Barrikadimi refuzues i opozites per formimin e qeverise se re!
Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi.
Nuk mjaftuan shtatë muaj që klasa politike, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Kosovës, të vetëdijesohen për t’i themeluar institucionet e shteti. Tani, kur kanë mbetur vetëm edhe dy ditë, partitë politike opozitare janë barrikaduar, duke refuzuar çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje politike për formimin e qeverisë së re. Deklaratat e liderëve partiakë dhe klaneve përreth tyre janë skandaloze, në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe të Shtetit të Kosovës. As Serbia nuk është sjellë në mënyrë më ekstreme sesa partitë tona politike kundër interesave të vetë shtetit. Kjo çmenduri politike është shumë shqetësuese dhe e vë në pikëpyetje ndërtimin dhe konsolidimin e Shtetit të Kosovës.
Kjo arrogancë e shpreh nivelin dhe mjerimin e klasës politike, e cila e ka marrë fatin e vendit në duart e veta, por fatkeqësisht po e dëmton atë. Në momentet kur kanë mbetur vetëm edhe dy ditë afat kushtetues për formimin e qeverisë së re, ideologu në hije i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në disa debate dhe prononcime para mediave, ka kërcënuar se nëse ndonjë deputet i PDK-së voton ose “e shet” votën për ta mbështetur qeverinë e Vetëvendosjes, do të përjashtohet nga partia. Ky Xhavit Haliti, i cili disa herë është deklaruar se “tërë jetën kam punuar për Kosovën”, tani me qëndrimet dhe deklaratat e tij po e demanton vetveten. Deklarata të ngjashme kërcënuese ka dhënë edhe Daut Haradinaj, i cili në mënyrë kategorike refuzon çdo kompromis për votimin e qeverisë së re apo të presidentes që propozohet nga Vetëvendosja. Kërcënime të njëjta kanë ardhur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë kërcënuar kryetarin e degës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirin, me përjashtim nga LDK-ja për shkak se i njëjti bëri koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në Asamblenë Komunale të Vushtrrisë. Shtrohet pyetja: a nuk është Xhafer Tahiri Shqiptar dhe kryetar i degës në Vushtrri? Çdo ndërhyrje e tillë nga kryetari apo organet qendrore të LDK-së i ngjan sistemit të dikurshëm komunist dhe jo programit të vërtetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këta janë “patriotët” që edhe pas shtatë muajsh po e mbajnë peng vendin me obstruksione dhe bllokada, duke u thirrur në emër të popullit, ndërsa vullnetin dhe interesin e tij e kanë shtrirë përtokë. Shtrohet pyetja tjetër: a janë normalë këta njerëz? Bota po tundet nga rreziqet e sigurisë globale, ku çdo shtet po përpiqet të ruajë kufijtë, sovranitetin dhe integritetin e vet. Mjerisht, deputetët tanë, kjo politikë, këto parti, e kanë humbur moralin, kredibilitetin dhe çdo vlerë përballë qytetarëve. Lufta për pushtet duhet të zhvillohet duke respektuar normat dhe rregullat demokratike, e jo duke vënë në plan të parë inatin dhe interesin personal, duke e çuar vendin nga kriza në krizë. Shtrohet pyetja e fundit: a ka mbetur ndonjë bërthamë e shëndoshë në shoqërinë Kosovare që gëzon respekt e vlerë për t’u mobilizuar e për ta shpëtuar Kosovën nga këta matrapazë, të cilët janë ngopur me gjynahe, duke mbijetuar mbi supet dhe djersën e popullit? Kështu as nuk bëhet shteti, as nuk ndërtohet demokracia, as nuk arrihet uniteti. Përkundrazi, këto veprime po e çojnë vendin drejt kaosit dhe po e traumatizojnë opinionin publik për atë që mund të sjellë e nesërmja. Këtë, për fat të keq, po e pret dhe e dëshiron armiku i përbetuar i Shqiptarëve – fqinji verior, Serbia dhe Rusia.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
