ÇFARË DUHET TË RUAJNË SHQIPTARËT NGA TANI?
Zef Prenka
Shkruan: Zef Prenka
Nëse dikur pyetja thelbësore për ne shqiptarët ishte: si të mbijetojmë, sot ajo është më e thellë: si të mbetemi vetvetja. Sepse në një kohë kur çdo gjë përzihet; kulturat, besimet, gjuhët dhe modelet e jetesës, atlherë rreziku më i madh për shqiptarët nuk është më humbja e tokës, por humbja e identitetit ose qënjes shpirtërore.
Historikisht, shqiptarët kanë ditur të përshtaten, por jo gjithmonë të mbrojnë vetvetën nga shëmtia e imitimit. Për t’u bërë “të pëlqyeshëm” për pushtuesin, herë për hir të rrezikut për jetën, herë për interes dhe lakmi personale, shumë “adete” i kemi marrë prej tij, jo vetëm gjuhën dhe zakonet, por shpesh edhe shëmtinë e shpirtit të tij: mashtrimin, trathëtinë,servilizmin, arrogancën dhe ndarjen mes nesh, si gjëja më e shëmtuar. Dhe kështu, në vend që të ruanim tiparin e dëlirë të fisnikërisë iliro-arbërore, morëm vese të huaja që na shkatërruan unitetin dhe na zbehën ndërgjegjen.
(Ç’është ndërgjegja?
Është një nga konceptet më të thella të filozofisë dhe psikologjisë njerëzore. Ajo është zëri i brendshëm i arsyes dhe moralit, që i tregon njeriut se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar).
Prandaj, sot, më shumë se kurrë, nuk duhet të ruajmë thjesht traditat dhe me këngë folklorike apo vlerat kombëtare që i njohin më mirë të huajt se vet ne ,sepse ato janë dëshmi e të së kaluarës.
Pra:
Ne duhet të ruajmë fytyrëne kombit dhe pastërtinë e shpirtit shqiptar: karakterin që nuk përkulet, nderin që nuk blihet, dhe dashurinë për vëllanë që nuk shuhet.
Duhet të ruajmë asetet tona reale : gjuhën, gurët e lashtë të qytetërimeve tona, toponimet, dokumentet, trashëgiminë arkeologjike që flet më shumë se çdo lider partie -bie fjala. Por përmbi të gjitha, duhet të ruhemi nga vetvetja; nga hajnia, nga mashtrimi, nga pushteti që shitet si atdhetarizëm, nga hasmëria që lind nga smira, dhe nga heshtja që lind nga frika.
Të ruajmë bujarinë dhe mikpritjen, jo si folklor, por si virtyt njerëzor që i jep kuptim ekzistencës sonë. Të ruajmë sinçeritetin e fjalës, sepse aty fillon qytetërimi. Të çmojmë të diturin, sepse ai është kapitali më i madh që mund ta ketë një komb i vogël. Të ndihmojmë të varfrin, jo si mëshirë, por si obligim moral dhe kulturor.
Dhe mbi të gjitha, të ruajmë fytyrën tonë evropiane, jo duke imituar Evropën e konsumit, por duke u rikthyer te Evropa e mendimit, e punës, e vlerave dhe e drejtësisë – Evropa që na përket shpirtërisht që prej Ilirisë e deri sot. Në fakt shqiptarët janë gjymtyrl e Evropës.
Sepse kombet që harrojnë kush janë, nuk i pushton askush, ato pushtohen nga vetvetja, sepse nënshtrohën lehtë dhe bëhen servil, herë e liderit të partisë dhe herë tjetër armikut. Në fakt të dytë janë armiq, por i dallon emëri.
Shqiptarët, tash e tutje, duhet të ruajnë jo atë që duket, por atë që nuk lejohet të humbet: shpirtin e tyre të lirë dhe të ndershëm, bujarinë, sinçeritetin dhe dhëmbshurinë për vëllanë, ta ruajmë NDËRGJEGJËN si virtyt më i lartë njerëzor.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
