KOSOVA NË PRAGUN E NDËRRIMIT TË PARADIGMËS POLITIKE
Zef Prenka
Nga Zef Prenka
Kosova po hyn në një fazë ku tensionet nuk janë më thjesht incidente politike – janë shenjat e para të një tronditjeje të madhe që mund të çojë drejt fundës së një epoke dhe fillimit të një tjetre.
Në këtë vend që e nisi si “NEWBORN”, por që sot ndjehet i lodhur e i ngërthyer mes krizave, po ndodh diçka më e thellë se sa duket në sipërfaqe.
1. Kur rruga bëhet pasqyra e politikës
Nëse dikur debati zhvillohej në parlament, sot ai shpërthen në rrugë. Sharje, përplasje, grushta.
Jo thjesht midis qytetarëve, por midis atyre që pretendojnë të jenë “elitë politike”.
Kjo nuk është thjesht shthurje sjelljeje – është rrëzim moral i sistemit politik.
Kur politika zëvendëson argumentin me grushtin, kjo do të thotë se është shteruar fryma e mendimit dhe ka mbetur vetëm instinkti i pushtetit.
2. Mosbindja ndaj liderëve – shenjë rebelimi apo shkatërrimi të autoritetit?
Në çdo shoqëri demokratike, pakënaqësia e brendshme në parti është normale. Por ajo që po ndodh në Kosovë është refuzim ndaj lidershipit pa orientim.
Deputetë, ministra e zyrtarë që s’ndjejnë më as përgjegjësi, as besim ndaj prijësve të tyre.
Kjo s’mund të quhet më disiplinë politike – është shpërbërje e sistemit të besimit.
Dhe në politikë, kur humbet besimi, pushteti nuk mbahet më as me retorikë, as me forcë.
3. Ngërçi i institucioneve – paraliza e një shteti të ri
Kosova sot është e bllokuar në projekte zhvillimore, në diplomaci, në përfaqësim ndërkombëtar.
Ish-kryeministra e ministra shfaqen si “përfaqësues në detyrë”, ndërkohë që realisht asnjë institucion nuk e di kush flet në emër të shtetit.
Në një shtet ku secili e quan veten “Kosovë”, por askush nuk mban përgjegjësi për të, sovraniteti mbetet vetëm fjalë.
4. Qeverisje me 30% mbi heshtjen e 70%
Nëse vetëm 30% e votuesve zgjedhin, e 70% heshtin – kjo nuk është demokraci funksionale, por demokraci në koma.
Qeveritë e një vendi nuk mund të qëndrojnë gjatë mbi indiferencën e shumicës.
Kur 70% e qytetarëve nuk ndihen të përfaqësuar, nuk është më populli që ka problem me politikën – është politika që ka problem me vetveten.
5. Kush janë 70% e heshtur?
Janë mësues që punojnë pa motiv, studentë që ikin nga vendi, punëtorë të ndershëm që nuk shohin drejtësi, intelektualë që nuk gjejnë hapësirë.
Ata nuk janë apatikë – janë të zhgënjyer.
Por historia e kombeve na mëson: kur shumica e heshtur zgjohet, sistemet e vjetra rrëzohen brenda natës.
6. Nga “NEWBORN” i KOSOVËS te “REBORN” i Republikës së DARDANISË!
Kosova nuk është më foshnje e sapolindur. Është një adoleshent që po kërkon identitetin e vet.
Shteti duhet të lindë për herë të dytë – jo me flamuj e slogane, por me rilindje të ndërgjegjes politike, morale dhe kombëtare.
Nga “NEWBORN” duhet të kalojmë në “REBORN DARDANIA” – një vend që nuk jeton më me kujtime, por me vlera.
7. Koha për personalitete, jo partizanë
Nëse 70% e qytetarëve do të riorganizohen – jo rreth partive, por rreth vlerave, dijes dhe moralit publik – atëherë Kosova do të ketë shans të dalë nga rrethi i mbyllur i klaneve, nepotizmit e mediokritetit.
Populli nuk ka nevojë për liderë që e ndajnë, por për njerëz që e ngrejnë më lart.
Ky është moment historik për ndryshim të paradigmës.
Prandaj;
Ngjarjet e ditëve të fundit nuk janë vetëm krizë e momentit.
Janë goditjet e para në murin e vjetër të politikës, që ka ndërtuar pushtet mbi premtime, e jo mbi rezultate.
Sot Kosova është në pikë kthese:
ose do të vazhdojë të mbetet peng i elitave të vjetra,
ose do të ngjallë nga brenda vetes një brez të ri që nuk kërkon thjesht pushtet, por rindërtim të shtetit.
Ky është çasti i “reborn”-it politik të Kosovës.
Nëse heshtja e 70% kthehet në zë, atëherë historia e re e Kosovës nuk do të shkruhet më nga partitë – por nga populli vetë
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
