
VARFËRIA PO TROKET NË DYERT E SHUMË FAMILJEVE TONA!


Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi
Kriza ekonomike, inflacioni dhe papunësia janë tre faktorët dominues që po e rrënojnë standardin jetësor të shumë familjeve tona, të cilat kanë nevojë për përkrahje nga shoqëria dhe shteti. Është me rëndësi të theksohet se pas luftës, shumë familje nga vise të ndryshme të Kosovës i braktisën vendbanimet e tyre duke u vendosur në Prishtinë dhe në qytete të tjera urbane, pa pasur kushte materiale e financiare për ta vazhduar jetën normale në qytet. Shumë prej këtyre familjeve u strehuan nëpër shtëpitë e zbrazura të familjeve që, për shkak të luftës, kishin ikur nga Prishtina duke kërkuar strehim në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. Këto familje, që edhe sot jetojnë në kryeqytet, po përballen me kushte tejet të vështira ekonomike dhe mezi ia dalin të mbijetojnë nga dita në ditë.
Për fat të keq, shumica e këtyre familjeve, përveç mungesës së artikujve ushqimorë, kanë edhe anëtarë të sëmurë me sëmundje kronike, gjë që e rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre sociale dhe ekonomike. Çdo ditë në dyert e shoqatave humanitare trokasin persona që kërkojnë ndihmë për ta mbajtur familjen gjallë. Është shqetësuese që Komuna e Prishtinës, përveç një ndihme simbolike nga mirëqenia sociale, rrallëherë tregon interesim për të intervenuar te kjo kategori e rrezikuar, e cila përveç ushqimit ka nevojë edhe për barna. Largimi nga Kosova i shumë organizatave humanitare ndërkombëtare e ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e këtyre familjeve që përballen me probleme dhe halle të ndryshme për një jetë normale. Institucionet komunale, sidomos Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, kanë obligim moral, njerëzor dhe ligjor që t’i përcjellin trendet dhe gjendjen e familjeve të varfra që presin ndihmën e shtetit. Fatkeqësisht, shumë zyrtarë të emëruar në drejtoritë e pushtetit lokal nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen aktuale socio-ekonomike të këtyre familjeve, të cilat nuk trajtohen në bazë të normave humane, morale e njerëzore, si pjesë e barabartë e shoqërisë. Nuk ka dilemë se në shumë raste, për shkak të papërgjegjësisë së pushtetit lokal, janë bërë dhe po bëhen shkelje të të drejtave elementare të njeriut – gjë që është e pafalshme për një qeverisje komunale. Tani, kur jemi në prag të stinës së dimrit, shumë familje në Komunën e Prishtinës ende nuk i kanë siguruar drutë apo lëndët djegëse, çka nënkupton se janë të rrezikuara nga i ftohti dhe kushtet e vështira që po afrohen. Koha po tregon se kjo klasë politike e gjeneratës së re nuk është e vetëdijshme se para luftës, solidariteti dhe humanizmi i familjeve Shqiptare dhe i shoqërisë në përgjithësi, kanë qenë arma më e fortë kundër çdo sfide. Çdo gjeneratë që e anashkalon solidaritetin dhe ndjenjën humane ndaj të varfërve, ka probleme me vetveten.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".