LDK, DËSHMOJE INSTITUCIONALIZMIN TËND RUGOVIAN!
Idriz Zeqiraj
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Vendimi i LVV të mos lejojë kthimin e krimit dhe të kriminelëve në pushtet, është thellësisht parimor dhe kombëtar. Akuza e LVV së "brekëgrisurit dhe zbatharakët e djeshëm, por milionerë të sotëm, vranë kundërshtarët politikë luftëbërës, uzurpuan me dhunë e përgjakje pushtetin dhe vodhën e shkatërruan Kosovën"!
Mburrja e subjekteve politike, PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, se ndërtuam rrugë dhe infrastrukturë, u përgjigjemi me pyetjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë gjermanë: "Ku mbetën 5 (pesë) miliarda euro dhuruar Kosovës, për rimëkëmbjen e ekonomisë të saj?!" Po mjaftohem vetëm me kontributin gjerman, pa përmendur Amerikën e deri ke Japonia e largët.
Refuzimi që i bëri Albin Kurti dhe LVV e tij PAN-it, për bashkëqeverisje, është tërësisht bindshëm e justifikueshme. Kriminalizimi i këtyre subjekteve politike, është aq i skajshëm, sa duhet një një katarsis i brendshëm për t`u pastruar. Përndryshe, përfshirja në qeverisje, është vazhdim i jetës kontaminuese, helmuese të shoqërisë dhe rrënim i mëtejshëm të Kosovës tonë hallemadhe. Kanceri nuk shërohet duke e lyer me balsam, por kërkon bisturinë spastruese. I tillë është edhe PAN-i për Kosovën në përbërjen aktuale.
PAN-i ka pushtuar, pothuaj se, të gjitha mediat. Qendrat e tyre sajojnë një shpifje për kuadrot e pozitës dhe ato vazhdojnë t`i përsërisin të gjithë, si në kor, pavarësisht, se demantimit të bërë, nga të përfolurit-viktima, është bindës. Pra, shpif, shpif, se diçka mbetët! Për objekt shpifjesh kanë filluar me Donika Gërvallën, Albin Kurtin, për të vazhduar me Mimoza Kusarin, Albulena Haxhiun, Demal Bashën dhe, së fundi, me Faton Pecin. Por, kanë dështuar turpshëm.
PAN-i humbjet e përsëritura në zgjedhje, ngulmojnë t`i kompensojmë me protesta, kinse, për mbrojtjen e shefave të tyre në Hagë, por, në fakt, po provojnë të dëshmojnë forcë dhe shumësi elektorale. Krejt ngjashëm vepronin pas luftës, kur i promovonin "gjeneralët" dhe të "bëmat" e tyre.
Zgjedhjet e 2021 dëshmuan për lodhjen, deri në asfiksim të popullit të Kosovës me partitë-brenda të koalicinuara në PAN. Mjerisht, e pësoi edhe LDK-ja, madje meritueshëm. Sepse klani i Isa Mustafës ishte vënë në shërbim të Hashim Thaçit dhe bandës së tij politike. Me largimin e tyre në bllok, nga pushteti, me votën demokratike të popullit, filloi një frymëmarrje e lirë, me shpresë ndryshimi i shumëpritur, do ta këndellë të paktën, LDK-në: "Popullit dhe gruas nuk u falet, nëse i dorëzohen aventurierit të parë",- thoshte Marksi.
Dhe, vërtet, LDK-ja mësoi nga pësimi, bëri Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor, nga ku doli Lidershipi i ri. Në zgjedhjet e radhës të shkurtit të këtij moti LDK-ja shënoi sukses me ngritje afro 18 %, por jo edhe aq sa pritej. Megjithatë, Lidershipi i ri është zotuar që LDK-ja serishmi do të bëhet kryezonjë, me 51 % të votave. Urojmë të mos zhgënjehemi!
Që nga shkurti kanë kaluar 8 muaj që Kosova nuk po arrin ta krijojë qeverinë, për mungesë të 5 (pesë) votave. Shoqëria kosovare është dukshëm e kontaminuar, sidomos klasa politike. PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, tashmë, është konfirmuar me procese gjyqësore përtej një çerek-shekulli, përfshirë edhe me akuzën kulmore, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të organizuar në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale.
Të vetmet parti parlamentare të pa inkriminuara janë LVV dhe LDK. Partia fituese, e ngarkuar me krijimin e qeverisë, ka përzgjedhë LDK-në për bashkëqeverisje. Por, kjo e fundit e refuzon ofertën, me kërkesën e një qeverie teknike apo diç të ngjashme, pa Kurtin të parë. Një pretendim i tillë nuk ka gjetur mbështetje, sepse po humbet kuptimi i procesit të zgjedhjeve.
Refuzimi i Lidershipit aktual i LDK-së, për bashkëqeverisje me LVV, nuk ka dhënë arsye bindëse:
1) Kurti ka fyer LDK-në, duke e quajtur "hajvana!" Realisht, kjo emërtesë, edhe pse nuk është e standardit të kryeministrit, megjithatë, mashtrimi, gënjeshtra e madhe, me premtimet boshe elektoratit, partitë-banda: PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-it, ishte adekuate. Pra, emërtesa -hajvana- u faturohet: Bedri Hamzës, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
Rrjedhimisht, LDK-ja u bë hisedare vullnetare me PAN-in, për ta lehtësuar atë, njëherësh, për afrim me PAN-in, pavarësisht, konfirmimit edhe ligjor, se ai përgjaku LDK-në, duke listuar ngeshëm dhe ekzekutuar ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe kuadrot e veprimtarët e LDK-së! Pse themi -hisedare vullnetare-, sepse LDK-ja, e prirë nga kryetari Lumir Abdixhiku me Kryesinë dhe strukturat e partisë, bëri një fushatë të shkëlqyer e dinjitare, me premtime të matura dhe burimet mbulesë, për realizimin e tyre, gjë që ishte tërësisht ndryshe nga megallomania e PAN-it kriminal.
"Ka ikur koha e hajvanatit", - thërriste i ekzaltuar nga fitorja lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Dhe, ai jo vetëm që nuk fyente popullin, elektoratin, përkundrazi, bazuar në rrjedhën e kohës, e vlerësonte dhe e mbronte atë, nga çfarëdo fyerjesh që mund t`ia bënte ndokush, për interesa personale, grupore e fushatore.
Ndërsa anëtarësia, elektorati, por edhe strukturat e LDK-së, përfshi edhe shqiptarët vendorë dhe të përbotshëm, përjashto ndoca militantë të partive të kriminalizuara nga torishta e PAN-it, kanë mirëpritur bashkëqeverisjen e mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.
Është manipuluar shumë, madje vazhdon të manipulohet, gjoja, se "LDK-ja e provoi bashkëqeverisjen më LVV, por, dështoi, sepse nuk mund të qeveriset me LVV"! Kjo është njëra nga intrigat e shumëta të PAN-it, për të "futur pyka", në mes të LDK-së dhe LVV, nga frika e një koalicioni, si dy parti të vetme parlamentare të pa kriminalizuara, që do ta "nxirrnin jashtë lojës" pushtetare, madje për gjatë kohë, PAN-in rrastë të kriminalizuar.
E vërteta është se koalicioni LVV-LDK, në Qeverinë Kurti 1, ishte ideal dhe funksiononte "si sahati zviceran", pa asnjë të çarë. Por, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte premtuar ndarjen e Kosovës. Andaj, duke shfrytëzuar Pandeminë Covid 19, provoi ta shpallte -Gjendjen e Jashtëzakonshme-, për t`ia marrë disa nga kompetencat kryeministrit Kurti, për t`i pasur duart e lira ta përshpejtonte procesin e pazareve me Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës. Ndërkohë, hetimi i fshehur i Hashimit, për krimet faktike, kishte filluar. Për çudë, kishte nisur të denonconte disa krime tek disa njerëz, që informonin Shërbimet Informative të huaja, në veçanti, amerikane, kryesisht, për komandantët zonalë. Kishte një premtim që ai nuk do të prekej!
Pra, koalicionin LVV-LDK e prishi Hashimi, Grenell, Vuçiq dhe Rama. "Aminin" ia bëri Isa Mustafa. Përjashtimin e ministrave të LDK-së, Albini e bëri pasi mësoi komplotin e banditëve të cituar më lartë. Kjo është e vërteta absolute dhe është hipokrizi e palëve, LVV dhe LDK, që nuk e denoncojnë poshtërsinë, deri në krim, të bandës sa kriminale, aq edhe rrugaçërore. Dëmi shkaktuar Kosovës ka qenë i madh. Për këtë krim nuk duhet heshtur. Së pari, duhet informuar, madje deri në detaje, Presidentin Donald Trump, për intrigimet e agjentit të paguar të Serbisë, Richard Grenell. Sepse dikur do të bëhet vonë dhe Kosova është në procese delikate me Serbinë. Ndërkohë, PAN-istët janë palë me binomin Grenell-Serbi.
Dhe, së fundi, nëse ka porosi nga njerëz të administratës amerikane, "bllokohet koalicioni me LVV", duhet bindur ata se është "lojë" e rrezikshme me fatin e Kosovës.
Dhe, nëse e pengon ketë koalicion "klani Mustafa", i përket ta zgjidhë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, gjithnjë me votën e fshehtë demokratike dhe jo me votimin aklamativ, të hapët, fiktiv, të rrejshëm, metodë dhe praktikë komuniste dhe fashiste, e pëlqyer fort nga autokratë e diktatorë të tipit Stalin, Hitler, Enver Hoxha, Pol Poti me soj sorollopin e tyre, për të sunduar me dajak e plumb, deri në cofjen e tyre.
Andaj, e diela e pritshme është prova e madhe, e ndoshta, ndër më të mëdhatë e dekadës, për ta pranuar bashkëqeverisjen e saj me LVV. Arsyet janë numerike: Zhbllokimi i krijimit të qeverisë të Kosovës, nga e cila janë në pritje një serë procesesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndër to nisma e afrimit drejt Evropës; pranimi i shumave shumë-milionëshe nga BE-ja; pranimi në disa organizma evropiane dhe ndërkombëtare, e tjera. Aprovimi i buxhetit shtetëror nga Parlamenti
Madje, së fundi, kursimi i disa milionave shpenzime për procesin e rizgjedhjeve; mijëra ditë pune të humbura, nga një armatë e tërë të angazhuar në fushatën dhe procesin zgjedhor.
Shqiptarët kanë konsideratë dhe besim në ndjeshmërinë Institucionale të LDK-së të Presidentit Rugova, respektivisht, faktor mbështetëse të themeluesit të shtetit të Kosovës Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Kryetar Lumiri, provoni votimin e fshehtë, kupolë e demokracisë, në Këshillim e Përgjithshëm të LDK-së, për rastin e koalicionit LVV-LDK, duke marrë përgjegjësinë kolegjiale për vendimin.. Dhe, kjo do të ishte sa lehtësuese për Ju, si kryetar, njëherësh, një kontribut i madh institucional e kombëtar, e mbi të gjitha, nismë e spastrimit të klasës politike të Kosovës nga krimi dhe kriminelët.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
