Ta ndërtojmë të renë mbi gërmadhat e kësaj klase politike!

Ta ndërtojmë të renë mbi gërmadhat e kësaj klase politike!
Ta ndërtojmë të renë mbi gërmadhat e kësaj klase politike!

Florim Zeqa

  • 20 October 2025 - 08:41

Shkruan: Florim Zeqa

Kosova e pasluftës është kthyer në një gërmadhë politikanësh të pavlerë dhe pa dinijitet njerëzor. Uzurpatorët e lirisë sonë po mendojnë se do të qëndrojnë përjetësisht në krye të institucioneve shtetërore, të cilat i kanë kapur tmerrësisht dhe në mënyrën më primitive!

Nuk kanë të ndalur hipokrizitë e politikanëve karrierist

Edhe pse kanë kaluar 26 vjet nga përfundimi i luftës, ndikimi i uzurpatorëve të lirisë sonë është i madh dhe i fuqishëm në sundimin e çdo pore të jetës në Kosovë!

Këta njerëz me ndikim, përveqse janë të paaftë politikisht, akoma më të paaftë janë në aspektin intelektual!

Injorantët e veshur me petkun e politikanit e morën në qafë një popullatë të tërë!

Përveqse e lanë shtetin pa zhvillim ekonomik, i venitën të gjitha shpresat e popullatës për jetë në Kosovë!

Si pasojë e kësaj, në kokat e njerëzve që jetojnë në Kosovë ka mbetur vetëm një shpresë-ajo e largimit nga vendi si shpëtim nga uzurpatorët e lirisë, nga të fortët e politikës, të cilët vendosin për gjithçka në Kosovë!

Zgjedhjet mbahen sa për sy e faqe, rezultatet i kurdisin nën tavolinë!

Vendosin se kush do të bëhet asambleist e kush jo!

Vendosin dhe e ndajnë tallin zgjedhor në procesin e balotazhit pas zgjedhjeve komunale, dhe aty ku u ka mbetur mangu vota e kontrabandojnë nga njëri pol në tjetrin!

Pavarësisht cila parti dhe cili kandidat i ka fituar zgjedhjet, rivalët politikë do të bashkëqeverisin në shumicën e komunave të Kosovës, duke e lënë të ndarë dhe të përqarë një popullatë të tërë!

Gjthmojnë kur politikanët matrapaz duan ta kontrabandojnë vullnetin e elektoratit, e arsyetojnë “për të mirën e qytetarëve”, të cilët as që i pyet më kush pas procesit zgjedhor!

Për habi qytetarët heshtin, nuk e ngrisin zërin ndaj padrejtësive

Heshtja e qytetarëve rrezikon ta dërgojë në humnerën e pakthim këtë vend!

Populli ynë i shumëvuajtur, i mësuar t’u mbijetojë pushtimeve të huaja, sikur i janë adaptuar sistemit korruptiv dhe uzurpativ të politikanëve të pasluftës!

Kur ju themë politikanë të pasluftës, kjo i nënkupton të gjithë politikanët dhe të gjitha partitë pa dallim, të cilat janë shkaktare të katandisjes së vendit dhe thyerëse të shpresave të qytetarëve!

Politikanët e pasluftës e kanë personalizuar çdo të arritur të përbashkët, që nga rezistenca paqesore e viteve të ‘90-ta, luftën e lavdishme çlirimtare, shtetformimin dhe shtetndërtimin duke abuzuar me institucionet e shtetit!

Të vetmën gjë që nuk mundën ta përvetësojnë dhe personalizojnë uzurpatorët e lirisë është intervenimi i forcës më të madhe ushtarake dhe politike në botë-NATO-s, e cila na erdhi si mrekulli nga qielli!

E kush e kishte thënë më mirë dhe më bukur sesa Akademik Mark Krasniqi, po citoj: “Mrekullia vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët”.

ADN shpresë dhe forcë e ndryshimit politik

Nëse duam ta mundim të keqën që na ka mbërthyer, atëhere nuk duhet të lejohet që të nëpërkëmbën edhe më tutje vlerat e mirëfillta kombëtare dhe njerëzore në vendin tonë.

Ndryshimet pozitive nuk pikin nga qielli, atyre duhet bërë mundin që të ndodhin!

Uzurpatorët e institucioneve dhe dhunuesit e votës së lirë në demokraci duhet ta marrin dënimin e merituar me largimin e tërësishëm nga skena politike!

Mbase është momenti i fundit që të mobilizohemi dhe të ngrihemi përsëri si popull liridashës në mbrojtje të shtetit dhe identitetit tonë kombëtar, ngashëm sikur në vitet e ’90-ta për ta ç’rrënjosur të keqën përmes një nisme të re politike, ashtu siq e kam ideuar dhe projektuar me kujdes gjatë viteve të fundit!

Kjo është Alternativa Demkratike për Ndryshim (ADN).

Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është aspak e lehtë të arrihet në përballje uzurpatorët e shtetit, të organizuar në formë piramidale përmes sistemit korruptiv nga lartë poshtë!

Ne ndryshimin do ta fillojmë nga baza elektorale, pra nga poshtë e deri në nivelet më të larta. Që i bie se, kjo mënyrë e ndryshimit është më e vështirë, por më e sigurtë për zhbërjen e strukturave të dështuara politike nga niveli lokal deri tek ai qendror.

Mobilizimi i popullatës rreth ADN-së është imperativ i ngutshëm kohor nëse duam që të kemi shtet ligjor dhe demokratik, ku pushtetarët i kanë frikën prokurorisë dhe gjykatave e jo të ndodhë e kundërta sikur deri më tani, që sistemi i drejtësisë t’i ketë frikën pushtetit dhe të fortëve të politikës që e kontrollojnë (pu)shtetin dhe çdo pore të jetës në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".