E zbulon analisti: Kjo deklaratë e Kurtit e mobilizoi opozitën në bllokimin e bashkëpunimit

E zbulon analisti: Kjo deklaratë e Kurtit e mobilizoi opozitën në bllokimin e bashkëpunimit
E zbulon analisti: Kjo deklaratë e Kurtit e mobilizoi opozitën në bllokimin e bashkëpunimit

Florim Zeqa

  • 05 November 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Deklarimi i Albin Kurtit në tubimin paraelektoral të LVV-së, kur tha: “S’i jep paratë e shtetit për ata kryetarë që nuk dinë të punojnë apo për ata që vjedhin”, i ngjet një konstatimi me paragjykim! Për më tepër se kaq, kjo paraqet ndërhyrje direkte në pushtetin lokal.

 

-Ndarja e buxhetit për komunat është e rregulluar me ligj, dhe ndryshe askush, as kryeministri, nuk ka të drejtë të ndërhyjë me vlerësime në punën e kryetarëve komunalë.

Janë Ministria e Pushtetit Lokal dhe organizatat joqeveritare (OJQ) që e monitorojnë punën e kuvendeve komunale dhe të kryetarëve në veçanti.

Në rast të mospunës apo të abuzimit me pushtetin nga kryetarët komunalë, secili qytetar apo nismë qytetare mund të ngrejë padi të organizuar ndaj kryetarit të komunës; pastaj çështja kalon në Prokurori dhe Gjykatë, por nuk është kryeministri i vendit ai që e vlerëson performancën e kryetarëve.

Thënë ndryshe, kjo huqje e kryeministrit i ngjet asaj në fund të fushatës së zgjedhjeve parlamentare, kur i quajti “hajvanat” opozitën.

Kjo deklaratë e Albin Kurtit e mobilizoi opozitën në bllokimin e bashkëpunimit me LVV-në, e cila shkaktoi ngërçin më të gjatë dhe më të pazakontë në vendin tonë.

Prandaj, edhe deklarata e fundit e Kurtit do ta motivojë akoma më tepër opozitën kundër LVV-së në balotazh gjithandej Kosovës, e mbase edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Kërkesa e hapur e Kurtit për mosvotimin e kandidatëve të rivalëve politikë për kryetarë komunash rrezikon t’i kthehet bumerang kryeministrit në detyrë.

Hiç më e mirë nuk ishte as deklarata e Kurtit rreth braktisjes së fshatrave të Kosovës, duke harruar se fshatrat tashmë janë braktisur.

Në fshatrat e Kosovës ka vite që tokat nuk punohen, shkaku i mungesës së fuqisë punëtore (të rinjve), e cila tashmë është bërë fuqi krahu në shtetet evropiano-perëndimore.

Që do të thotë se edhe në këtë konstatim Albin Kurti ia ka huqur në masë të madhe, ngase bujqësia dhe blegtoria në fshatrat e bukura të Kosovës janë në zhdukje e sipër.

Tani nuk bëhet më fjalë për evitim dhe parandalim, por për hartimin e projekteve zhvillimore që motivojnë të rinjtë të kthehen në vendlindjen e tyre.

Prandaj, këtë nuk mund ta quajmë “lidhje”, por inskenim të një lidhjeje që nuk ekziston.

Sikur qeveritë paraprake dhe kjo e fundit e Albin Kurtit ta donin njëmend Kosovën të banuar në të gjitha anët e saj, cep më cep, nuk do të lejonin braktisjen e fshatrave dhe qytezave, por do të stimulonin zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë gjithandej Kosovës.

Fajtorë nuk janë ata që kanë ikur, por ata që kanë mbetur në këtë vorbull, ku lulëzojnë të gjitha dukuritë negative që i demotivuan të rinjtë për të qëndruar në këtë vend.

Pasi, në Kosovën e lirë dhe të pavarur, në vend të fermave dhe uzinave, mbinë si kërpudhat restorantet e dasmave dhe ahengjeve, pikat e karburanteve dhe supermarketet — të gjitha këto prona të politikanëve dhe oligarkëve në shërbim të politikanëve milionerë.

Prandaj, sa më parë që Albin Kurti të heqë dorë nga gjuha populiste dhe t’i kthehet realitetit, do t’i ketë gjasat më të mëdha për fitore; në të kundërtën, vetëm sa do të ndëshkohet akoma më keq në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që tashmë shihen në horizontin e afërt.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".