Zeqa: 'Syri i butë apo vrima e lagur' e LDK-së!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
E zgjodha këtë shkrim për ‘Ditën e të Vdekurve’, për arsyen e thjeshtë, se LDK-ja që 15 vjet është në vdekje klinike! Kurse, kanë kaluar më tepër se dy dekada që kur LDK-ja e ka shijuar për herë të fundit gëzimin e fitores në zgjedhjet parlamentare (2004)!
Lakmia për pushtet e matrapazëve e fundosi LDK-në
"Syri i butë, vrima e lagur", e thotë një fjalë e urtë popullore! Nga shkuarja në amshim e liderit historik, LDK-së po i ‘kullon vrima’ shkaku i interesave personale! Pa ju terë mirë vrima, po i laget përseri! Lagia njëri e terja tjetri, shumë më i zi i riu se i vjetri!
Këta interesgjinjt (tugjarët) e LDK-së, nga lakmia per pushtet dhe ambicia për abuzim me paranë e shtetit, bëhen bashkë me dreqin dhe t’birin e dreqit!
Kështu, i ëmbli pushtet për 20 vjet rresht ua vërboj sytë!
Paraja e pistë ua turbulloj mendjen dhe i çoj në ‘shtratin e dashurisë’ për pushtet me të gjithë rivalët politik!
Sot në LDK bëjnë plloje armiqt e Rugovës dhe të Kosovës, kurse themeluesit dhe adhuruesit e saj besnik ndiqen dhe largohen nga ky subjekt politik!
Elektorati ka mbetur jashtë loje, nuk e pyet askush për asgjë!
Kryetari i partisë vendosë për çdo gjë, vendos kush të hyjë e kush të dalë prej LDK-së!
Nëse dikush (sikur unë) e merr guximin dhe i kundërshton, e presin masat përjashtuese dhe ndëshkuese, akuzat dhe gjuha linçuese, sharjet dhe fyerjet nga militantët partiakë në rrjetet sociale dhe jashtë tyre, mbase mund ta pësoj edhe më keq se kaq!
Armiqt e vërtetë të Rugovës u ngritën në hierarkinë politike të LDK-së
E vërteta e hidhur e ruajtjes dhe vazhdimësisë së kapjes së LDK-së nga klanet dhe grupet e interesit po vazhdon edhe në ditët e sotme!
Për ketë arsye, sejmenët e Isa Mustafës u treguan të vendosur në Kuvendin e fundit për ta bërë zgjedhjen më të gabuar për LDK-në!
Me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut, uzurpatorët e LDK-së i forcuan akoma më shumë pozitat e tyre, duke u dëshmuar se janë vërtetë sundimtarë të pangopshëm në këtë subjekt politik.
Pas Abdixhikut janë të katapultuar edhe 300 ‘harambasha’ në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, të barrikaduar në mbrojtje të ‘Putizimizit’ apo të klanit të Riinvest-it!
LDK me këtë kryetarë dhe me këta matrapaz politik nuk ka as gjasa teorike të fitoj zgjedhjet e jashtëzakonshme, përkundrazi do të përballet me shthurje totale të partisë, për arsye se drejtuesit aktualë janë figura jo kredibile, të dështuara dhe të urryera nga elektorati rugovian për shkak të kapjes së LDK-së, të stërkequr nga klani Riinvest.
Nxjerrja e LDK-së prej klanit të Isa Mustafës, fillon me largimin e të katapultuarit të fundit në kreun e LDK-së nga shkolla sorosiane, të voglit Lumir Abdixhiku, i cili i sajon armiqt e paqenë brenda LDK-së, kurse armiqt e vërtetë të Ibrahim Rugovës i ngritë në hierarkinë e lartë politike të partisë!
Të mirë për kryetarin aktualë të LDK-së janë vetëm servilët dhe armiqt e Rugovës, të tjerët i konsideron vetëm numra për vota dhe asgjë më shumë!
Andaj, pa humbur kohë duhet një iniciativë për largimin e tij nga kreu i LDK-së, në të kundërtën, e presin ditë akoma më të rënda shpresën e qytetarëve për shtetndërtim dhe dinjitet njerëzor!
Definitivisht, LDK duhet të udhëheqet nga një rugovist dhe jo nga sorosianet dhe parashutistët e Riinvestit!
Lidhja Demokratike e Kosovës, nga një parti shtetformuese, shtetndërtuese dhe institucionaliste, e udhëhequr me përgjegjësi të lartë shtetërore nga lideri historik, Ibrahim Rugova, tashmë ka rënë në dorë të buzëfoshnjorit të papjekur politikisht, sorosianit Lumir Abdixhiku, servilit të Isa Mustafës, tuxharit politik, i cili nuk zgjedhë njerëz dhe mjete për ta kontrabanduar vullnetin e elektoratit të LDK-së!
Tashmë shihet qartë se kryetari i LDK-së e ka humbur tërësisht'busullen" orientuese!
Lumir Abdixhiku pa vizion dhe pa koncept të qartë politik, e ka mbushur LDK-në me kica e me kuca, me sharra e me lima të llojeve të ndryshme, të cilët janë duke e gërryer në themel filozofinë politike rugoviane!
Vullneti im politik dhe dëshira për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve është para çdo interesi partiak dhe personal. Që i bie, se ambiciet e mia nuk janë pushtetore, por shtetërore, gjegjësisht të qenurit gardian i përhershëm i interesave të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në mërgatën tonë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
