Politika po luan me fatin e popullit dhe shtetit!

Politika po luan me fatin e popullit dhe shtetit!
Politika po luan me fatin e popullit dhe shtetit!

Ismail Muçiqi

  • 16 October 2025 - 13:58

Shkruan: Ismail Muçiqi

Po bëhen shtatë muaj nga përfundimi i zgjedhjeve nacionale për Parlamentin e Kosovës, por ndërtimit të institucioneve ende nuk po i shihet fundi. Që në fillim të këtij vështrimi duhet pranuar dhe konstatuar se populli gjithmonë ka vepruar në interes të shtetit dhe kombit. Zgjedhjet e fundit për qeverisjen lokale dëshmuan se qytetarët manifestuan një kulturë, përkushtim dhe vetëdije të lartë qytetare, duke kryer misionin e tyre në mënyrën më bashkëkohore demokratike. Këto zgjedhje përfunduan me sukses dhe treguan edhe një herë se populli i Kosovës është i gatshëm të mbrojë vlerat demokratike e civilizuese, ashtu siç e kërkon koha dhe momenti. Gjatë gjithë historisë së kombit Shqiptar, politikanët kanë qenë ata që në periudhat më të rëndësishme, për interesa personale, karrieriste dhe bajraktariste, e kanë dëmtuar imazhin, kulturën dhe të ardhmen e qytetarëve.

Mjerisht, kjo frymë dhe këto tendenca po vazhdojnë edhe sot në skenën politike, e cila ka humbur çdo arsye racionale për t’i dhënë llogari popullit për veprimet e saj destruktive ndaj institucioneve të shtetit. Asnjëherë pas luftës, Kosova nuk ka pasur një klasë politike më të papërgjegjshme, më të padijshme dhe më të papjekur, e cila fatin e popullit dhe shtetit e ka vënë si në bixhoz. Kjo klasë politike, e cila nuk meriton asnjë respekt, është barikaduar pas liderëve të partive dhe klaneve mafioze, duke krijuar tensione e përçarje nga inatet primitive kundër rivalëve partiakë. Është interesant të theksohet se askush nga këta të ashtuquajtur deputetë nuk guxon të debatojë për Listën Serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi dhe ka mision për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës. Partitë politike, të ndihmuara nga pseudo-analistët, opinionistët dhe moderatorët televizivë përmes televizioneve private të themeluara nga individë të lidhur me mafien biznesore, prej vitesh po e vazhdojnë të njëjtin avaz, duke e përçarë dhe helmuar opinionin publik.

Së fundi, veprimtarja dhe humanistja Natasha Kandiq deklaroi se disa individë nga Kosova, që kanë punuar për shërbimet serbe, janë promovuar nga mediat vendore, të cilat u kanë dhënë hapësirë në emisionet informative e debatuese, duke zyrtarizuar qëndrimet e tyre. Edhe më shqetësuese është deklarata e ish-politikanit serb Zoran Angjellkoviq, i cili tha sot në një intervistë për televizionin “PRVA” se “komunikon me mbi 5 mijë persona nga Kosova që e informojnë rregullisht për ngjarjet në vend”. Pas 25 vjetësh nga çlirimi, është tronditëse që në Kosovë ende veprojnë individë dhe grupe që punojnë për interesa të huaja, duke e dëmtuar shtetin dhe imazhin e tij ndërkombëtar. Situata e krijuar në skenën politike të Kosovës, e cila po i rrënon themelet e Republikës, kërkon ndërhyrje urgjente. Ka ardhur koha që këta deputetë, që po e bllokojnë shtetin dhe po e mbajnë peng zhvillimin, të përballen me gjykimin e popullit dhe të ndëshkohen politikisht në zgjedhjet e ardhshme kurdo qe ato organizohen. Askënd nuk kemi të drejtë ta fajësojmë për këtë gjendje, përderisa në skenë qëndron kjo klasë politike, e cila do të mbetet përgjithmonë në faqet më të zeza të historisë së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".