
Rezultatin e votimit të 12 tetorit (nuk) mund ta përmbysin vetëm 'analfabetët funksionalë'!


Fadil Maloku
Nga Fadil MALOKU
Një dukuri që ka tërhequr vëmendjen tonë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit të shoqërive shqiptare në tri nyjet kyçe të shtetit – parlament, politikë dhe sidomos media, është ajo e “pushtimit masiv” të këtyre sferave nga ana e kontigjenteve té “analfabetëve funksionalë”. Të cilët me protagonizmat e tyre të imponuar e të promovuar permes diskurseve defetiste arritën të krijojnë opinione falco mbi proceset dhe zhvillimet në shoqërinë kosovare. Tani, nëse shtrohet pyetja, se përse i kam identifikuar me këtë emërtim këta tipa opinionistash mercenar dhe injorant. Pérgjigja, shpjegimi dhe përvoja ime sociologjike më thonë se pikërisht këta “analfabetë funksionalë”, që nga fillimet e demokracisë, me imponimin e tyre “pa pardon” janë përpjekur të ndërtojnë një narrativë të paaftësisë sonë për të krijuar raporte të shëndosha demokratike në shoqëriné toné. Por, i gjithë ky tregim, në fakt, shënon edhe një lloj “odisejade” tipike të luftës hibride që ata ia imponuan diskursit publik që gjeti implikime dhe u manifestua kryesisht në tri nyjet e lartpërmendura. Mjerisht duhet konstatuar se për këtë dukuri tejet sfiduese fatkeqësisht ende nuk kemi studime kredibile analitike e sociologjike. Ajo që mund të konstatojmë pa hezitim është se shoqëria kosovare di të lexojë fjalitë dhe të komentoj shumë rrjedhshëm ngjarjet, dukuritë dhe fenomenet që ndodhin në ambientet publike, por shpesh nuk arrin të kuptoj as ritmin, e as “frymëmarrjen” e jetës së përditshme sociale e kulturore të ambientit ku jetojnë.
Ndërkaq, më tragjike është se ky fenomen i pamundësisë për të interpretuar me parametra të matshëm shkencor këto procese dinamike, si në mediat sociale, ashtu edhe në diskurset parlamentare e më gjerë në jetën politike, ka shumë gjasa të shndërrohet shpejt në një problem tejet serioz që me aplikativitetin dhe përmasat që merr në të ardhmen, mund të kërcënojë seriozisht si komunikimin tonë të përditshëm, ashtu edhe rendin e ri demokratik që u instalua me përplot sfida e sakrifica.
Andaj, themi që demokracia që po e ndërtojmé aktualisht ende është në një proces të vetëkërkimit identitar për “instalimin” e standardeve të meritokracisë, transparencës dhe llogaridhënies. Këto vlera, kategoria e “analfabetëve funksionalë” i ka keqpërdorur edhe haptas shpesh në komunikimet tona politike, mediatike e sidomos në debatet e ngërçeve parlamentare. Duke u imponuar me këto standarde vetëm në formë e pa përmbajtje, “analfabetët” e tillé me vetëdije e kanë penguar përherë konsolidimin e dinamikave zhvillimore në këto nyje kyqe.
Tani, nëse provojmë të analizojmë këtë dukuri në kulturën, mentalitetin dhe etnopsikologjinë tonë identitare përmes sociologjisë së njohjes, mund të kuptojmë në “vija të trasha” si përmasat ashtu edhe dimensionet e këtij fenomeni të ri. I cili pa përjashtim po pushton me shpejtësi drite hapësirat mediatike, politike e parlamentare. Kurse, ky lloj “pushtimi i këndshëm” mund të hetohet sidomos në diskursin publik, ku termi “analfabet” zakonisht nisë me stigmatizimet dhe paragjykimet që i bëjnë njëri tjetrit folësit e ndryshëm në media, në aulën e paralamnetit dhe sidomos në sferën publike politike. Ndërkaq, sintagma “funksional” të njejtëve akterë u shërben si një eufemizëm social që lidhet direkt me paaftësitë për të gjykuar racionalisht. Por pse përdoret kaq shpesh ky term, dhe me çfarë qëllimesh? Shpesh, kur dikush dëshiron ta ngrejë veten në piedestal intelektual, shprehet: “Ne jemi shoqëri e re analfabete”, “O koka analfabete” ose “Ti qenke analfabet funksional”! Harrohet kështu se ky term, në diskursin publik e sidomos në botën pseudointelektuale, është jo vetëm fyes, por edhe i rrezikshëm. Sepse, një shoqëri e tërë nuk mund të quhet “analfabete”, sepse shoqëria është një entitet dinamik që lind, zhvillohet dhe transformohet vazhdimisht në dimensionet e veta sociale, politike, fetare e kulturore.
Për ta kuptuar më thjesht dinamikën e këtij transformimi, na duhet një parametër social ose kulturor që të shërbejë si “road map” për zhvillimet brenda shoqërisë. Në rastin e shoqërive shqiptare, ende në tranzicion, analfabetizmi nuk është më thjesht mungesë shkrim-leximi, por kryesisht mungesë e kompetencave intelektuale për të kuptuar e përballuar dinamikën e zhvillimeve në sferat; ekonomike, kulturore sociale, ato ushtarake e në veçanti ato politike. Pra, në kontekstin e rritjes ekonomike, përmirësimit të standardeve të jetesës dhe zhvillimit teknologjik, ky përkufizim duket i ngushtë dhe i pamjaftueshëm.
Mirëpo, sipas “dioptrisë” sociologjike, analfabetizmi nuk është më vetëm “mungesë shkrim-leximi”, por edhe një fenomen që në vetëvete përmban edhe rrënjë të dukshme strukturore, që në plan afatgjatë ato mund të lë gjurmë e të prodhoj edhe pasoja serioze për kohezionin e gjithëmbarshëm shoqëror të një vendi apo një shteti
Tipologjia e analfabetizmit kosovar;
I. Analfabetizmi parësor (fillestar)
Ky tip lidhet drejtpërdrejt ndërkidhet me mungesën e aftësisë elementare për të lexuar, shkruar dhe interpretuar fenomenet e jetës. Është niveli më i dukshëm, që reflekton varfëri intelektuale e mendore dhe mungesë shkollimi fillestar. Ndérkaq, mund të thuhet se i njejti mund të gjendet zakonisht tek shtresat margjinale të shoqërisë, të cilat nuk kanë pasur mundësi të arsimohen dhe edukohen me stadarde të duhura. Në historinë tonë, ky tip lidhet me paragjykimet e shumta që regjimet serbe kultivuan ndaj nevojës së shkollimit të shqiptarëve gjatë periudhés arsimimit dhe edukimit paralel që mirémbahej me sakrifica e sfida të mëdha.
II. Analfabetizmi funksional (veprues)
Ky tip është më i përhapuri sot dhe (keq)përdoret gjerësisht sidomos në diskursin publik, kur panelistét e rekrutuar për qëllime klikimeah improvizojnë dije dhe informacione nga më të ndryshme, vetëm e vetëm që të zgjojnë interesime bombastike. Epiteti “analfabet funksional” nënkupton një individ që di të lexojë e shkruajë minimalisht, por nuk ka aftësi për të gjeneruar dije dhe kuptim nga ajo që lexon. Ky tip përveç që dëshmon krizën identitare të personit që imponohet dhunshëm në publik, dëshmon edhe krizën e vetë sistemit arsimor, i cili krijon iluzionin e dijes pa kompetencë reale.
III. Analfabetizmi shoqëror (publik)
Ky lidhet me paaftësinë për të kuptuar strukturat e pushtetit, normat ligjore dhe rregulloret e institucioneve publike. Shembulli më tipik janë ngërçet parlamentare dhe krizat politike, që kanë prodhuar qytetarë pasivë e indiferentë, në vend se qytetarë aktivë. Nëse këtij tipi i shtohet edhe mungesa e përshtatjes me transformimin digjital, atëherë ai shndërrohet në analfabetizëm teknologjik, një dukuri që meriton trajtim të veçantë, në të ardhmen…
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".