Një 'nyje gordiane' e quajtur politikë kosovare

Një 'nyje gordiane' e quajtur politikë kosovare
Një 'nyje gordiane' e quajtur politikë kosovare

Zef Prenka

  • 15 October 2025 - 15:39

Nga Zef Prenka

Nëse dikush do ta përkufizonte politikën aktuale të Kosovës me një metaforë, ajo do të ishte padyshim “nyja gordiane” – një lidhje e ngurtë e interesave, ambicieve dhe paaftësisë për ta parë shtetin si projekt të përbashkët historik.

Pas pesë vitesh në pushtet, qeverisja e Albin Kurtit ka shfaqur një diferencë të dukshme midis idealit të shpallur dhe realitetit të prodhuar. Fillimisht u krijua përshtypja e një politike ndryshe, që do të thyente korrupsionin dhe klientelizmin. Mirëpo, me kalimin e kohës, u pa se moralizmi politik pa rezultate konkrete është po aq i rrezikshëm sa edhe korrupsioni vetë – sepse ngjall zhgënjim të thellë qytetar, dobëson besimin në sistem dhe e kthen shpresën në cinizëm.

Nga ana tjetër, opozita kosovare nuk është më as alternativë e besueshme e as zë moral i shoqërisë. Ajo po endet mes nostalgjisë për pushtetin e humbur dhe mungesës së një platforme për të ardhmen. As LDK-ja, as PDK-ja, e as AAK-ja nuk kanë ofruar vizion të ri për zhvillimin ekonomik, për dialogun me Serbinë, apo për integrimin evropian. Në vend të kësaj, po riciklohen figura dhe narracione të vjetra, që qytetarët tashmë i kanë lexuar me lodhje.

Në këtë rreth vicioz, Kosova nuk ka krizë vetëm politike – por krizë të lidershipit kombëtar.

Sistemi është lodhur nga njerëz që flasin për shtetin, por mendojnë për pushtetin; që përmendin kombin, por sillen si klan; që kërkojnë vota për ndryshim, por frikësohen nga çdo ndryshim që prek interesin e tyre personal.

Dhe megjithatë, realiteti është i qartë: edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, rezultati do të jetë pothuajse i njëjtë, me një lëvizje të vogël prej 2-3% midis partive. Kjo do të thotë se nuk është populli që duhet ndërruar – por vetë struktura politike.

Një sistem i mbyllur prodhon të njëjtat fytyra, të njëjtat beteja dhe të njëjtat dështime.

Në këtë situatë, vendi ka nevojë për një marrëveshje të re politike – një koalicion konstruktiv, pa hile, pa ndërskamca e pa interesa personale, që ka për qëllim vetëm interesin e shtetit dhe të qytetarëve.

A ka zgjidhje? 

Po, por jo nga brenda këtij cikli.

Kosova ka nevojë për një forcë të re politike, të bazuar në shtetari, profesionalizëm, meritë dhe karakter kombëtar. Jo më populistë që matin popullaritetin në rrjete sociale, por njerëz që matin efektin e çdo vendimi mbi jetën e qytetarit dhe interesin e shtetit.

Një elitë e re që e kupton se politika është shërbim, jo karrierë; sakrificë, jo privilegj.

Në këtë kontekst, edhe qëndrimi ndaj Listës Serbe duhet të jetë i qartë dhe institucional.Nuk mund të ketë demokraci funksionale me një subjekt ( si LS), që nuk njeh shtetin, nuk respekton institucionet, dhe vepron sipas direktivave të Beogradit.

Nëse një forcë politike funksionon si instrument i një shteti tjetër, ajo duhet të suspendohet dhe të zëvendësohet me një përfaqësim të ndershëm të komunitetit serb të Kosovës, që e pranon realitetin e pavarësisë dhe bashkëjetesën demokratike.

Prandah, kjo krizë nuk është fat i pashmangshëm, por pasojë e një rruge të zgjedhur gabim.

Pas shumë gabimeve dhe mungesës së konsistencës në qeverisje nga ana e Kryeministrit Albin Kurti, është e qartë se edhe opozita në Kosovë ka dështuar të ofrojë alternativën e duhur. Të dyja palët, në mënyrën e tyre, kanë kontribuar në krijimin e një gjendjeje të ngurtë dhe të pashpresë në politikën kosovare.

Nëse Kosova do të ngjitet në nivelin e një shteti të konsoliduar, ajo duhet të dalë nga psikologjia e konfliktit të përhershëm – opozitë-qeveri, veri-jug, e majtë-djathtë – dhe të ndërtojë një kulturë të re politike mbi arsyen, moralin dhe vizionin kombëtar.

Ky është momenti për një rilindje të politikës së vërtetë, jo si lojë pushteti, por si akt përgjegjësie ndaj gjakut që u derdh për këtë shtet.

Kosova nuk mund të mbetet peng i të shkuarës, nëse dëshiron të ndërtojë një të ardhme që e meriton.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".