Kush e shkretoj Kosovën e lirë dhe të pavarur?!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Armiku ynë shekullor, edhe përkundër dhunës sistematike, vrasjeve dhe dëbimeve masive ndër shekuj, asnjëherë nuk ia arriti t’ua venitë shpresat qytetarëve për jetë në vendlindjen e tyre. Edhe atëherë kur nuk shihej dritë në fundin e tunelit, shqiptarët e imagjinonin dritën përtej errësirës!
Dallimi me vlerave dhe antivlerave
Nëse deri dje morali njerëzor ishte vlera absolute e shoqërisë sonë, sot maskarallëku dhe poshtërimi njerëzor kanë njollosur imazhin dhe mjegulluar të ardhmën e vendit tonë!
Deri në 17 shkurtin e vitit 2008 shqiptarët e Kosovës i mbante gjallë shpresa, se pas ditës së pavarësisë gjërat në vendin e tyre do ta marrin të mbarën!
Mirëpo, për fatin e keq, pas kësaj dite, dalëngadalë, por pandalshëm dhe në vijimësi filluan të veniten shpresat e qytetarëve shkaku i qeverisjeve të papërgjegjshme!
Edhe përkundër ndërrimit të shpeshtë të qeverive, asgjë nuk ndërroj për të mirën e qytetarëve!
Si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik dhe degradimit gradual të vlerave njerëzore, shpresat u kthyen në iluzione!
Deri tek ky zhgënjim i madh erdhi për shkak të kapjes së sistemit të drejtësisë nga grupet e interesit dhe të fortët e politikës, të shndërruar në milionerë nga vjedhja e buxhetit të shtetit dhe abuzimi i pushtetit!
Kështu, shteti për dikë u bë nanë e për dikë njerkë!
Derisa të fortët e politikës i shtonin milionat, familjarët e tyre gëzonin privilegje nga shteti, kurse qytetarët nga dita në ditë varfëroheshin dhe bëheshin më të pashpresë!
Kjo situatë e humbjes së shpresave të qytetarëve e shkaktoj fenomenin e largimit masiv të qytetarëve nga vendi.
Si pasojë e largimit nga vendi, sot Kosova nga një vend i shpresës është kthyer në vend të braktisur!
Në dekadën e fundit kemi zvogëlim enorm të popullatës në zonat rurale dhe ato urbane!
Kjo i ka kthyer fshatrat në vende të shkreta, pa njerëz dhe pa toka të punuara!
Zërat e fëmijëve janë zavendësuar me zëra t’qyqeve (shpendkeqëve) që ndjellin kob dhe pasiguri për pleqtë dhe plakat e mbetura me duar në gji pa asnjë fëmijë pranë vetes në moshën kur kanë nevojë për ndihmën e të afërmëve të tyre!
Shkaku i largimit të familjeve nga vendi, kanë mbetur shtëpi të braktisura, kurse tokat pjellore janë kthyer në ndjerrina!
Në fshatrat tona nuk dëgjohet më blegërima e deleve dhe bagëtive, dhe as ulurima e qenëve!
E si pasojë e kësaj, kanë filluar të shfaqen kafshë të egra në vendbanimet tona!
Zvarranikët janë në rritje e sipër! Prezenca e tyre është kudo dhe paraqet rrezik për banorët dhe kalimtarët e rastit!
Të mos flasim për shkollat, janë mbetur shkretë pa nxënës!
Në mungesë të nxënësve janë mbyllur me dhjetra shkolla vetëm në një komunë, me qindra në mbarë Kosovën!
Spitalet publike dhe qendrat e mjekësisë familjare janë duke mbetur pa mjekë dhe infermierë, të cilët, përveq largimit nga vendi, pjesa tjetër po kalojnë në spitalet dhe ambulancat private!
Shërbimet në to janë aq të kushtueshme, saqë për shumicën e të moshuarëve janë ‘mollë e ndaluar’ shkaku i kostos së lartë të shërbimeve mjekësore!
Në anën tjetër, 26 vjet pas përfundimit të luftës çlirimtare shteti ende nuk arriti të sigurojë skemë të sigurimeve shëndetësore!
Kjo ka shkaktuar ndjenjë pasigurie për të rinjët e mbetur në vendin e shkretuar nga politika dhe politikanët lakmitarë, të cilët asnjëherë nuk menduan për interesin e qytetarëve, por vetëm për mirëqenjen e tyre!
Pronarët e spitaleve private dhe mjekët e ordinancave private më shumë gjasojnë në kanibal që duan të ushqehen me gjakun e bashkombasve të tyre, sesa në mjek me betim të Hipokratit!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
