Protesta që vallëzoi mbi dhimbjen

Protesta që vallëzoi mbi dhimbjen
Protesta që vallëzoi mbi dhimbjen

Isuf Bajraktari

  • 20 October 2025 - 07:50

Nga Isuf Bajraktari 

Kur spektakli e zëvendëson dhimbjen dhe politika vishet me dritat e skenës

Shqiptarët duken si një anije pa timon në det të trazuar.

U është fikur kandili i arsyes dhe po lundrojnë mes dallgëve të emocioneve, pa busullë që t’i kthejë drejt brigjeve të arsyes.

Populli që dikur udhëhiqej nga ideale dhe sakrifica, sot endet midis festës dhe zisë, pa ditur më se cilën valë ta ndjekë.

Shembulli më i qartë i kësaj krize morale është mënyra si një pjesë e shoqërisë shqiptare e trajton Edi Ramën si “çlirimtar” të ri — një mit modern për t’u kapur fort, sa herë realiteti bëhet i padurueshëm.

Por çfarë ndodh kur protesta dhe festa shkrijnë kufijtë mes tyre?

Kur turmat që duhej të kërkonin drejtësi, ngazëllohen në skenë si në një koncert?

Dhe më keq akoma: kur njëra gjysmë e popullit del për inat të tjetrës, ndërsa tjetra qëndron në shtëpi — po për të njëjtin inat?

Kjo nuk është politikë, as revoltë: është një lojë fëmijësh në një oborr pa mësues, ku secili bën zhurmë për t’u ndjerë i rëndësishëm.

Në atë përzierje absurditeti shfaqen edhe figurat groteske të politikës sonë — nga Përparim Rama e të tjerë si ai, krijesa të dalë nga laboratori i partive të vjetra, pa bosht, pa ideal, por me etje për dritë reflektorësh.

Shqiptarët e Kosovës, sidomos gratë, duket sikur e kanë humbur ndjesinë e dallimit mes tragjedisë dhe dasmës. Dhe “protesta” në Tiranë ishte dëshmia më e gjallë e kësaj mjegulle morale.

Ajo ngjarje, që në thelb nuk kishte asnjë fuqi për të ndikuar në fatin e katër liderëve të UÇK-së në Hagë, u shndërrua në spektakël sentimental. Një teatër i përgatitur mirë për kamerat, që në vend se t’u shërbente të burgosurve, vetëm e lehtësoi barrën e imazhit të Edi Ramës.

Në këtë vend ku gjithçka bëhet performancë, edhe dhimbja duhet të duket bukur.

Pamjet nga sheshi i Tiranës, me ndriçime, me këngë dhe emocione të kontrolluara, më kujtuan bukurinë që vret — atë estetikë që zbukuron plagën për ta bërë të durueshme. Dhe më pas, Shkurte Fejza me “Mora fjalë” — një këngë e ndjerë, por jashtë kohe e vendi.

Sepse çfarë vlere ka një këngë dashurie në një ditë kur dashuria ndaj atdheut është në gjyq?

Ndërkohë, Rifat Jashari nuk u bë pjesë e këtij teatri. Heshtja e tij peshon më shumë se të gjitha fjalimet e atij “koncerti proteste”.

Dhe megjithatë, kënga për vëllain e tij, për Adem Jasharin, u përdor si sfond kombëtar për një shfaqje që kishte më shumë ritëm se reflektim.

Në marrëdhëniet e ndërlikuara mes Jasharajve dhe ish-drejtuesve të UÇK-së, mund të thuhet shumë, por pak del e pastër.

Ky “koncert proteste” në Tiranë, përtej patriotizmit të stisur, ngjante më shumë me një mbrëmje të “Elita 5” sesa me një akt politik.

Dhe “shpëtimtari” që i mbështeti e i ftoi, por nuk doli kurrë në shesh, mbeti në rolin e tij të zakonshëm — dirigjenti i spektaklit, jo i sakrificës.

Organizatorët që e quajtën këtë ngjarje “protestë” duhet ta dinë:

në ditë zije nuk ndizet drita e skenës.

Në ditë zije nuk vendosen mikrofonat, nuk matet adrenalina, nuk kërkohet performanca.

Sepse dhimbja nuk është spektakël — është kujtesë, është dinjitet.

Dhe kur e humbasim këtë ndjeshmëri, humbasim gjithçka që na ka bërë popull.

Kështu, protesta që duhej të ishte klithmë u kthye në këngë, dhe dhimbja që duhej të ishte reflektim, në argëtim.

Një popull që vallëzon mbi plagët e veta nuk mund të udhëhiqet askund.

Ai thjesht do të rrotullohet në vend — në ritmin e një kënge të bukur që s’e kupton dot më as tekstin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".