
NGA MBLEDHJA E KËSHILLIT TË SIGURIMIT: POLLAVRAT MESJETARE TË GJURIQIT!


Ismail Muçiqi
Shkruan:Ismail Muçiqi
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u debatua për raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm António Guterres, edhe një herë Serbia doli me deklarata mesjetare, duke shpifur e përhapur të pavërteta kundër Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Diskutimi i Marko Gjuriqit i ngjante periudhës së errët të regjimit të Sllobodan Millosheviqit – politikë e cila u gjykua dhe u dënua nga të gjitha shtetet demokratike të Botës.
Gjuriqi, si gjithmonë një shërbëtor i bindur i Aleksandar Vuçiqit, përmes shpifjeve dhe trillimeve të shumta, tentoi të shfaqej si “viktimë”, duke derdhur *lotë krokodili* për fatin e popullit serb në Kosovë. Ai, në asnjë moment, nuk foli për agresionin e bandave kriminale në Banjskë – të organizuara dhe të koordinuara nga vetë qeveria në Beograd. Madje, Kosovën e quajti “Kosovë e Metohi”, ndërsa Republikën e Kosovës e trajtoi si “krahinë të Serbisë”. Shtrohet pyetja: Çfarë diplomacie është kjo në shekullin XXI, në një epokë kur Bota përpiqet të forcojë paqen dhe bashkëpunimin? Serbia ka mbetur peng i nacionalizmit ekstrem dhe ideologjisë së Kishës Ortodokse Serbe, e cila me qëndrimet e saj fashiste e me duar të përgjakura ka qenë pjesëmarrëse në të gjitha katër luftërat e përgjakshme të shekullit të kaluar. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, znj. Donika Gërvalla, foli në mënyrë brilante për gjendjen në Kosovë, për të arriturat e shtetit tonë në të gjitha sferat e jetës, si dhe për kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë që synojnë destabilizimin e tërë rajonit të Ballkanit. Fjalimi i zonjës Gërvalla ishte racional, i argumentuar dhe i mbështetur në fakte konkrete. Ajo përmendi zhvillimin ekonomik të vendit, sundimin e ligjit, avancimin e sistemit të drejtësisë, integrimin e Kosovës në mekanizma të Bashkimit Evropian, forcimin e pasaportës shtetërore, si dhe sigurinë e brendshme – duke theksuar se Kosova është një ndër shtetet më të sigurta në Evropë.
Duhet theksuar se Bota sot është e polarizuar për shkak të rivaliteteve ideologjike dhe interesave të fuqive të mëdha. Edhe kësaj radhe, në Këshillin e Sigurimit, disa shtete të afërta me Rusinë dhe Kinën u pozicionuan në anën e Serbisë, ndërsa shtetet mike të Kosovës – ato që e kanë njohur dhe ndihmuar shtetin tonë – qëndruan fuqishëm në mbështetje të saj. Për fat të keq, Serbia vazhdon të përpiqet t’i zgjasë jetën misionit të UNMIK-ut, përmes përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të vazhdojë ta kontestojë statusin e Republikës së Kosovës. Kjo mendësi politike, e trashëguar nga shekulli i kaluar, e ka futur Serbinë në katër luftëra të përgjakshme, duke shkaktuar mijëra viktima nga Sllovenia e Kroacia, deri te Bosnja dhe Kosova – ku u krye gjenocidi ndaj popullit shqiptar. Në fund, duhet theksuar se polarizimi global dhe ndarja e shteteve në blloqe ideologjike kanë zbehur autoritetin e Këshillit të Sigurimit, duke e kthyer në një institucion formal, rezolutat e të cilit mbeten të pazbatueshme dhe pa ndikim real në zgjidhjen e problemeve të Botës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".