Koha e partive me lider hipokrit

Koha e partive me lider hipokrit
Koha e partive me lider hipokrit

Ismail Muçiqi

  • 27 October 2025 - 12:36

Shkruan: Ismail Muçiqi

Askush nuk e kishte imagjinuar se pas 25–26 vitesh liri, Kosova do të përballej me një soj të ashtuquajtur  politikanësh, deputetësh dhe grupesh interesi që me vetëdije po shkatërrojnë lirinë dhe pavarësinë e shtetit. Askush nuk ka besuar se ish-komandantët e luftës, pseudo-veprimtarët dhe pasardhësit e figurave të dikurshme dhe pseudointelektualet te sheknces dhe kultures do të rreshtoheshin sot në një anë të vetme — me qëllim të bllokimit të zgjedhjes së qeverisë së re të Kosovës. Kjo odise politike, që zgjati më shumë se shtatë muaj, e tregoi fytyrën e vërtetë të këtyre paloqeve që po luajnë me fatin e Kosovës. Kemi shkruar edhe më herët se shoqëria Kosovare ndodhet në një krizë të thellë të identitetit intelektual, politik e kombëtar, fatin e së cilës e kanë uzurpuar grupet e interesit të cilat që, nga çlirimi, janë bërë barrë e rëndë për Kosovën. Sot, në të njëjtin rresht u panë komandantë e “gjeneralë”, veprimtarë të rremë, pseudo-intelektualë dhe “ekspertë” që po pozicionohen përkrah listës serbe, duke e gëzuar Vuçiqin dhe qeverinë e tij për kaosin që po ndodh në politikën Kosovare.

Koha po dëshmon se jemi një shoqëri e kalbur, me plot defekte morale e kombëtare, që krijon mite të rreme, heronj prej letre dhe patriotë nga qiftelia — të cilët vetvetes u thurin këngë e legjenda që askush nuk i beson më. Të mbash shtetin peng e të thirresh në emër të popullit, ndërkohë që vepron e voton kundër interesit të përgjithshëm, është jo vetëm demagogji, por edhe pafytyrësi e hipokrizi që troket në ndërgjegjen e çdo deputeti. Edhe më naivi që ka lexuar diçka e kupton se këto bllokada partiake po bëhen për shkak të interesave personale — për ta ruajtur pasurinë dhe kapitalin e fituar nga korrupsioni, që e kanë ndërtuar shumica e këtyre deputetëve duke gërryer themelet e një shteti të varfër. Është e dhimbshme të shohësh se në çfarë niveli ka rënë politika dhe përfaqësimi institucional në Kosovë. Kjo klasë politike, në kushte normale të respektimit të vlerave dhe standardeve demokratike, do të ishte larguar prej kohësh nga skena publike. Ngjarjet e fundit dëshmojnë se kjo përbërje e Kuvendit, e përçarë nga inatet dhe obstruksionet, nuk mund t’i sjellë më asgjë të mirë vendit. Është momenti që Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, ta luajë rolin e saj kushtetues dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për konstituimin e institucioneve të shtetit. Pas kësaj, sa më parë duhet shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, për t’u dhënë mundësi njerëzve me vetëdije qytetare e kombëtare që, përmes votës së lirë, të mobilizohen e të zgjedhin një parlament të ri me figura të reja, duke i larguar përfundimisht ata që e mbajtën peng shtetin për plot tetë muaj. Ky vend ka vuajtur mjaft. Ka ardhur koha dhe momenti që kjo parapolitikë të demaskohet njëherë e përgjithmonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".