Zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë një sinjal alarmi për legjitimitetin politik

Zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë një sinjal alarmi për legjitimitetin politik
Zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë një sinjal alarmi për legjitimitetin politik

Qani Shabani

  • 17 October 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Nëse më shumë se 60 përqind e qytetarëve nuk marrin pjesë në zgjedhje, atëherë pyetja themelore që duhet shtruar nuk është kush i fitoi, por kush e ka humbur besimin e qytetarëve. Zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë, me një pjesëmarrje prej vetëm 39.07 përqind, shënojnë jo vetëm një rekord të ri të ulët në angazhimin qytetar, por edhe një sinjal alarmi për legjitimitetin politik të qeverisjes lokale.

 

-Kjo shifër nuk është thjesht statistikë – është dëshmi e një largimi të heshtur të qytetarit nga sistemi politik. Ndërsa partitë matën veten në komuna të veçanta, realiteti më i rëndësishëm ishte ai i 60 përqindëshit të heshtur që vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje. Ky nuk është refuzim i demokracisë, por një bojkot simbolik i mungesës së përfaqësimit real, një votë e heshtur kundër një sistemi që duket i largët, jofunksional dhe i mbyllur në vetvete.

Megjithatë, edhe në këtë sfond të vakët politik, zgjedhjet prodhuan një rezultat që meriton analizë. Asnjëra nga partitë kryesore – Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – nuk arriti të dalë fituese absolute në nivel kombëtar.

PDK tregoi shenja force në disa komuna kyçe si Ferizaj,Han të Elezit, Skenderaj, duke i fituar ato që në raundin e parë dhe duke konfirmuar kapacitetin e saj të mobilizimit lokal. Në Mitrovicë, PDK hyri në balotazh në një garë tepër të ngushtë me VV, ku diferenca mes kandidatëve është minimale – një tregues i polarizimit të fortë lokal dhe i rolit të madh që luajnë kandidaturat individuale.

LDK ruajti bastionet tradicionale përmes një strategjie të matur dhe të përqendruar në emra lokalë. VV, ndonëse dominante në nivel qendror, hasi vështirësi në transferimin e kapitalit politik në nivel lokal, duke u përballur me kufizimet e rrjetit të saj organizativ. Ndërkohë, AAK mbeti konsistente në zonat ku ka lidhje të forta me komunitetin.

Por rezultati më i thellë i këtyre zgjedhjeve nuk gjendet në tabelat e votave, por në mosbesimin qytetar, i cili po e shndërron procesin zgjedhor nga një ngjarje demokratike në një akt simbolik me gjithnjë e më pak fuqi përfaqësuese. Zhgënjimi nga premtimet e pambajtura, mungesa e rezultateve në qeverisjen lokale dhe perceptimi se asgjë nuk ndryshon, kanë kthyer shumë qytetarë në spektatorë pasivë të një loje ku nuk besojnë se janë të ftuar të marrin pjesë.

Ky fenomen nuk mund të shpjegohet vetëm me lodhjen nga politika. Ai është reflektim i një krize më të thellë: një ndarje gjithnjë e më të theksuar midis qytetarit dhe sistemit. Qeverisja lokale në shumë raste shihet si instrument i ndarjes së privilegjeve, jo i zgjidhjes së problemeve. Fushatat zgjedhore ishin të zbehta, shpesh pa ide, të dominuara nga slogane të konsumuar dhe mungesë vizioni konkret. Kjo vetëm sa e ka rritur mosbesimin, veçanërisht tek të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara.

Në aspektin ligjor, zgjedhjet janë të vlefshme. Procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe në përputhje me standardet ligjore. Por legjitimiteti demokratik nuk matet vetëm me rregullsinë procedurale. Kur një kryetar komune zgjidhet me mbështetjen efektive të më pak se një të pestës së popullsisë, atëherë ai ose ajo mund të jetë ligjërisht në detyrë, por politikisht mbetet në një pozitë të brishtë.

Ky lloj mandati, edhe pse i vlefshëm sipas ligjit, është politikisht i dobët. Ai është i pambështetur në një shumicë reale qytetare dhe rrezikon të prodhojë qeverisje të brishtë, pa kapacitet për reforma të thella apo për ndërtimin e kohezionit social. Në këtë kontekst, është më shumë se e nevojshme që partitë politike të rifokusohet në ndërtimin e një marrëdhënieje të re mes qytetarit dhe politikës: përmes transparencës, përfshirjes, llogaridhënies dhe ndërtimit të besimit.

Zgjedhjet lokale 2025 në Kosovë nuk ishin as dështim dramatik, as sukses demokratik. Ato ishin një pasqyrë realiste e një sistemi politik që po përpiqet të funksionojë mbi bazën e një legjitimiteti gjithnjë e më të rrudhur. Nëse ky trend i pjesëmarrjes në rënie dhe i mosbesimit qytetar nuk merret seriozisht, rrezikojmë të shohim një transformim të heshtur të sistemit – nga përfaqësues në formalitet, nga gjithëpërfshirës në elitar, dhe nga legjitimiteti real në vetëm legalitet procedural.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".