A është kjo Kosova që ndërkombëtarët deshën dhe qytetarët ëndërruan?

A është kjo Kosova që ndërkombëtarët deshën dhe qytetarët ëndërruan?
A është kjo Kosova që ndërkombëtarët deshën dhe qytetarët ëndërruan?

Naser Krasniqi

  • 04 November 2025 - 15:22

Shkruan: Naser Krasniqi

Pas përfundimit të luftës në qershor 1999, Kosova hyri në një fazë të re - atë të administrimit ndërkombëtar nga UNMIK-u, që për shumëkënd simbolizonte fillimin e ndërtimit të shtetit të munguar.

Në vitet që pasuan, çdo hap i shtetformimit - nga administrata e parë e UNMIK-ut, tek strukturat e përkohshme vendore, shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008 dhe më vonë ardhja e EULEX-it - u zhvillua nën mbikëqyrje ose ndikim të drejtpërdrejtë të partnerëve ndërkombëtarë.

Por pas më shumë se një çerek shekulli, një pyetje mbetet thelbësore dhe ndoshta më aktuale se kurrë:
A është kjo Kosova që ndërkombëtarët deshën dhe qytetarët ëndërruan?

Në vitet e para të pasluftës, prioriteti i UNMIK-ut dhe i KFOR-it ishte stabiliteti dhe shmangia e rikthimit të dhunës. Drejtësia, ndërtimi institucional dhe llogaridhënia ishin në plan të dytë.

Në këtë kuadër, shumë figura me ndikim në terren u trajtuan me kujdes, madje shpesh edhe me tolerim të plotë ndaj veprimeve të jashtëligjshme.

Në emër të qetësisë, u krijua një realitet i heshtur: stabiliteti kishte më shumë peshë se drejtësia. Kështu u formua një kulturë imuniteti politik dhe moral që me pastaj u shndërrua në imunitet institucional.

Shumë raste të shkeljeve të pasluftës janë përmendur në media dhe dokumente të brendshme të misioneve të huaja. Megjithatë, shumica e këtyre rasteve nuk u çuan kurrë në gjykatë. Arsyeja zyrtare ishte frika nga destabilizimi.

Në praktikë, kjo do të thoshte se ligji nuk vlente njësoj për të gjithë. Në vend të drejtësisë tranzicionale, u vendos heshtja tranzicionale - një kompromis që la pasoja të gjata në kulturën politike të vendit.

Një shtet mbi kompromis

Kosova u ngrit si shtet kompromisi. Ndërkombëtarët ndërtuan institucionet formale të shtetit, por pushteti real shpesh qëndronte tek individë me rrjete politike, ekonomike dhe parapolitike.

Në vend të shtetit ligjor, u krijua një sistem i balancave të interesave, ku llogaridhënia u zëvendësua me marrëveshje të heshtura.

Në shumë raste, bashkësia ndërkombëtare mbylli njërin sy ndaj veprimeve kriminale dhe shkeljeve tjera serioze, duke besuar se qetësia në terren ishte fitore më e madhe sesa drejtësia në institucione.

Ky pragmatizëm mund të ketë shmangur kriza afatshkurtra, por krijoi themelet e mosbesimit qytetar dhe mosndëshkueshmërisë që është bërë pjesë e kulturës politike.

Ndërkombëtarët në Kosovë kanë pasur një rol ambivalent - njëkohësisht ndërtues dhe kufizues.

Ata sollën paqe, stabilitet dhe përkrahje për ndërtimin e institucioneve. Falë mbështetjes së tyre, Kosova sot është shtet i pavarur dhe pjesë e komunitetit ndërkombëtar.

Por të njëjtët aktorë shpesh e ngadalësuan zhvillimin e brendshëm demokratik, duke mbajtur sistemin në një lloj kujdestarie të përhershme.

Ata imponuan standarde, por pa ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm për zbatimin e tyre. Në përpjekje për të shmangur kaosin, ndërtuan një demokraci të kontrolluar - që funksionon më shumë për të ruajtur rendin sesa për të garantuar drejtësinë.

Pas 25 vjetësh, Kosova ka institucione, ligje dhe një kornizë moderne shtetërore.

Por ende vuan nga boshllëku midis formës dhe përmbajtjes - midis asaj që duket dhe asaj që funksionon.
Drejtësia shpesh shihet si fushë betejë politike, ndërsa qytetari vazhdon të mos e ndjejë barazinë para ligjit.

Në këtë realitet, përgjegjësia nuk i takon më vetëm ndërkombëtarëve. Ajo është e përbashkët: e politikës, institucioneve dhe shoqërisë që ka pranuar gjatë të jetojë me “stabilitet pa drejtësi”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".