
Demokracia pa vlera dhe njeriu që ende jeton në të kaluarën


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Në epokën e teknologjisë dhe globalizmit, shoqëria kosovare përballet me një paradoks të thellë: koha ecën përpara, por njeriu mbetet i lidhur pas së kaluarës. Demokracia është bërë formë pa përmbajtje, ndërsa liria, një koncept që shumë e përdorin, por pak e kuptojnë. Në një këndvështrim filozofik, shprehja se “ideologjia komuniste ka vdekur” nuk shënon fundin e ideologjisë, por shndërrimin e saj në forma të reja. Në realitet, ajo edhe sot ende jeton në mendjet e njeriut të vonuar të kohës, atij që kërkon “udhëheqës shpëtimtarë” dhe mbështetet në dogma të vjetra, duke e penguar zhvillimin e shoqërisë demokratike. Sot, edhe pse flasim për modernitet dhe demokraci, njeriu shpesh mbetet rob i ideologjive të vjetra dhe i mendësive autoritarë. Demokracia, që dikur ishte ideal i lirisë dhe barazisë, sot është shndërruar në një sistem ku pushteti justifikohet me zgjedhje, por jo me vlera. Shoqëria jonë po e humb kuptimin moral të demokracisë dhe po e zëvendëson atë me konformizëm e interes.
Demokracia si iluzion
Njeriu modern, që teorikisht është i lirë, në praktikë është bërë peng i interesit dhe manipulimit politik. Në vend të arsyes dhe mendimit kritik, mbizotëron llogaria e ngushtë personale. Kështu, demokracia që duhej të ishte mjet emancipimi, është kthyer në një arenë rivalitetesh të ulëta dhe në një sistem ku ideali është zëvendësuar nga interesi. Në Kosovë, kjo krizë merr përmasa të veçanta. Udhëheqësit që duhej të mishëronin idealet e lirisë, zhvillimin e demokracisë e shoqërisë ekonomisë kulturës arsimit standardit dhe krijimit të kushteteve te nje jete normale dhe të barabartë, shpesh i kanë shndërruar ato në mjete për pushtet. Patriotizmi i vonuar klasik përdoret si retorikë, jo si vlerë. Demokracia është reduktuar në fjalë, ndërsa përmbajtja e saj drejtësia, përgjegjësia dhe solidariteti është zbehur nën peshën e kalkulimeve politike.
Në këtë realitet, mund të thuhet se historia e nihilizmit modern nuk fillon kur “njeriu vrau Zotin”, por kur udhëheqësi vrau lirinë, kur idealet u zëvendësuan me interesa individuale e klanore dhe demokracia humbi shpirtin e saj moral.
Zbrazëtia e vlerave
Sot, vlerat që dikur përbënin themelin e njeriut, e vërteta, e mira, bukuria janë zhvlerësuar. Ato ekzistojnë si fjalë të bukura, por pa kuptim të brendshëm. Njeriu i sotëm jeton në një shoqëri që e quan veten moderne-demokratike, por që shpesh udhëhiqet nga logjika e së kaluarës. Mendësia ideologjike e dikurshme është zëvendësuar me një moral të dyfishtë, ku fjala dhe veprimi rrallë përputhen.
Në vend që të reflektojë dhe të ndërtojë vlera të reja, njeriu shpesh mbyllet në nostalgjinë për të kaluarën. Ai kërkon siguri në autoritete të rreme, duke harruar se demokracia kërkon qytetarë të vetëdijshëm, jo ndjekës pasivë. Kështu, modernizimi teknik i shoqërisë nuk është shoqëruar me modernizim të mendjes.
Liria-demokracia nuk dhurohen, fitohet
Prandaj, pyetja që duhet të shtrojmë nuk është nëse jetojmë në një botë modern-demokratike, por nëse jemi bërë njerëz modernë e demokratikë në mendim dhe në moral. Sepse modernizimi i kohës nuk ka kuptim nëse vetë njeriu mbetet i vonuar në kohë, i paaftë për të kuptuar se liria e demokracia nuk dhurohen, por fitohet me vetëdije, me përgjegjësi dhe me guxim për të menduar ndryshe.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".