E konstaton analisti: Është mjerim që dialogun Kosovë-Serbi e kanë filluar politikanë të shantazhuar

E konstaton analisti: Është mjerim që dialogun Kosovë-Serbi e kanë filluar politikanë të shantazhuar
E konstaton analisti: Është mjerim që dialogun Kosovë-Serbi e kanë filluar politikanë të shantazhuar

Idriz Zeqiraj

  • 18 October 2025 - 09:05

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Është mjerim që dialogun Kosovë-Serbi e kanë filluar politikanë të shantazhuar me dosje penalizuese, me krime faktike. Edhe pse e dinte klasa politike e Kosovës, heshti dhe u nënshtrua "komandantëve" mujsharë e zuzarë, të cilët uzurpuan pushtetin me dajak e gjak, duke mbjellë frikë e terror te populli i shumëvuajtur i Kosovës. Dhe, e gjithë kjo plojë u bë në praninë e UNMIK-ut, EULEX-it, KFOR-it, të cilët, edhe pse i njihnin "si paren e kuqe", u mjaftuan me identifikimin e kriminelëve, por nuk i ndëshkuan ata. Këtë e pranuan edhe dëshmitarët mbrojtës të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, zyrtarë të lartë ndërkombëtarë të asaj kohe zezonë, në Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, të porositur dhe majmë të paguar.

-Pse heshtet rekrutimi i Hashim Thaçit nga Arnaud Danjean, shef i DGSE-së franceze për Ballkanin, dhëndër i Beogradit, në shërbim të Francës dhe të Serbisë njëherësh?! A mos vallë nuk e dinin këtë Shërbimet Informative të Shteteve të Quint-it dhe SHBA?! Presidenti Rugova e bëri të qartë këtë fakt domethënës, duke mos e pranuar atë as kryeministër dhe as ministër. Madje, porositi partiakët e tij dhe të subjekteve të tjera politike: "Të mos lejohet ngritja e Hashimit në pozita të larta, sepse është i dëmshëm për Kosovën".

BE-ja dhe SHBA, siç e dëshmojnë edhe zyrtarët e lartë të tyre, bënin çmos ta anashkalonin Presidentin Rugova, sepse "ai ishte i papërshtatshëm për bashkëpunim e dialog, sepse ngulmonte vetëm në pavarësinë e Kosovës". Përkundër, preferonin Hashim Thaçin dhe sojin e tij, sepse ishte i dëgjueshëm dhe aprovonte lëshimet që ndërkombëtarët i bënin në favor të Serbisë. Rrjedhojat e këtyre lëshimeve vazhdon t’i vuajë edhe sot Kosova.

BE-ja, përkatësisht emisarët e saj në krye të dialogut Kosovë-Serbi, ishin të njëanshëm në favor të Serbisë. Me keqardhje, ata ndikuan edhe te disa zyrtarë të administratës amerikane, të cilët "rastësisht" u ndodhën dhëndurë dhe miq të Serbisë! Ata shkuan aq larg, sa iu nënshtruan edhe klerikëve tredhakë të Manastirit të Deçanit, për ta mbyllur rrugën qarkulluese shekullore për bjeshkët e Deçanit, përfshi edhe dy fshatra, me arsyetimin se "objektet e kultit nuk durojnë zhurmën qarkulluese". Për pasojë, u ndërpre edhe ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë!

Realistisht, SHBA, zyrtarë të lartë të saj në Shtëpinë e Bardhë, në shumëçka kanë pasur mendime dhe vlerësime ndryshe nga BE-ja. Ata reaguan kundër shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës. Por, presioni aktual i SHBA-së për të vazhduar dialogun, tërësisht të dështuar Kosovë-Serbi, është në një linjë me BE-në. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe populli i Kosovës, përjashto krerët dhe eksponentët e PAN-it, janë kundër vazhdimit të dialogut që humbjen e Serbisë në luftë ta kompensojnë me dhënien e territorit tokësor Serbisë në tavolinë. Kosova kërkon dialog me SHBA-në, ndërhyrjen politike, për ta lëndëzuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës – cep më cep – në kufijtë e njohur të saj, të konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës është mike tradicionale e besnike e Amerikës zëmadhe. Ajo ka për guidë trashëgiminë e miqësinë e lënë nga themeltari i shtetit të Kosovës, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova. Ndoshta është tepruar me akuza të bëra për lidershipin aktual të LDK-së, për disa qëndrime bllokuese, gjë që nuk kanë qenë pjesë e zgjidhjeve institucionale. Por, bazuar në afrinë e përhershme që kjo parti ka pasur dhe ka me SHBA-në, mund të jetë e porositur për pritje të një koordinimi me aleatin e madh, për të vendosur për përcaktimin e duhur.

Edhe qortuesit mirëdashës të LDK-së kanë pasur dhe kanë motiv dhe qëllim ideal për të penguar partitë-banda të PAN-it kriminal për t’u kthyer në pushtet. Sepse, edhe në këto zgjedhje, PAN-i i riktheu në kandidatura të kriminalizuarit, me dosje penalizuese vendore dhe ndërkombëtare, të hapura për dënim të çdo kohshëm. "Dëshmo lirisht, nuk të arrestojmë", i garantonte kryetari i gjyqit dëshmitarëve SHTAB-istë të PAN-it, anëtarë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale!

Ishte dhe është në vartësi të LDK-së, e cila së bashku me LVV-në, janë parti të pakriminalizuara, për ta spastruar klasën politike, rëndë të kontaminuar në Kosovë. Partneriteti i këtyre dy partive, përfshi Guxo, Alternativa dhe ndonjë nga partizat e djathta, do të ishte i leverdishëm për koalicionin e tyre dhe, në veçanti, për frymëmarrjen e shpenguar të vetë Kosovës. Dhe, ky shërbim kombëtar do të ishte domethënës dhe mbresëlënës – njëherësh.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".