Interpretimet Kushtetuese – midis interesave dhe përgjegjësisë shtetërore
Zef Prenka
Shkruan: Zef Prenka
Në Kosovë, Kushtetuta është shpesh më shumë se një dokument juridik – ajo është pasqyra e ndërgjegjes sonë shtetërore. Por mënyra si interpretohet ajo, shpesh na tregon edhe krizën e moralit institucional. Njëjtë si në politikë, edhe në interpretimin kushtetues është krijuar një “pluralizëm interesash”, ku secili e sheh të drejtën sipas lentes personale, klanore apo partiake.
Profesor Dr.Enver Hasani, një figurë me përvojë të madhe në të drejtën ndërkombëtare dhe kushtetuese, shpesh bie në pozita bllokuese në analizat e tij. Jo pse mungon dija, por sepse gjykimi i tij juridik ngarkohet me prirje të brendshme – qoftë nga përvoja në institucionet e mëparshme, qoftë nga ndikimet personale e akademike që ai ka ushtruar mbi sistemin. Interpretimet e tij ndonjëherë duken si “mbrojtje e trashëgimisë së vet juridike”, më shumë se një përpjekje për t’i dhënë shtetit rrugëdalje.
Në anën tjetër, Prof.Dr.Kadri Kryeziu, i cili ka qenë pjesë e po të njëjtit institucion, shpesh kundërshton Hasanin, por edhe ai nuk arrin të shmangë tendencat subjektive. Shpesh interpretimi i tij mëton të jetë korrektiv, por në thelb reflekton një përpjekje për të riparuar padrejtësitë personale që kanë ndodhur në kuadër të punës së tyre të dikurshme. Kështu, përplasjet midis tyre, që duhet të ishin akademike e në shërbim të së drejtës, marrin ngjyrime të rivalitetit njerëzor.
Prof Dr.Arsim Bajrami, si bashkautor i Kushtetutës, ka qenë gjithnjë një zë me peshë. Por zhgënjimi i tij nga mënyra se si është trajtuar vetë akti themelor i shtetit, duket qartë në interpretimet e tij të fundit. Ai flet me maturi, por edhe me një ndjenjë të hidhur – sikur një arkitekt që sheh shtëpinë e vet duke u ndryshuar nga duar të pasigurta. Kjo e bën shpesh fjalën e tij të duket “e cunguar”, sepse ajo vjen nga një përmbajtje emocionale që nuk lejon më entuziazmin e dikurshëm për idealin shtetformues.
Ndërsa Prof Dr.Kolë Krasniqi – ndryshe nga të tjerët – ka fituar respekt të gjerë në opinion për qasjen e tij të kthjellët, të drejtë dhe shtetformuese. Ai nuk fluturon mbi teori, por zbret në realitetin e ligjit dhe nevojat e shtetit. Ai nuk flet për të treguar se di, por për të ndihmuar që të kuptohet. Krasniqi, me natyrën e tij të sinqertë dhe qëllimin e pastër, arrin të ndërtojë ura ku të tjerët ngrejnë mure. Ai e sheh Kushtetutën si mjet bashkimi, jo si instrument ndarjeje. Dhe kjo është arsyeja pse çdo dalje e tij publike është pritur me respekt, sepse aty gjen jo vetëm dijen, por edhe ndershmërinë intelektuale.
Në fund, pyetja nuk është pse këta juristë dallojnë në interpretim – kjo është normale në çdo shoqëri demokratike. Pyetja është pse disa interpretojnë për të zgjidhur, e të tjerët për të ndërlikuar.
Në këtë kuptim, figura si Kolë Krasniqi mbeten të domosdoshme për shtetin tonë – sepse ai nuk e sheh Kushtetutën si një arenë për egon akademike, por si një udhërrëfyes për kombin. Dhe derisa të kemi më shumë njerëz që “dinë dhe duan” ta zhbllokojnë nyjën e drejtësisë, do të kemi shpresë që edhe shteti ynë të ecë përpara me frymë të drejtë dhe të ndershme.
Këta zotrinjë ( dhe të tjerë!),janë profesionistë të Jurisprudencës - me një fjall shkencëtarë dhe nuk do duhej të dallonin në kënvështrimet interpretuese të Kushtetueses.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
