Përfundimisht në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk kemi fitues absolut të zgjedhjeve

Përfundimisht në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk kemi fitues absolut të zgjedhjeve
Përfundimisht në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk kemi fitues absolut të zgjedhjeve

Florim Zeqa

  • 15 October 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Pavarësisht faktit se tre partitë e ‘mëdha’ i shpallën fitoret, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk kemi fitues absolut të zgjedhjeve, por kemi fitore të pjesshme të subjekteve politike shqiptare! Por, në anën tjetër kemi fitore absolute të Listës Serbe në të gjitha komunat e vogla me shumicë serbe!

 

-Megjithatë, nëse i marrim për bazë rezultatet preliminare të zgjedhjeve, LVV dhe PDK kanë shënuar rritje të lehtë në krahasim me zgjedhjet e kaluara!

Përderisa LDK ka pësuar rënie të lehtë, AAK ka pësuar rënie enorme!

Edhe pse udhëheqin me nga tri komuna të fituara në raundin e parë, për LVV-në dhe PDK-në pas balotazhit mund të ndryshojë dukshëm lakorja e fitores së tyre!

Përderisa LVV shkon në balotazh në 10 komuna, PDK do të provojë rritjen e fitoreve për kryetar në vetëm 6 komuna!

LDK, me dy komuna të fituara nga raundi i parë, e ka mundësinë e ngritjes por edhe të rënies historike në disa komuna, përfshirë kryeqytetin dhe disa nga qytetet e mëdha!

AAK, me vetëm një komunë të fituar në raundin e parë, ashtu mund të mbetet edhe pas balotazhit, duke iu bashkangjitur NISMA-s dhe Ramiz Lladrovcit!

Vetëm pas raundit të dytë apo balotazhit në 17 komuna më 9 nëntor, do ta kemi qartësinë e fituesit në nivel komunash.

Mirëpo, pas numërimit të votave për asambleistë do të kuptojmë se cila parti politike është renditur e para në nivel vendi me votat e përgjithshme!

Rënia e përqindjes së daljes në votime krahasuar me zgjedhjet e kaluara (39.5 %), është tregues i mungesës së besimit ndaj partive aktuale politike, përkatësisht LVV, PDK, LDK dhe AAK, të cilat janë konsumuar shkaku i mosmbajtjes së premtimeve elektorale karshi qytetarëve dhe të dështimit në funksionalizimin e institucioneve shtetërore nga zgjedhjet e fundit nacionale të 9 shkurtit të këtij viti.

Nuk mund të konsiderohet legjitim një rezultat zgjedhor kur më shumë se 60% e qytetarëve nuk kanë marrë pjesë në votim!

Andaj, në secilin vend demokratik, përqindja e ulët e daljes në zgjedhje do ta delegjitimonte rezultatin në shumicën e komunave!

Edhe përkundër faktit se zgjedhjet ishin në nivelin e duhur të mbarëvajtjes falë përgjegjësisë dhe vetëdijes së lartë qytetare, organizimi nga KQZ lë për të dëshiruar!

Më të diskriminuarit në këtë proces zgjedhor ishin mërgimtarët, të cilëve iu është bërë padrejtësi e madhe me (mos)dërgimin e materialit zgjedhor përmes zarfit, ashtu siç iu kishte premtuar KQZ-ja në momentin e konfirmimit të regjistrimit!

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi dhe indinjatë të thellë të mërgatës sonë, të cilët e kanë humbur plotësisht besimin në institucionin e KQZ-së. Për çka, në zgjedhjet e radhës, cilatdo qofshin ato (parlamentare apo komunale), mërgimtarët do t’ia mësyjnë vendlindjes për të votuar në qendrat e votimit e jo më përmes postës apo përfaqësive diplomatike, edhe shkaku i dyshimit për abuzim me votën e tyre!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".