. Përkundrazi, njeriu ndaj njeriut është bërë i padurueshëm, i pakuptueshëm – dukuri këto që po ia rrënojnë trungun dhe themelet shoqërisë Kosovare, duke e dëmtuar shtetin dhe të ardhmen e popullit tonë. Kjo gjendje, e cila po manifestohet në të gjitha nivelet e shoqërisë, po reflektohet në mënyrë të vazhdueshme edhe në komunikimin e njerëzve që merren me politikë dhe që janë pjesë apo bartës të institucioneve të shtetit. Shtrohet pyetja: **Kush janë këta njerëz? Nga vijnë? Çfarë shkolle kanë kryer? Cilët mësues i kanë arsimuar? Çfarë diplomash kanë përfituar dhe cilët profesorë ua kanë vlerësuar dijen?** Kjo temë ka një dimension të gjerë, por kësaj radhe po ndalemi te sistemi i drejtësisë në Kosovë. Edhe këtu, secili individ që ka kryer fakultetin e drejtësisë, normat dhe ligjet i komenton sipas mënyrës së vet, duke refuzuar apo mospranuar mendimin e kolegut që ka përfunduar të njëjtin fakultet juridik. Kjo dukuri, e cila është bërë **mollë sherri** që nga moskonstituimi i Parlamentit të Kosovës e deri te Gjykata Kushtetuese, i ka nxjerrë në shesh dallimet dhe mospajtimet mes dy ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese – **Enver Hasanit dhe Kadri Kryeziut** – të cilët prej ditësh e javësh, nga distanca, po polemizojnë publikisht duke kritikuar njëri-tjetrin se cili është më i ditur apo cili anon më shumë nga interesat partiake.

Çfarë të themi e kë ta fajësojmë, kur dy ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk arrijnë të harmonizojnë normat juridike rreth një aktgjykimi që është bërë shkak për krizë politike në Kosovë? Është e dhimbshme për institucionet e shtetit dhe për shtresën intelektuale që individë të caktuar, të cilët mbajnë përgjegjësi publike, komunikojnë në këtë mënyrë duke irrituar opinionin e gjerë. Këto fenomene tregojnë se jemi një popull me shumë defekte, ku **inati** është bërë kauzë e jetës në të gjitha sferat – veçanërisht në politikën primitive që po manifestohet. Koha po dëshmon se folklorizmi dhe improvizimet që kanë ndodhur në sistemin arsimor, sidomos që nga koha e sistemit paralel pas masave të dhunshme të Serbisë, janë produkt të kësaj gjenerate – klase politike e intelektuale, e cila po krijon kaos në institucionet e shtetit duke maltretuar dhe helmuar popullin e pafajshëm që ka vuajtur shumë dhe mezi ka pritur ta fitojë lirinë dhe pavarësinë. Kjo plejadë e intelektualëve pasivë dhe pa dinjitet ka degraduar skajshmërisht vizionin, moralin dhe ngritjen intelektuale të shoqërisë në përgjithësi. Është koha e fundit që kjo klasë politike të vetëdijesohet – ose të trajtohet nga “sëmundjet akute patologjike” që po e gërryejnë vendin. Askush nuk po e qanë kokën që po turpërohemi para Botës për sjelljet dhe veprimet tona të papranueshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".