Fitorja e LVV-së në Mitrovicë është e barabartë me fitoren e Prishtinës

Fitorja e LVV-së në Mitrovicë është e barabartë me fitoren e Prishtinës
Fitorja e LVV-së në Mitrovicë është e barabartë me fitoren e Prishtinës

Florim Zeqa

  • 12 November 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Me rezultatet pas balotazhit të 9 nëntorit, Kosova është bërë politikisht më e fragmentuar, por jo edhe e balancuar në pushtetin lokal. Edhe pse në dukje të parë, pushteti është pothuajse i barabartë mes forcave politike, bashkërendimi i partive në 'koalicione' të padeklaruara në balotazh i barazon ato mes tyre, por jo edhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është shkëputur e vetme me 7 fitore të pastra në nivel komunal.

 

-Sikur të mos kishte ndodhur bashkërendimi i partisë së dytë (PDK) me partinë e tretë (LDK) në nivelin qendror, sot LVV-ja do t’i kishte së paku edhe dy komuna më shumë të fituara (Prishtinën dhe Pejën). Këto zgjedhje e demaskuan katërçipërisht lidhjen e LDK-së me PDK-në dhe jo vetëm.

Kjo lidhje mes dy forcave, sa kontraverse po aq të përafërta të skenës politike, e ka dëmtuar imazhin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Tashmë e kanë kuptuar të gjithë qytetarët e vendit se këto dy parti (PDK dhe LDK) e ndihmuan njëra-tjetrën në rritjen e kuotave komunale, por jo edhe imazhin e tyre si dy subjekte rivale të skenës politike kosovare.

Pa PDK-në, sot LDK-ja do të peshonte për dy komuna të mëdha më pak në qeverisjen lokale, gjegjësisht do të mbetej pa Prishtinën dhe Pejën, kurse PDK do ta humbte Prizrenin, pikën strategjike të saj, komuna këto me peshë në elektorat dhe me ndikim në mbarëvajtjen edhe të pushtetit qendror.

Thënë ndryshe, pa njëra-tjetrën PDK dhe LDK do të kënaqeshin me komuna të vogla dhe do të mbeteshin në nivelin e AAK-së.

LVV është fituesja më e madhe e zgjedhjeve lokale, e cila ka shënuar rritje të dukshme, përderisa partitë e tjera kanë vendnumëruar ose kanë humbur bastionet e tyre të deridjeshme.

Fitorja e LVV-së në Mitrovicë është e barabartë me fitoren e Prishtinës, për shkak të specifikave të veçanta dhe rëndësisë së shtrirjes së plotë të sovranitetit në veri të vendit.

Pa dyshim, në këtë rezultat ka ndikuar edhe dalja e tepër e ulët e elektoratit në zgjedhje, e cila reflekton në legjitimitetin e pushtetit lokal në disa komuna.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".