Kalkulimet me fatin e pensionisteve te kosovoes!

Kalkulimet me fatin e pensionisteve te kosovoes!
Kalkulimet me fatin e pensionisteve te kosovoes!

Ismail Muçiqi

  • 03 November 2025 - 07:30

Shkruan: Ismail Muçiqi

Kategoria më e anashkaluar dhe më e përbuzur në shoqërinë Kosovare padyshim janë pensionistët kontributdhënës – ata që gjysmën e jetës e kaluan duke punuar, duke kontribuar me djersë e mund për Kosovën dhe për të siguruar një mirëqenie të merituar në pleqëri. Këto ditë, jozyrtarisht po flitet dhe po shkruhet nëpër portale të ndryshme se Ministria e Financave ka marrë vendim që disa kategori të pensioneve do të rriten.

Nëse kjo është e vërtetë, ky hap është i mirëseardhur. Por shtrohet pyetja: *Sa për qind do të rriten pensionet e atyre pensionistëve kontributdhënës*?!, të cilët dikur, në moshën e tyre më të re, punuan nëpër kantiere, punishte, fabrika, uzina e miniera, duke ndërtuar vendin tonë? Flitet se pensionet për kontributdhënësit do të rriten vetëm në një përqindje të vogël, simbolike. Nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë vaj halli për këtë kategori. Institucionet e shtetit kanë obligim human dhe ligjor që këtë kategori ta trajtojnë me seriozitet e drejtësi, duke siguruar një rritje të ndjeshme të pensioneve si **imperativ i kohës**. Kjo kategori e të moshuarve gjendet në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë – sociale, ekonomike dhe shëndetësore. Shuma e deritashme e këtyre pensioneve ka qenë qesharake, për të mos thënë e mjerueshme. Me këto të ardhura, njerëzit mezi arrijnë të blejnë ilaçet, e lëre më të përballojnë nevojat tjera elementare të jetës. Më thotë mendja se nëse rritja e pensioneve nuk e kalon shumën prej 100 eurosh, do të ishte një padrejtësi dhe mëkat ndaj kësaj kategorie. Sot ka mbetur vetëm një numër simbolik i pensionistëve kontributdhënës – më pak se dyzet mijë persona.

Për shkak të moshës së shtyrë dhe shëndetit të dobët, kjo listë po zvogëlohet çdo ditë, teksa shumë prej tyre po largohen në botën e amshueshme. Prandaj, në fund, theksojmë se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, më në fund duhet të shprehë solidaritet të vërtetë me këtë kategori, duke i rritur ndjeshëm pensionet. Kjo do të ishte një ndihmë e domosdoshme për njerëzit që po përballen me munges të të hollave, me vështirësi jetësore dhe me sëmundje të shumta. Qdo kalkulim në dëmë të pensionistëve kontributdhënës është e pa falashme dhe mëkat.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".